Prokurori Përparim Vukaj i Prokurorisë së Lezhës u përball të premten më 7 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimet e pasurisë, kriteri i vetëm për të cilin ishte përfunduar hetimi administrativ paraprak. Prokurori Vukaj nuk ishte i panishëm në seancë, por u mbrojt nga përfaqësuesi i tij ligjor, Aleks Hasanika, i cili kundërshtoi balancat negative dhe dyshimet e ngritura nga Komisioni për pasuri të fshehura në emër të familjarëve, duke kërkuar riçeljen e hetimit në të tri kriteret dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Përparim Vukaj.
Procesi i vetingut për Vukaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Përparim Vukaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokuror i Prokurorisë së Shkodrës. Në vitet 2005-2012, Vukaj punoi si prokuror në Prokurorinë e Korçës, ndërsa në vitet 2012-2015 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2015, Vukaj u komandua drejtues në Prokurorinë e Lezhës, ndërkohë që e ushtroi më pas funksionin edhe në Prokurorinë e Fierit.
Subjekti ka pasqyruar në deklaratën “veting” një apartament me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë, me vlerë 15 milionë e 252 mijë lekë, të dhuruar nga i vëllai në vitin 2011\. Nga hetimi ka rezultuar se i vëllai e ka porositur këtë pasuri në vitin 2008 për çmimin 12.2 milionë lekë dhe e ka blerë në vitin 2011 për 13 milionë lekë. Në vijim e ka rivlerësuar për çmimin 15 milionë e 252 mijë lekë.
Relatorja Pine konstatoi se në kontratën e porosisë është përcaktuar se është shlyer çmimi apartamentit dhe për rrjedhojë, analiza financiae është kryer për mundësinë e vëllait të subjektit për blerjen e kësaj pasurie me të ardhura të krijuara deri në 2008-ën, prej nga ka rezultuar bilanc negativ.
Ndërkohë, nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se vëllai i prokurorit Vukaj nuk ka qenë në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës së porosisë, të shitjes dhe as në momentin e nënshkrimit të kontratës së dhurimit.
Bazuar në këto rrethana, Komisioni i vlerëson jo bindëse shpjegimet e subjektit dhe i ka kërkuar që të vërtetojë se apartamenti me sipërfaqe 124 m2, nuk është pasuri e fshehur e tij.
Vëllai i subjektit ka blerë dhe një tjetër apartament në vitin 2012 në Pogradec, kundrejt çmimit 5.5 milionë lekë. Edhe në momentin e blerjes së kësaj pasurie ka rezultuar se ai nuk ka qenë në Shqipëri. Ndërkohë, që është lëshuar një prokurë e posaçme për bashkëshorten e subjektit që të mund ta shiste këtë pasuri, transaksion që është kryer në vitin 2017.
Pine tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me burime e vëllait për blerjen e kësaj pasurie, si dhe për mënyrën se si i ka dërguar në Shqipëri vlerat monetare që kanë shërbyer për shlyerjen e çmimit. Sipas Komisionit, dhe në këtë rast duket se ky apartament është pasuri e fshehur e prokurorit Vukaj.
Bashkëshortja e prokurorit Vukaj ka blerë një apartament me sipërfaqe 68 m2 në Pogradec, kundrejt çmimit 1 milion e 890 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Vukaj ka deklaruar një hua në shumën 1.7 milionë lekë që bashkëshortja ka marrë nga vëllai i saj në vitin 2009, që ka sqaruar se e ka shlyer deri në 2015-ën.
Subjekti ka shpjeguar se vëllai I bashkëshortes ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga aktiviteti i tij privat.
Pine konstatoi se prokurori Vukaj nuk e ka deklaruar këtë pronë nga viti 2009 deri në 2015-ën, megjithëse ai ka pretenduar të kundërtën, duke theksuar se ka deklaruar huanë për blerje apartamenti. Po ashtu, ai ka pohuar para Komisionit se nuk e ka deklaruar pasi nuk e kishte ende në pronësi ligjore.
KPK konstaton se bazuar në referencën e Entit Kombëtar të Banesave, vlera e apartamentit në momentin e blerjes duhej të ishte 2.9 milionë lekë, por subjekti ka pohuar se çmimi është dakordësuar bazuar në zonën ku gjendej dhe në pozicionin e banesës.
