Studentja Iris Kola, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, ka folur për vijimësinë e protestës studentore, përballjen me policinë dhe mundësinë e krijimit të një lëvizjeje më të gjerë politike.
Duke komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me disa studentëve që nuk janë pjesë e protestës, Kola pretendoi se bëhet fjalë për fëmijë zyrtarësh dhe anëtarë të FRESSH-it, duke përmendur edhe një student që, sipas saj, mund të konsiderohet si vegël e rektorit.
Studentja u ndal edhe te mundësia e dialogut me qeverinë, duke kujtuar protestën e vitit 2018. Sipas saj, përvoja e studentëve të asaj kohe ua ka bërë të qartë se dialogu nuk duhet pranuar.
“Nuk do të arrijnë ta fikin dot zjarrin që është ndezur. Ne e kemi mposhtur frikën, guximi është i tejskajshëm, sidomos kur jemi përballë policisë. Rama dështoi me sukses që të përçante protestën. Studentët që ishin atje janë fëmijë zyrtarësh, anëtarë të FRESSH-it. Njëri prej tyre madje mund të konsiderohet si vegël e rektorit.
Studentët e vitit 2018 na e kanë bërë të qartë që dialogun nuk duhet ta pranojmë”, tha ajo.
Sa i përket krijimit të një organizimi të ri politik, Kola tha se personalisht nuk beson se duhet të jetë pjesë e një nisme të tillë në këtë fazë. Ajo theksoi se studentët janë në frontin e protestës dhe se çdo zhvillim duhet të vijë në kohën e vet, pasi aktualisht nuk beson se ekziston kapaciteti për të krijuar një lëvizje politike gjithëpërfshirëse.
Ajo shtoi se në shumë universitete procesi mësimor vijon normalisht, por sipas saj, një pjesë e studentëve ende nuk e kuptojnë fuqinë që kanë për të sjellë ndryshimin.
Në fund, Kola u shpreh se mbështetja për protestën është e gjerë dhe paralajmëroi se studentët do të vijojnë qëndresën në Tiranë, sidomos në datën 28 nëntor.
gijotina.com/









Discussion about this post