Asociacion, plani franko-gjerman, lobimet serbe në SHBA, lobimet shqiptare kundër Gjykatës Speciale, janë disa nga temat më aktuale në vend.
Shumica prej tyre rrjedhin nga bisedimet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera u zhvilluan disa takime e u paralajmërua edhe një tjetër.
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se kryeministri Kurti po përballet me presione të padrejta në përballjen e tij me agresorin, në këtë rast shtetin serb.
“Kosova, në përgjithësi, dhe kryeministri Kurti, në veçanti, ndodhet në një situatë të ndërlikuar, deri në kërcënimin e padrejtë: “Merre ose lëre!”. Ndërkohë, nëse do të kishim një gjykim të drejtë, të paanshëm, në raportin persekutor-viktimë, çështja do të thjeshtëzohej në përmasën e normales. Çfarë kërkon Serbia nga një Kosovë e stër-përgjakur, por, më në fund, me pavarësi të njohur ndërkombëtarisht?! Dhe, me një trajtim model, për të mirë, botëror, të minoriteteve, përfshi edhe atë serb. Tashmë, edhe qëllimet e Serbisë fashizoide, janë, qartësisht, të lexueshme.
Ftesa e ambasadorit amerikan në Kosovë, Hovenier, të ofruar Kurtit, se “ne do të punojmë së bashku, për Asociacionin, duke respektuar sovranitetin, tërësinë territoriale, Kushtetutën e Kosovës”, duhet parë si ofertë serioze. Andaj, duhet bashkëpunuar me palën amerikane. Vështirë të besohet se SHBA, pranon një Asociacion sot, që nesër mund të rezultonte me një “Republika Srpska”, me një kufi me Serbinë, përkatësisht, Rusinë, në lumin Ibër, në mes të qytetit, në vend që ky kufi të mbetet prapa kodrave, atje, ku, realisht, është tani”, deklaroi ai.
Zeqiraj, Kosovën e vlerësoi si një nga shtetet që më së shumti respekton të drejtat e minoriteteve.
“Trajtimi demokratik, në respektimin e të drejtave të minoriteteve, në Kosovë, është unik, jo vetëm në Ballkan, por, edhe më tej në Evropë dhe botë. Po deshën lë të organizohen komunat me shumicë minoritare, si Mamusha, Dragashi, 10 komunat tjera, në një Asociacion, me shumësi minoritare, me status të njëjtë, me Asociacionin që kanë komunat në Kosovë, të monitorohen edhe nga BE-ja, për trajtimin e minoriteteve. Kosova është e hapur, e sinqertë me bashkatdhetarët minoritarë, sepse ka provuar padrejtësinë dhe shtypjen sistematike, deri në vrasje, serbo-sllave, në dekada e tej shekullit. Prandaj, ne që kemi aspiruar lirinë e munguar, duhet dhe jemi ndryshe nga ata, që na kanë mohuar neve, madje liritë elementare”, theksoi publicisti.
Gjithashtu, ai përmendi edhe lobimet serbe që po bëhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që fatkeqësisht të tillat janë shumë aktive.
E krahas kësaj, lobimi shqiptar është shpërqendruar në një çështje tjetër, e që bie ndesh me parimet amerikan, siç është rasti kundër Gjykatës Speciale.
“Lobimi i organizuar, i orkestruar serb në SHBA, vazhdon të jetë shumë aktiv dhe me mjaft ndikim në disa qarqe amerikane, kur vihen në peshore raportet serbo-shqiptare. Ata kanë trashëguar një propagandë të viktimizimit. Dhe, këtë po e përdorin edhe sot, madje me shumë efikasitet. Në këtë aspekt, pavetëdijshëm, ndihmohen edhe nga vetëlavdërimet që bëjnë shqiptarët, për luftën e bërë. Në përkujtimin e viktimave në Likoshan e Qirez, në masakrën e soldateskës serbe, të 28 shkurtit 1998, thuhet se “ishte hakmarrje ndaj goditjeve që u jipte UÇK-ja forcave policore dhe ushtarake serbe”?! (Edhe pse në atë kohë “UÇK-e) ishte inekzistente!) Pikërisht, kështu thotë edhe propaganda gebelsiane serbe.