Pine tha se ka mbetur i paprovuar burimi të ardhurave të vëllait në momentin e dhënies së huasë dhe për rrjedhojë është konstatuar balancë negative në vlerën 1 milion e 843 mijë lekë për krijimin e shumës 1.7 milionë lekë. Për këtë arsye, KPK ka vendosur që të mos përfshijë në analizën financiare për krijimin e kësaj pasurie shumën e marë hua dhe as vlerat e deklaruara për shlyerjen e këtij detyrimi në vite.
Porokurori Vukaj ka rezultuar me bilanc negativ dhe për blerjen e një garazhi në Tiranë për shumën 1 milion e 664 mijë lekë, si burim krijimi të të cilit ka deklaruar një hua në shumën 1.6 milionë lekë të marrë nga një miku i tij, shtetasi A.P., i cili jeton në Minesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHBA.
Pine pohoi se subjekti nuk ka provuar të ardhurat dhe shpenzimet e huadhënësit, si dhe as mënyrën e transferimit të shumës 1.6 milionë lekë në Shqipëri.
Për rrjedhojë, nuk është konsideruar në analizën financiare huaja dhe ka rezultuar balancë negative në vlerën 1.3 milionë lekë për blerjen e garazhit.
Hetimi për një automjet ka ngritur dyshimet të Komisionit për deklarim të rremë lidhur me çmimin e shitjes së kësaj pasurie. Vukaj ka deklaruar shitjen e një automjeti “Benz” në vitin 2007 për vlerën 650 mijë lekë, çmim që pasqyrohet edhe në kontratën e dorëzuar prej tij. Ndërkohë, kontrata e vendosur në dispozicion të Komisionit nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, megjithëse ka të njëjtin numër, ka çmim shitje shumën 200 mijë lekë. “Duket se ka kryer deklarim të rremë duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia”, pohoi Pine.
Prokurori Vukaj ka rezultuar me bilanc negativ dhe në blerjen e një automjeti “Toyota” në vitin 2008, kundrejt çmimit 3500 euro + 361 mijë lekë detyrime doganore.
Megjithëse subjekti nuk i ka deklaruar burimet e kësaj pasurie, ai ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se për blerjen e makinës në 2008-ën, kanë shërbyer të ardhurat nga shitja e Benzit në 2007-ën.
Pine vërejti se subjekti nuk ka deklaruar gjendje kursimesh në fund të vitit 2007. Sipas saj, edhe nëse do të konsiderohet shuma 200 mijë lekë për shitjen e makinës së mëparshme, sërish prokurori Vukaj do të rezultonte me bilanc negativ. Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi për blerjen e makinës në vitin 2008 në shumën 741 mijë lekë.
Prokurori VUkaj është gjendur në pamundësi financiare dhe për krijimin e dy depozitave në emër të fëmijëve, në vlerën 11, 674 euro secila. Si burime krijimi, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe shuma parash të dhëna nga familjarët.
Komisioni nuk ka pranuar pretendimet e subjektit se bashkëshortja e tij ka krijuar të ardhura nga kurset e zhvilluara gjatë muajve të verës, pasi nuk ka qenë e regjistruar. Po ashtu, nuk janë konsideruar as dhurimet e nënës së tij, pasi ka rezultuar se nuk i mbulonte dot me pensionin e saj. Ndërkohë, nuk janë gjetur bindëse shpjegimet se asaj i kanë dhënë shuma parash fëmijët që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Nga analiza fianciare për depozitat ka rezultuar pamundësi në shumën 939 mijë lekë.
Pine tha se nga analiza financiare e përgjithshme për vitet 2003-2016, subjekti ka rezultuar me balanca negative në disa vite.
Avokati Aleks Hasanika deklaroi se kishin dorëzuar prova dhe shpjegime të detajuara për të gjitha barrat e provës dhe se kishin kërkuar riçelje të hetimit administrativ në të tre kriteret.
Ai vërejti se subjekti kishte veçanti në deklarimet e tij, pasi asnjëherë nuk kishte plotësuar formularin për gjendjen cash në fund të vitit. Sipas Hasanikës, për këtë arsye KPK me të padrejtë nuk kishte konsideruar mundësitë financiare në vite.
