Policia e Shtetit ka mobilizuar mbi 2 mijë efektivë për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme në kryeqytet. Tubimi zhvillohet në ditën e 19-të të protestave studentore, ndërsa Partia Demokratike ka konfirmuar mbështetjen e saj për protestuesit.
Forca të shumta policore janë dislokuar në zona të ndryshme të Tiranës, me përqendrim të veçantë pranë godinës së Kryeministrisë, ku janë marrë masa të përforcuara sigurie.
Në pjesën e pasme të Kryeministrisë janë pozicionuar efektivë policie, ndërsa në gatishmëri qëndrojnë automjetet me ujë me presion dhe njësitë e ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me mjete speciale.
Në planin e sigurisë marrin pjesë efektivë të forcave “Shqiponja”, Forcave Kombëtare të Sigurisë, punonjës të komisariateve të Tiranës dhe agjentë civilë.
Autoritetet kanë parashikuar gjithashtu përdorimin e dronëve dhe kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë për monitorimin e tubimit, identifikimin e personave dhe dokumentimin e shkeljeve të mundshme ligjore.
Protesta zhvillohet në kushtet e zbatimit të aktit të ri normativ për tubimet, i cili zgjeron kompetencat e policisë dhe përcakton masa administrative ndaj personave që shkelin rregullat.
Sipas dispozitave të këtij akti, gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të natyrës së shkeljes. Masat përfshijnë edhe rastet e mosbindjes ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit, si dhe mbulimin e fytyrës.










Discussion about this post