GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

PS po cënon standardet e parlamentarizmit! Nismat ligjore të opozitës përfundojnë në kosh

09:15 - 16/02/26
në Aktualitet, Politikë
Kohë leximi: 7 min
A A
Gjyqi në Hagë, Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Kuvendi mori në shqyrtim në janar disa ndryshime në Kodin Penal, për të cilat opinioni publik ishte përgatitur se do të sillnin heqjen e ‘shpifjes’ si vepër penale, pas një konsultimi të gjatë të dy forcave politike kryesore me shoqërinë civile dhe një premtimi publik të kryeministrit Edi Rama.

Por kur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e paraqiti propozimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ajo u përball me refuzimin e mazhorancës socialiste, ndërsa qeveria kishte sjellë një version të ri formulimesh që nuk e dekriminalizonin shpifjen tërësisht, por vetëm për një kategori të caktuar gazetarësh.

Një situatë e ngjashme u përsërit në fillim të muajit shkurt në të njëjtin komision dhe me një nismë ligjore të deputetes tjetër të PD-së, Ina Zhupa, e depozituar që në nëntor në Kuvend, me qëllim korrigjimin e pasojave të një vendimi qeverie të vitit 2024 për pagat e mësuesve, që çoi në ulje pagash për më shumë se 11 mijë mësues të diplomuar para implementimit të sistemit të Bolonjës për diplomat.

“Nuk jemi kundër, por nisma duhet të vijë e mirëstudiuar, e konsultuar dhe me Këshillin e Ministrave”, i tha kryetari i komisionit, Ulsi Manja, pa nisur ende shqyrtimi i propozimit dhe shtoi se nisma do të ndërmerrej nga mazhoranca.

Ai e hodhi në votim projektligjin pa e shqyrtuar dhe me votat e shumicës u rrëzua.

E revoltuar, Zhupa replikoi se rrëzimi i nismës nga mazhoranca nuk ishte i argumentuar dhe lidhej vetëm me faktin që vinte nga një deputete e opozitës.

“Doni të na hiqni të drejtën për të propozuar”, tha ajo.

Ndërkohë, një nismë e ngjashme ligjore me atë të Zhupës, që synon po ashtu korrigjimin e pagave të mësuesve, është depozituar në Kuvend në shkurt nga deputetja socialiste Evis Kushi.

Këto raste janë vetëm shembuj të një sjelljeje të vazhdueshme të shumicës socialiste në disa sesione parlamentare, ku statistikat zyrtare tregojnë se si qindra nisma ligjore që vijnë nga deputetë të partive opozitare në Kuvend ose futen në ‘kalendat greke’ të Kuvendit, në shkelje të procedurave parlamentare të shqyrtimit të tyre, ose rrëzohen pa një debat publik parlamentar dhe, në raste të tjera, dublikohen me nisma të ngjashme që mbajnë firmën e qeverisë ose deputetëve socialistë.

Tabaku, propozuese e 12 nismave ligjore gjatë jetës së saj parlamentare në disa legjislatura, i tha BIRN-it se ajo e shihte këtë sjellje të mazhorancës si pengesë të hapësirës për opozitën për të operuar, por edhe si një nënvlerësim të punës së deputetëve.

“Ky ngushtim i hapësirave institucionale në rolin vendimmarrës të parlamentit e redukton rolin e parlamentit”, tha ajo.

Në 12 nisma ligjore të propozuara prej saj ndër vite, vetëm një nismë që lidhej me rolin e Kuvendit në integrimin europian është miratuar nga mazhoranca, ndërsa nismat e tjera, edhe kur janë përkrahur parimisht, gjithsesi janë rrëzuar nga PS, ndërsa ka pasur raste, sipas saj, që disa dispozita ligjore “janë marrë nga ana e qeverisë dhe janë adoptuar në ligje”.

“Duke pasur parasysh që ka grupe të papërfaqësuara që nuk preken nga qeveria, si minatorët, prodhuesit e birrës, prodhuesit fason dhe gratë që kujdesen për fëmijë me sindromën Down, me spektrin autik, jam përpjekur t’i sjell si iniciativa ligjore, por megjithëse ato nuk bien ndesh me programin e qeverisë dhe janë në përputhje me procesin e integrimit, ka qenë e pamundur që këto të procedohen apo të miratohen me ligj”, shpjegoi Tabaku.

Shmangia e opozitës nga procesi vendimmarrës

Statistikat e Kuvendit

E drejta për të propozuar ligje i takon Këshillit të Ministrave, çdo deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve, ndërsa Rregullorja e Kuvendit ka përcaktuar disa kritere që duhet të plotësojnë nismat, duke nisur nga përputhshmëria e tyre me Kushtetutën, harmonizimin me legjislacionin në fuqi dhe legjislacionin e Bashkimit Europian, synimin, ndikimin ekonomik etj.

