Punonjësit e administratës publike do të mund të përfitojnë kredi për shtëpi me 0% interes, pas skemës mbështetëse të miratuar nga qeveria. Në fletoren zyrtare janë publikuar kriteret, ndërsa për vitin 2023 janë hapur vetëm 300 kuota. Përfituesit e kredive me 0% interes janë tre kategori, punonjësit e sistemit shëndetësor publik, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura. Për secilën nga kategoritë janë të disponueshme 100 kuota.
Sa i përket kritereve të tjera, që të marrin kredi me 0% interes, ata nuk duhet të kenë banesë në pronësi, ose banesa në të cilën jetojnë ka rrezik për shembje, rrezikojnë të mbesin të pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore, apo banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi. Po ashtu sipas VKM thuhet se policët Forcat e Armatosura do mund të marrin kredi edhe në rastet kur banesa ku banojnë prishte ose përjashtohet nga procesi i legalizimit, për shkak të investimeve publike.
Të njëjtat kritere vlejnë edhe për mjekët, ndërsa mund të aplikojnë vetëm ata që plotësojnë katër kushtet e vendosura nga qeveria. Konkretisht, mund të aplikojnë ata mjekë që janë punësuar në institucionet shëndetësore publike me kontratë pune me afat të pacaktuar, mjekët që punojnë mbi 80 km larg vendbanimit ose në zona rurale apo qendra sekondare apo terciare.
Po ashtu nga kjo skemë mbështetëse do të përfitojnë edhe studentët që kanë nënshkruar marrëveshjen e re përmes së cilës do t’i duhet të punojnë për 5 vite në Shqipëri.
VENDIMI
PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PËRGJITHSHME TË KREDIVE TË REJA PËR KATEGORITË PRIORITARE TË TË PUNËSUARVE PËRFITUES NË ADMINISTRATËN PUBLIKE
Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2023 janë 300, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:
a) 100 për mjekët e sistemit shëndetësor publik;
b) 100 për punonjësit e Policisë së Shtetit;
c) 100 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.
2. Për kategoritë e përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, përfituesit janë familjet e reja, të krijuara si rezultat i martesës së lidhur përpara nëpunësit të gjendjes civile, që përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit, të përcaktuar në tabelën 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3.Për kategorinë e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1,të këtij vendimi, përfituesit përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit, të përcaktuar në tabelën 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, përzgjedhja e tyre do të realizohet sipas sistemit të pikëzimit, të përcaktuar nga vetë institucioni përfitues.
5. Punonjësit e administratës publike përfitues përfitojnë kredi me interes 0%.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Discussion about this post