Lobimi shqiptar, për dialog, është shpërqendruar në një lobim tjetër, që bie ndesh me parimet amerikane, siç është zhurma kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Kjo Gjykatë është ide dhe realizim amerikan, sepse krimet e soldateskës të Millosheviçit, i vazhduan disa komandantë, nën siglën e UÇK-së. Provë se kush është pro dhe kush kundër Amerikës, është qendrimi ndaj përkushtimit për drejtësinë”, nënvizoi Zeqiraj.
Në vazhdim, publicisti kërkoi të ndryshohet qasja e Kosovës, e ku në këtë rast përmendi qeveritë e mëparshme, që sipas tij shkaku i ish-presidentit Thaçi Serbia fitonte, e Kosova pësonte.
“Sjellja e Kosovës, përballë lojës së dyfishtë të Serbisë, duhet të ndryshojë tërësisht. Qeveritë e shkuara ishin të kriminalizuara, të zhytura në krimin vrastar dhe korrupsionin industrial, pra, vjedhje zyrtare dhe haraç të përgjakshëm. Përgjatë të gjithë dialogut, negociatorët kanë bërë kompromise të dhimbshme e kriminale. Pas çdo marrëveshje, Serbia shënonte një fitore domëthënëse, ndërsa Kosova pësonte një gjëmë shtesë.
Arsyeja e vetme ishte se shefi i negociatorëve, Hashim Thaçi ishte i shantazhuari i katërfishtë:
1) Me dosjet e monitoruesëve ndërkombëtarë në Kosovë;
2) dosjet nga Serbia;
3) dosjet-memorie të familjarëve të viktimave;
4) dosjet faktike të bandave ekzekutuese, të kundërshtarëve politikë, me porosi të komandantëve të bandave”, radhiti ai arsyet.
Më tej, Zeqiraj e vlerësoi lart kryeministrin Kurti, që sipas tij askush nuk arriti ta shantazhojë atë.
Po ashtu, ai foli edhe për çështjen e Asociacionit, ku tha se çfarëdo Asociacioni do rrezikonte territorin e vendit.
“Ndërkohë, dialoguesit aktualë dhe shefi i tyre, Albin Kurti, nuk janë të shantazhuar, madje, nga askush. Ishin unik në kundërshtinë e të gjitha marrëveshjeve, vendimeve dhe veprimeve fatale për Kosovën. Justifikimet e gërditshme se pavarësinë e solli Plani i Ahtisarit, janë mjegullnajë. Sepse ajo do të vinte edhe pa atë. “Xhevahirët” e Ahtisarit, vazhdonjnë ta ngulfatin edhe sot popullin e Kosovës: 27 komuna për 96 % të popullsisë të Kosovës dhe vetëm për 4 % serbë, plot 10 komuna! Një krim i llojit të vet! Dhe, kjo është “dhuratë”, pikërisht, e presidentit Ahtisari!
Edhe pse Ahtisari dhunshëm e shpalli Kosovën “multietnike”, për t`i kalaveshur serbët me privilegje shtesë, vendosi Asociacion “monoetnik”, për komunat me shumicë serbe. Ai prrallisë për jetë të përbashkët me serbët në Kosovë, por vepron për ndarjen e tyre, në perspektivë, duke marrë edhe territor! Këtë hipokrizi e cinizëm, njëherësh, nuk duhej pranuar me asnjë çmim. Ashtu siç nuk duhet pranuar, sot, çfarëdo Asociacioni, që do të rrezikonte ngulfatje të shtetit, apo tragjikën e prekjes të territorit”, potencoi publicisti.
Në fund, shtoi se kërkohet vëmendje e madhe në planin franko-gjerman, derisa i dha edhe disa porosi për kryeministrin Kurti.
“Pranimi i planit-kornizë franko-gjerman, nga kryeministri Kurti, pavarësisht kompromiseve të paralajmëruara, si të vështira, kërkon përkushtim e qendresë, përgjatë dialogimit zbatues, për të mos lejuar dhe as pranuar shkeljen e parimeve, që cënojnë Kushtetutën e vendit, qoftë edhe për të lënë hapësirë, se kjo mund të ndodhë dikur.
Pozita e sotme është krenare, por opozitarizmin e egër të djeshëm, duke u identifikuar si e vetme në mbrojtje të Republikës. Urojmë të mos sjell gjëmë-shtesë nga Brukseli, Ohri apo nga ndonjë qendër tjetër, në Kosovë”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.
Discussion about this post