Pas depozitimit të tyre, procedura parashikon shpërndarjen tek të gjithë deputetët, publikimin e tyre në faqen e Kuvendit dhe më pas, në përputhje me kalendarin dhe programin e punës, futjen për shqyrtim në komisione, ndërsa hapi i fundit është votimi në seancë plenare.

Rregullorja nuk ka afate kohore për shqyrtimin dhe votimin e një nisme ligjore, përveç rasteve kur Konferenca e Kryetarëve vendos që ato të kalojnë në procedurë të përshpejtuar.

Por mungesa e këtyre afateve kohore është përdorur nga mazhoranca socialiste për të ‘varrosur’ në sirtarët e Kuvendit qindra nisma të opozitës.

Në sesionin e fundit të legjislaturës së kaluar parlamentare, sipas një dokumenti parlamentar, rezultojnë në procedurë 232 ligje të propozuara nga deputetë të PD-së dhe 21 nisma të propozuara nga qytetarët, shumica të mbartura nga sesionet e mëparshme. Gjatë 8 sesioneve të kësaj legjislature, të dalë nga zgjedhjet e 2021-it, u miratuan 328 ligje, nga të cilët vetëm dy nisma të propozuara nga opozita kanë mundur të miratohen nga Kuvendi.

Me nisjen e legjislaturës së re në shtator, deputetët e opozitës kanë depozituar disa nisma ligjore që janë të reja ose rikthim i propozimeve që kanë mbetur pa shqyrtim në legjislaturën që shkoi.

Tre projektligje të opozitës u futën në rend dite dhe më pas u tërhoqën nga seanca plenare e së enjtes, pasi ishin rrëzuar me forcën e kartonave të PS-së, pa një debat real dhe gjithëpërfshirës në komisione. Nismat janë propozime për ndryshime në ligjin “Për akcizat”, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Ky i fundit është një nismë e deputetes Ina Zhupa që synon të rikthejë administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore si ekskluzivitet i shtetit, pas një reforme të qeverisë që delegoi administrimin e tyre në fondacione private.

“Kjo nismë ka 3 vite që është depozituar në Kuvend dhe nuk e futën në shqyrtim”, i tha Zhupa BIRN-it, duke akuzuar mazhorancën për një zvarritje të qëllimshme të procedurave parlamentare kur vjen puna për nismat e opozitës.

Dy nismat e tjera propozojnë uljen në 5 për qind të TVSH-së për artikujt bazë ushqimorë dhe mbanin firmën e katër deputetëve të Partisë së Lirisë, si dhe uljen e akcizës për prodhuesit e vegjël vendas të birrës, propozim i deputetëve Jorida Tabaku dhe Eno Bozdo nga PD.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila është propozuese në një prej dy ligjeve të opozitës të miratuara nga Kuvendi, atë për regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, një propozim i hershëm i shoqërisë civile që mbahej pezull në Kuvend, i tha BIRN-it se çdo tentativë e opozitës pengohej në mënyrë të vazhdueshme nga mazhoranca.

“Nismat e deputetëve nuk futen normalisht në proces legjislativ, sikundër ndodh me projektligjet që vijnë nga qeveria, që futen me urgjencë dhe brenda javës kalojnë në komisione dhe seancë plenare,” tha ajo.

“Nismat e deputetëve të opozitës futen me shumë vonesë, nga 6 muaj, 1-2 vite apo edhe nuk futen fare në proces legjislativ, sikundër ka ndodhur me projektligjin tonë për ndryshimet e Kodit Penal për mbrojtjen e fëmijëve në legjislaturën e kaluar, të cilat nuk u futën fare në shqyrtim”, shtoi Xhixho.

Ndërkohë që, sipas saj, “edhe kur futen në shqyrtim, ato janë thjesht një kalim formal në proces legjislativ, edhe pse këmbëngulja jonë është që ta amendojnë, ta përshtatin edhe me propozimet e tyre, por problematikat të adresohen, pasi kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve”.

Probleme me rolin e parlamentarizmit

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e mandatit të tij të katërt gjatë votimit në parlament. Foto: LSA.

Nismat ligjore, qoftë nga qeveria apo nga deputetët, duhet të ndjekin një praktikë parlamentare që nis me konsultimin publik në faqen e Kuvendit, vijon me diskutimin në komisionet parlamentare, ku deputetët relatorë bëjnë analizën dhe vlerësimet, diskutimin me grupet e interesit, amendimin e nismës në rastet e propozimeve shtesë dhe vetëm si hap i fundit votimin në seancë plenare.

Për organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë punën e Kuvendit, këto hapa nuk ndiqen sipas standardeve parlamentare, ndërsa refuzimi i rolit të opozitës në procesin vendimmarrës është arbitrar.

