Ideja skandaloze e qeverisë për të dhënë me koncesion Butrintin duket se po shkon drejt miratimit. Çdo ditë në Komisionin e Edukimit, ku po diskutohet ky projektligj, ka debate dhe opozita kërkon anulimin e tij. Por, nga ana tjetër ministrja e Kulturës Elva Margariti gënjen hapur qytetarët dhe mundohet të fsheh me argumente boshe, abuzimin që po bëhet përmes këtij projektligjit.
Pikërisht, fshehja sa më mirë e skandali ka qenë puna që ka bërë sot në komision ministrja. Pas përplasjes së fortë me deputeten e PD-së, Ina Zhupa për këtë çështje, ajo iu përgjigj pyetjeve të deputetit të PS-së, Petro Koçi, njëherësh nënkryetar i komisionit. “E konsideroj këtë Sekretin tregtar si një nga gjërat më negative të botës, se nuk është shqiptare. Pse marrëveshja është konfidenciale?”, pyeti Koçi.
Ndërsa ministrja i është përgjigjur se para së të arrihet në këtë pikë janë bërë këshillimet, konsultimet e duhura me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe me ekspertë. Në fakt në asnjë moment ajo nuk përmendi ndonjë ekspert, apo ndonjë institucion që ka marrë pjesë në këto konsultime, madje as nuk foli për ndonjë rezultat të tyre. Më pas ajo u pyet sepse kontrata nuk bëhej publike dhe ministrja ka dhënë një përgjigje gare qesharake, duke thënë se plani i biznesit mund të keqinterpretohej në komisionet e kuvendit të Shqipërisë, prandaj dhe mbahet sekret.
Por, në fakt mbajtja sekretet e kontratës dhe e vlerës financiare që do të investohet në një objekt të mbrojtur nga UNESCO ndodh vetëm në Shqipëri, kurrë më parë nuk është dëgjuar në asnjë vend tjetër të botës. Madje ne jemi edhe rasti i parë që një trashëgime të tillë kulturore ja kalojmë privatit dhe aq më keq një kompanie të huaj. Por sigurisht që të gjithë këto tregojnë se qeveria po kërkon të fsheh skandalet që përmban kjo kontratë, prandaj dhe e mbanë atë të fshehtë.
Kompania “fantazmë”
Qeveria shprehet se po i jep për menaxhim Butrintin një firme të huaj, në mënyrë që ajo të rrisë investimet dhe të marrim më të mirën nga ky objekt kulturor. Ndërsa faktet tregojnë se kompania koncesionare qenka në hall për vete sa i përket të ardhurave, të paktën atyre të deklaruara. Konkretisht, kompania e privilegjuar është firma angleze “Prince+Pearce”, e cila tashmë e ka shpallur në websiten e vet kontratën e lidhur ku citojmë se thuhet:
“Që nga Tetori 2018 ( P + P) ka punuar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, për të përgatitur Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit. P + P po udhëheq një ekip ekspertësh në fushat e arkeologjisë Greko-Romake, historisë natyrore dhe biodiversitetit, turizmit dhe infrastrukturës, menaxhimit të trashëgimisë kulturore, planifikimit të biznesit dhe operacionit, muzeologjisë dhe interpretimit”.
Por, ajo që bie në këtë rast është fakti, që as nga kompania as nga qeveria jone nuk përmendet vlera financiare e saj, që të dimë nëse ka kapacitet për të administruar dhe investuar për Butrintin. Sipas të dhënave të opencorporates.com, “Prince and Pearce” zotërohet nga David Robert Prince dhe Simon Francis James Pearce, shtetas anglezë, ndërsa të dhënat e tyre financiare janë updatuar së fundmi në gusht të vitit 2016. Skandali thellohet, teksa rezulton se kompania angleze e cila ka ndërruar emër 2 herë, në fund të gushtit 2016 ka pasur në llogari bankare vetëm £1,692.
Ndër të tjera rezulton se kjo kompani në vitin 2016 ka xhiruar rreth 20 mijë paund ndërsa rezulton se ka të punësuar vetëm 2 punonjës në kompaninë e cila ka marrë përsipër të menaxhojë parkun arkeologjik më të madh në Ballkan. Ende nuk është e qartë se si kjo kompani nga 2016 bëri një kapërcim ‘magjik’ në 2018-n duke u shndërruar në një partner të besueshëm për sytë e qeverisë tonë e cila tashmë i ka lënë në duar Parkun e Butrintit. Sipas shifrave të 2 viteve të kaluar llogaritet se Butrintin e vizituan rreth 300 mijë turistë në vit. Duke bërë një llogari të thjeshtë sipas çmimit të biletës rreth 10 mijë lekë të vjetra, të ardhurat janë lehtësisht të llogaritshme. Por sipas burimeve kompania fituese ka përllogaritur të ketë një fitim rreth 5 milion euro (gjithmonë nëse zotëruesit i vërtetë të një koncesioni të tillë janë 2 zotërinjtë e moshuar anglezë). Dhënia me koncesion e Butrintit, ndonëse kaloi pa u vënë re për shkak të zhurmës së madhe që ngrenë jo pa qëllim aktorët politik si dhe situatës shqetësuese të COVID 19, është kundërshtuar dhe nga studiues apo profesionistë të fushës.
Arkeologët e kundërshtojnë
Arkeologët në vend e kundërshtojnë këtë vendim të qeverise, sipas ty është absurde që të jepet me koncesion Butrinti, ndërsa theksojnë se qeveria gënjen kur thotë se është konsultuar për projektin. Një ndër ta është arkeologu Neritan Ceka, i cili ka thënë gjatë një interviste televizive se qeveria ka ngritur një skemë jo konkrete, me një kompani që nuk është e aftë të menaxhojë një trashëgimi kulturore si Butrinti. Madje thotë se vendi ynë nuk ka institucione që mund të bëjnë vlerësimin e duhur për këtë rast.
“Për cilët specialistë trashëgimie e keni fjalën, sepse Ministria e Kulturës nuk ka sot asnjë specialist? Ministria e Kulturës ka vetëm zyrtarë të emëruar nga hiçi, duke filluar nga drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, me drejtoritë rajonale që nuk janë specialistë. Ka një sistem prej gati 100 vetash dhe nuk ka asnjë doktor shkencash, nuk ka asnjë që bën tema, nuk ka asnjë që shkruan artikuj.
Kjo shitet shumë lehtë tani në sitet e këtyre institucioneve, ku paraqiten përfaqësues të Fondacionit Amerikan Shqiptar, që e paraqesin projektin e tyre para asaj drejtoreshe dhe tre personave që nuk i njeh askush të jenë marrë ndonjëherë me arkeologjinë, pa lëre me Butrintin. Është e turpshme kjo skenë që na diskrediton para gjithë atyre që prej dekadash kanë punuar në Butrint, duke përfshirë edhe kolegët anglezë dhe italianë. Për më tepër draft projekti i është dhënë një studioje që quhet “Prince + Pearce”, e cila deri tani ka bërë vetëm një projekt për Volorekën. Për të thënë se sa bujarë janë, e vendosin vetë çmimin në 250 mijë dollarë”, është shprehur ai. E pra, sikur duket Butrinti po shitet dhe nuk ekziston asnjë kontratë e ligjshme për administrimin e tij nga të huajt. E.H/Gijotina.com
Discussion about this post