Të gjithë kanë një rrëfim kombëtar, të ndërtuar nga fakti, fakti i kujtuar ke dhe miti. Njerëzit i tregojnë vetes histori për të kaluarën e tyre, për t’i dhënë një kuptim konfuzionit të së tashmes. Ata i rishkruajnë historitë e tyre brez pas brezi për t’i përshtatur me realitetet e reja. Anashkalojnë, harrojnë ose rikrijojnë plotësisht episodet që janë të pakëndshme ose të turpshme.
Këto histori kanë rrënjë të thella. Ato ushqejnë patriotizmin tonë. Ato na ndihmojnë të kuptojmë se kush jemi, nga vijmë, kujt i përkasim. Ata që na qeverisin, u besojnë atyre jo më pak se ne. Ato na mbajnë së bashku në një ‘Komb’ dhe na frymëzojnë të sakrifikojmë jetën tonë, në emër të tij.
Britanikët kanë “Historinë e tyre të ishullit”, të përparimit të paanshëm nga Magna Carta drejt pushtetit, lirisë dhe demokracisë, të shënuar nga fitoret e shkëlqyera mbi francezët: Winston Churchilli e shkroi këtë në veprën e tij madhështore “Historia e popujve anglishtfolës”. Anglezët fituan, shfrytëzuan dhe më pas humbën tre perandori në 600 vjet. Pasardhësit e nënshtetasve të tyre perandorakë mendojnë për ta si të pangopur, brutalë, dinakë dhe hipokritë. Ata nuk mendojnë aspak kështu për veten e tyre.
Por ‘Kombi’ është një gjë e rrëshqitshme. Kombet janë si ameba. Ato dalin nga thellësia e historisë. Ato vërtiten e vërtiten. Ato ndahen përmes ndarjeve binare, rikombinohen në konfigurime të ndryshme, thithin fqinjët e tyre ose thithen prej tyre dhe më pas zhduken. Lufta, politika, martesat dinastike, referendumet popullore i zhvendosin krahinat nga njëra anë e një kufiri në tjetrën. Njerëzit e zakonshëm mund të lindin në një vend, të rriten në një tjetër dhe të vdesin në një të tretë, pa u larguar fare nga qyteti i tyre.
Pyesni një francez që ka lindur në Alsace-Lorraine në vitin 1869. Pyesni një hebre austriak i cili ka lindur në kufirin e Sllovakisë dhe Hungarisë në vitin 1917. Pyesni një polak që ka lindur para Luftës së Dytë Botërore në atë që tani është qyteti ukrainas i Lvivit, i cili që nga themelimi si Levhorod në shekullin e trembëdhjetë, ka qenë i njohur për sundimtarët e vet polakë, austriakë, gjermanë dhe rusë si Lwów, Lemberg dhe Lvov.
Pak prej shteteve të Evropës së sotme ekzistonin para Luftës së Parë Botërore. Kur Kolombi zbuloi Amerikën, Gjermania, Italia, Rusia dhe madje edhe Franca dhe Britania ishin ende të fragmentuara dhe Bashkimi Polako-Lituanez ishte rrugës për t’u bërë shteti më i madh në Evropë.
Ideja e ‘Evropës’ është në vetvete një konstruksion artificial, një përpjekje për të sjellë nën të njëjtën çati, një koleksion vendesh në skajin perëndimor të masës tokësore euro-aziatike, secili shumë i ndryshëm nga të tjerët, duke filluar nga Islanda në Rumani, nga Norvegjia në Greqi, nga Spanja në Estoni, të lidhur mes tyre nga një traditë e krishtërimit dhe një histori vrastare e persekutimit të brendshëm, rebelimit të përgjakshëm dhe konfliktit të dhunshëm fetar brenda vendit, luftës së pafund për pushtet dhe plaçkë, gjenocid, skllavëri dhe brutalitet perandorak jashtë vendit.
Sipas këtyre standardeve dëshpëruese, rusët kanë po aq të drejtë të pretendojnë se janë evropianë, sa edhe çdokush tjetër. Pjesërisht për shkak të shtrirjes së madhe drejt lindjes në Azi, rusët dhe të huajt megjithatë pyesin nëse Rusia është pjesë e Evropës. Shumë nga fqinjët e tyre të afërt i konsiderojnë ata barbarë aziatikë dhe tregojnë me zemërim vuajtjet që rusët u kanë shkaktuar atyre nëpër shekuj. Napoleoni kishte të drejtë, mendojnë ata, kur supozohet të ketë thënë: “Gërvish një rus dhe do të gjesh një tartar”.