“Nëse mazhoranca do të pyetej se nga qindra propozime të opozitës sa prej tyre janë marrë në shqyrtim dhe sa janë miratuar, rezultati është zero dhe një parlament që nuk merr asnjëherë parasysh, për asnjë rast dhe për asnjë arsye, asnjë propozim të partive opozitare do të thotë se ka një problem themelor me konceptin e parlamentarizmit dhe me keqkuptimin e rolit që duhet të ketë një parlament”, i tha BIRN-it Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

Sipas tij, një parlament është vendimmarrës kur të gjitha palët propozojnë dhe miratohet varianti më i mirë, jo kur të gjitha palët propozojnë dhe miratohet gjithmonë varianti i një pale.

Kundërshtimi i nismave të opozitës mund të jetë i kuptueshëm, sipas Krasniqit, në rastin e buxhetit të qeverisë, pasi shihet si një akt politik dhe ka propozime të cilat bien në kundërshtim me programin e mazhorancës.

“Por brenda këtyre ka pasur propozime që kanë qenë të arsyeshme, për çështje që nuk kanë qenë të përfshira në programin e qeverisë, ose çështje të injoruara apo të lidhura me komunitete të caktuara që nuk kanë përfaqësim parlamentar dhe parlamenti do të duhej t’i kishte marrë të paktën në shqyrtim. Por kjo s’ka ndodhur, janë marrë në shqyrtim vetëm në aspektin teknik dhe pastaj janë rrëzuar”, shton ai.

Krasniqi vë në dukje edhe problematika të tjera në rolin vendimmarrës të Kuvendit, si mungesa e mekanizmave për të krijuar një debat publik për nismat e deputetëve, që njerëzit të kuptojnë se çfarë propozojnë deputetët dhe cilat janë kostot financiare të tyre, si dhe kalimin me procedurë të përshpejtuar të nismave të qeverisë.

“Edhe alibia që duhet të marrim urgjent masa për arsye të integrimit nuk vlen, sepse integrim do të thotë të bësh ligje cilësore dhe jo të miratosh ligje me procedurë të përshpejtuar”, thekson ai, duke i parë këto elemente si nevojë për reflektim nga ana e Kuvendit, bazuar edhe në kritikat e raporteve të Bashkimit Europian, “ku kritikohen limitet e parlamentit dhe parlamentarizmit për ushtrimin e funksionit të vet dhe qasjen kritike që ka ndaj standardeve të llogaridhënies dhe transparencës publike”.

Etiketa: koshKryesore1nismaOpozita

Lajme të lidhura

Këlliçi: Rama po e lëshon Ballukun për të blerë pak kohë, por edhe fundi i tij është i ditur
Aktualitet

Këlliçi-Ramës: 35 vite pas rrëzimit të diktaturës, nuk do të lejojmë Bllok të ri në Tiranë

10:53 - 16/02/26
Berisha nga SPAK: Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por me revoltë qytetare
Aktualitet

Berisha nga SPAK: Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por me revoltë qytetare

10:44 - 16/02/26
Kërkesa për arrestimin e Ballukut nga SPAK, ja kur do të mblidhet Këshilli i Imunitetit
Aktualitet

Kërkesa për arrestimin e Ballukut nga SPAK, ja kur do të mblidhet Këshilli i Imunitetit

10:36 - 16/02/26
Para
“Belindën nuk e japim!”, Rama mbledh grupin socialist: 7 institucione nuk do preken nga pezullimi i detyrës

“Belindën nuk e japim!”, Rama mbledh grupin socialist: 7 institucione nuk do preken nga pezullimi i detyrës

Discussion about this post

TË FUNDIT

Këlliçi: Rama po e lëshon Ballukun për të blerë pak kohë, por edhe fundi i tij është i ditur
Aktualitet

Këlliçi-Ramës: 35 vite pas rrëzimit të diktaturës, nuk do të lejojmë Bllok të ri në Tiranë

10:53 - 16/02/26

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj nismës së paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për ndryshime në...

Lexo më shumë
Berisha nga SPAK: Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por me revoltë qytetare

Berisha nga SPAK: Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por me revoltë qytetare

10:44 - 16/02/26
Kërkesa për arrestimin e Ballukut nga SPAK, ja kur do të mblidhet Këshilli i Imunitetit

Kërkesa për arrestimin e Ballukut nga SPAK, ja kur do të mblidhet Këshilli i Imunitetit

10:36 - 16/02/26
Trump uron Osmanin për Pavarësinë e Kosovës: Mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial

Trump uron Osmanin për Pavarësinë e Kosovës: Mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial

10:19 - 16/02/26
‘I kam refuzuar dorëheqjen Ballukut’, Rama: Nuk ka prokuror dhe gjykatës që t’i diskutojë vendimet tona

‘I kam refuzuar dorëheqjen Ballukut’, Rama: Nuk ka prokuror dhe gjykatës që t’i diskutojë vendimet tona

09:58 - 16/02/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com