Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2025, kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste premtuan se do të vihet në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut deri në vitin 2025, “për një lëvizshmëri më të sigurt e më efikase”.
Në 5 maj 2025, ARRSH njoftoi se Qendra për Kontrollin e Trafikut do të garantojë monitorimin e të gjitha rrugëve 4 orë në 7 ditë të javës duke koordinuar Policinë Rrugore, Urgjencën Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencat Civile.
Sipas njoftimit, kjo qendër do të funksionojë me 122 operatorë dhe në fazën e parë janë lidhur me kamera 200 km e para që mbulojnë autostradat kryesore Tiranë – Durrës, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Fier dhe Fier – Vlorë.
Premtim i ricikluar dhe shkelje afatesh
Ky është një premtim i ricikluar.
Qendra e Monitorimit të Trafikut Rrugor është premtuar fillimisht nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjise, Belinda Balluku në shtator të vitit 2023.
Gjatë një inspektimi në terren, drejtori i ARRSH-së së asaj kohe, Evis Berberi, njoftoi se godina e Qendrës për Monitorimin e Trafikut pritej të dorëzohej në janar 2024.
“Jemi në 26% të punës. Ne kemi për ta dorëzuar brenda 238 ditëve nga nënshkrimi i kontratës dhe themi se do e dorëzojmë në janar të 2024-ës ose pak më shpejt”, tha Berberi.
Në fakt dorëzimi i godinës nuk u bë për tre muaj në janar 2024, por një vit më pas. Belinda Balluku u shfaq përsëri në godinën e Qendrës së Monitorimit të Trafikut në shtator 2024 nga ku njoftoi se po hidheshin hapat e fundit të dorëzimit të ndërtesës, 8 muaj pas parashikimit fillestar.
Me në krah drejtorin e ARRSH-së, këtë herë Gentian Gjyli, Balluku dha një tjetër parashikim. Monitorimi i 200 km rrugë do të niste në fillim të vitit 2025.
“E kemi nisur me 200 km e parë dhe bëhet fjalë për akset më të rëndësishme, pra Tiranë – Durrës, Tiranë – Elbasan, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Fier, Bypass-i i Fierit dhe Levan – Vlorë. Të gjitha këto do të jenë gati në fillim të vitit tjetër”, tha Belinda Balluku në shtator 2024.
Por duket se edhe kjo fazë e parë ka zgjatur përtej afatit të parashikuar. Në Prill 2025 Balluku njoftoi se “po niste dita e parë e testimit në terren të Qendrës për Monitorimin e Trafikut”.
Çfarë thotë ARRSH
Për të kuptuar nëse kjo qendër e ka nisur punën dhe ka filluar të monitorojë akset e parashikuara për në fazën e parë, Faktoje iu drejtua Autoritetit Rrugor Shqiptar me një kërkesë për informacion.
ARRSH tha për Faktoje se sistemi i monitorimit tashmë mund të evidentojë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por për marrjen e masave administrative ndaj shkelësve duhet të pritet finalizimi i procedurave pasi projekti është ende në proces testimi dhe dorëzimi.
Kostoja e deritanishme për ndërtimin e godinës së QKMT-së dhe zbatimin e fazës së parë dhe të dytë, është 4.2 miliardë lekë, njofton ARRSH-ja.
Faza e parë e monitorimit të 200 kilometrave rrugë u tenderua nga ARRSH në qershor 2023 me afat kohëzgjatje 2 vjet. Fitues i kontratës publike me vlerë 2.6 miliardë lekë (me TVSH) ishte bashkimi i operatorëve “MC NETWORKING” (MCN) me pronar Endri Meksin & “INTETRA ELEKTONIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRK.” me pronat Mehmet Omerbeyoglu, & “GJOKA KONSTRUKSION” me pronar Rrok Gjokën.
Nisur nga afati i kontratës kjo fazë e parë ka përfunduar, por përgjigjja e ARRSH vërteton se testimi dhe dorëzimi nuk ka përfunduar ende.
Faza e dytë, e tenderuar në gusht 2024 është fituar nga i njëjti grup kompanish me vlerë 1.5 miliardë lekësh dhe kohëzgjatje 2 vjeçare dhe parashikon 214 km të tjera rrugë për monitorim.

Përfundimi
ARRSH i tha Faktojes se mbulimi i plotë i rrjetit rrugor kombëtar prej 3650 km parashikohet të përfundojë deri në vitin 2029.
Nisur nga të dhënat e deritanishme, premtimin për nisjen e punës së Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut do e konsiderojmë pjesërisht të pambajtur.
Titulli i origjinalit: Qendra e Monitorimit të Trafikut – 3 vjet dhe 4.5 mln euro më vonë, projekti nuk është dorëzuar ende










Discussion about this post