Më shumë se një mijë vjet më parë, një popull u ngrit në territorin e Rusisë së sotme, origjina e të cilit është e diskutueshme. Ata adoptuan versionin ortodoks të krishtërimit nga Bizanti, duke u dalluar kështu në mënyrë të pakthyeshme nga të tjerë në Evropë që zgjodhën katolicizmin romak. Ata zhvilluan gjuhën e tyre sllave. Krijuan ‘Kievan Rus’, i cili për një kohë ishte shteti më i madh dhe një nga shtetet më të sofistikuara. Prej këtu e gjurmojnë origjinën e tyre rusët, ukrainasit dhe bjellorusët e sotëm.
Por Kievan Rus u pushtua dhe u shkatërrua në shekullin e trembëdhjetë nga mongolët. Fragmentet e tij të copëtuara u bashkuan sërish gjatë shekujve të mëpasshëm, nën emrin e Muscovy marrë nga qyteti verior deri atëherë i parëndësishëm i Moskës. Shteti i ri u godit nga grindjet e brendshme, katastrofa ekonomike dhe pushtimi polak. Më pas, u rimëkëmb dhe Pjetri i Madh dhe pasardhësit e tij e transformuan në një Fuqi të Madhe perandorake, një forcë dominuese në politikën evropiane. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë Rusia ndihmoi në përcaktimin e natyrës së kulturës moderne evropiane.
Ekzistenca e Rusisë u sfidua sërish seriozisht nga Napoleoni, nga gjermanët dhe si rezultat i plagëve që rusët i shkaktuan vetes në shekullin e njëzetë. Stalini e futi Rusinë përsëri në hartë, transformoi ekonominë dhe fitoi luftën kundër Gjermanisë, të gjitha me një kosto të tmerrshme njerëzore. Pastaj në 1991 perandoria u shpërbë. Rusia u zhyt përsëri në varfëri, inkoherencë dhe rëndësia e saj ndërkombëtare ra. Për shumë rusë, ishte Vladimir Putini, të cilin e zgjodhën president në vitin 2000, ai që i shpëtoi nga poshtërimi i padurueshëm dhe e riktheu Rusinë në vendin e saj të merituar në botë.
Eduard Gibbon ka thënë se “Historia është pak më shumë se regjistri i krimeve, marrëzive dhe fatkeqësive të njerëzimit.” Rusët, ashtu si ne të tjerët, preferojnë të besojnë se historia e tyre ka përparuar në një vijë të drejtë dhe pozitive. Ata i shpjegojnë ngjarjet shqetësuese – të tilla si mbretërimet brutale të Ivanit të Tmerrshëm apo Stalinit – si faza të nevojshme në rrugën drejt madhështisë.
Rusët janë magjepsës, gjenialë, krijues, sentimentalë, zemërbutë, bujarë, kokëfortë, të guximshëm, pafundësisht të ashpër, shpesh dinakë, brutalë dhe të pamëshirshëm. Rusët e zakonshëm besojnë me vendosmëri se janë më të ngrohtë se të tjerët, më besnikë ndaj miqve të tyre, më të gatshëm të sakrifikohen për të mirën e përbashkët, më të përkushtuar ndaj të vërtetave themelore të jetës. Ata i japin meritë shpirtit rus, aq i gjerë dhe gjithëpërfshirës sa vetë toka ruse. Ndjenja e tyre pasionante për madhështinë e Rusisë minohet në mënyrë paradoksale nga një pesimizëm themelor dhe gërryes. Dhe zbutet nga pakënaqësia që vendi i tyre nuk kuptohet dhe respektohet sa duhet nga të huajt.
Realiteti rus ngjyroset nga fenomeni shqetësues dhe i rrënjosur thellë i “vranyo”-s. Ai është i ngjashëm me “shpirtin” irlandez, por i mungon ngjyrimi i sharmit prej 99-shash. Individët, zyrtarët, qeveritë thonë gënjeshtra nëse besojnë se kjo u shërben interesave të tyre, apo të shefave të tyre, organizatës së tyre apo shtetit. Ata e bënin këtë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, kur tregtarët anglezë i këshillonin kolegët e tyre që të ujditë me rusët t’i bënin vetëm me shkrim, “sepse ata janë njerëz dinakë, dhe jo gjithmonë flasin të vërtetën dhe mendojnë se njerëzit e tjerë janë si ata”. Ata po e bëjnë sot.
Atyre pak u bëhet vonë nëse bashkëbiseduesi i tyre është i vetëdijshëm që ata gënjejnë, megjithëse kjo nuk i ndalon qeveritë ruse të ndëshkojnë ata që ua sfidojnë të vërtetën e tyre. Rusët e zakonshëm mund ta kenë më të lehtë të besojnë atë që u thotë qeveria. Por ka kufij. Neveria ndaj gënjeshtrës shtyn shumë nga personazhet në romanet e Dostojevskit drejt rrëfimeve ekstravagante. Gënjeshtra sistematike e zyrtarëve dhe ideologëve sovjetikë ishte një temë e vazhdueshme e shkrimtarëve disidentë si Alexander Solzhenistyn.