“Ju bëni analizën financiare brenda vitit dhe del subjekti me bilanc negativ, se merret ‘0’lekë gjendja në fund të çdo viti. Nuk mund të ekzistojë kjo gjë,” këmbënguli ai.
Lidhur me apartamentin e dhuruar nga vëllai, avokati shpjegoi se ai në fakt e kishte blerë apartamentin për prindërit, të cilët jetojnë me subjektin. Ai deklaroi se vëllait i prokurorit Vukaj jeton në Holandë prej vitit 1998 dhe se ka pasur të ardhura vjetore mbi 40 mijë euro. Sipas tij, edhe në vitin 2008 kur e ka përllogaritur Komisioni pagesën e çmimit të apartamentit, ai ka pasur mundësi financiare.
Edhe për apartamentin e blerë nga i vëllai në Pogradec, pasuri e shitur në 2017-ën, Hasanika paraqiti argumente të ngjashme, duke u shprehur se ai e kishte blerë për të qenë afër prindërve, kur subjekti jetonte së bashku me ta në Pogradec.
Ai kundërshtoi gjetjen e Komisionit bazuar në të dhënat e TIMS, kur vëllai i subjektit rezultonte të mos kishte qenë në Shqipëri për kryerjen e këtyre transaksioneve. Sipas Hasanikës, në rastin kur rezultojnë të dhënat në TIMS, atëherë merren si provë. Sipas tij, në të kundërt nuk mund të konsiderohen pasi jo gjithmonë shënohen, si dhe sistemi shfaq probleme.
Për garazhin shpjegoi se miku i subjektit që jeton në SHBA, kur ka shkuar një herë në Tiranë për vizitë, e ka pasur të vështirë të parkojë pranë shtëpisë së tij dhe në këto kushte kanë diskutuar për mungesën e vendparkimit dhe më pas për huanë.
Ai pretendoi se kanë provuar mundësinë e huadhënësit për shumën 1.6 milionë lekë dhe sqaroi se subjekti nuk kishte se si ta pyeste në atë kohë se kur i kishte sjellë në Shqipëri. Sipas avokatit, huadhënësi mund ta kishte pasur të ruajtur atë shumë dhe tek familja në Fier.
Hasanika kundërshtoi konstatimin për mungesën e të ardhurave të kunatit të subjektit që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Pogradec. Ai tha se vëllai i bashkëshortes së Vukajt është pronar i bar “Oslo” dhe ka të ardhura të konsiderueshme.
Hasanika këmbënguli se subjekti kishte kryer deklarim korrekt për automjetin e llojit “Toyota” në vitin 2008 si dhe për shitjen e “Benzit” në vitin 2007, përfshi dhe për vlerën e shitjes.
Ai theksoi se bilanci negativ ka ardhur si pasojë e moskonsiderimit të mundësisë së kursimit në fund të vitit 2007, për shkak të mosdeklarimit të gjendjes cash. Ai vërejti se subjekti ka pasur dhe gjendje page në bankë dhe se kjo nuk mund të mohoet si e ardhur.
Lidhur me depozitat në emër të fëmijëve të subjektit, avokati argumentoi se vlerat e dërguara prindërve të subjektit nga fëmijët që janë jashtë shtetit duhet të konsiderohen. Sipas tij, prindërit kanë qenë pjesë e familjes së subjektit dhe ato dhurime kanë qenë të ardhura për të gjithë ekonominë familjare.
“Provat tregojnë se ka pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e të gjitha pasurive. Pasaktësitë në deklarime kanë qenë të paqëllimshme, nuk ka pasur qëllim fshehje. Analiza juaj është e pabazuar, duke mos konsideruar as vlerat që kanë qenë në bankë,” pohoi ndër të tjera avokati Hasanika dhe solli në vëmendje të Komisionit vendime të KPA-së, që sipas tij arsyetonin për situata të ngjashme.
Në përfundim avokati Hasanika kërkoi riçeljen e hetimit në të tre kriteret dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Përparim Vukaj.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 10 korrik, në orën 09:45. /BIRN/
Discussion about this post