Teksa neveria u rrit edhe mes njerëzve të zakonshëm, ajo ndihmoi në rrëzimin e regjimit sovjetik.
Churchilli thoshte se Rusia është një enigmë e mbështjellë me një mister brenda një gjëegjëze. Kjo është bërë një justifikim për dembelizmin intelektual. Por të kuptuarit e Rusisë është një sfidë dhe duhet të fillosh duke u përpjekur të shkëputësh faktet nga mitet e krijuara si nga vetë rusët, ashtu edhe nga ata që nuk i pëlqejnë.
Encyclopædia Britannica e përshkruante Rusinë në vitin 1782 si një “mbretëri shumë e madhe dhe e fuqishme e Evropës, e qeverisur nga një despotizëm total dhe e banuar nga njerëz të egër dhe të dehur”. Markezi de Custine, një reaksionar francez thellësisht në kontrast me shoqërinë e tij, vizitoi Rusinë për një kohë të shkurtër në vitin 1839. Libri që ai shkroi, “La Russie en 1839”, ishte shumë inteligjent, perceptues, i zgjuar, i njëanshëm dhe thellësisht sipërfaqësor.
Ai shihte pak nga shoqëria ruse përveç aristokracisë, e cila, sipas tij, kishte mjaftueshëm shkëlqimin e qytetërimit evropian për t’u ‘trajtuar si egërsira’, por jo aq sa për t’u kultivuar. Ata ishin si ‘arinj të stërvitur që të bëjnë të dëshiroje të egrit’. Libri i Custine ishte lexim i detyrueshëm në ambasadën amerikane në Moskë në vitet 1960. Ai pasqyron qëndrimet e shumë vëzhguesve të huaj sot. Nuk është pikënisja më e mirë për çdo përpjekje për të kuptuar Rusinë.
Disa argumentojnë se kurrë nuk ka pasur një gjë më koherente sa shteti kombëtar rus. Megjithatë, shumica e rusëve duket se kanë dyshime. Çfarëdo që nënkuptohet me një ‘komb’, ata besojnë se i tyri është i jashtëzakonshëm, i zgjedhur nga Zoti ose Historia për të sjellë ndriçim në një botë të fundosur. Kjo ndjenjë mesianike lindi nga Ortodoksia në Muscovy-n mesjetare dhe ka mbijetuar që atëherë.
Ajo u promovua nga Dostojevski dhe një mori shkrimtarësh të tjerë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në shekullin e njëzetë, bolshevikët ndanë ndjenjën e misionit, megjithëse për ta Zoti u zëvendësua nga Historia që punonte përmes instrumentit të komunizmit. Por Bota e tyre e Re filloi të dukej si perandoria e vjetër ruse, por me një emër tjetër.
Rusët dhe ata që u dëshirojnë atyre gjithë të mirat, mund të falen për dëshpërimin nga fatkeqësitë që ata ua shkaktojnë rregullisht të tjerëve dhe vetes së tyre. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, ata iu kthyen idesë se Rusia moderne kishte një pretendim ekskluziv për trashëgiminë e shtetit ortodoks të Kievan Rus. Vladimir Putini u konsumua nga ideja se “fatkeqësia dhe tragjedia jonë e madhe e përbashkët” ishte ndarja në vitin 1991 e Rusisë dhe Ukrainës, midis pjesëve të asaj që ai e quajti “në thelb e njëjta hapësirë historike dhe shpirtërore”. Obsesioni nxiti pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
*
Një magjepsje me Rusinë dhe popullin e saj më ka pushtuar për pjesën më të madhe të jetës sime. Unë isha atje kur Bashkimi Sovjetik u shemb. Kjo ngjarje ngjyros disa nga gjykimet që pasojnë në këtë histori të shkurtër dhe, shpresoj, të pjekur.
Edhe para rënies së Murit të Berlinit, dukej sikur dëshira e Ukrainës për pavarësi mund të shkaktonte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Në fillim të viteve 1990, qoftë një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës, qoftë mundësia që eksperimenti demokratik rus të dështonte në mënyrë po aq katastrofike sa Republika e Weimarit e Gjermanisë, dukej përtej çdo imagjinate.
Disa nga gjykimet e mia të tjera ishin fatkeqësisht të gabuara. Rusia nuk e ka humbur ende dëshirën e saj perandorake. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Putini ka shtyrë me shumë dekada perspektivën që Rusia do të bëhet shteti modern demokratik në paqe me fqinjët e vet, të cilin kaq shumë rusë të guximshëm kishin luftuar për ta krijuar.
Por asnjë popull nuk duhet të shihet si i pashpresë. Unë kapem fort pas imazhit të artë të Zogut të Zjarrit, i cili fluturon nëpër pyjet e errëta të folklorit rus për të simbolizuar shpresën se Rusia do të shohë ditë më të mira. / bota.al
Discussion about this post