“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerën më të ulët”, ky është vlerësimi i Open Data Albania për tenderin e kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj për asfaltimin e rrugicave të fshatit Fratar. Dhe, për këtë shkak, tenderi është shënuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Më konkretisht, tenderi i autorizuar së fundmi me urdhër të kryetarit Ismailaj ka objekt “Rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat e Njësisë Administrative Fratar dhe Kutë”.
Janë 51 971 681,00 lekë që Ismailaj i xhiron në shkelje të rregullave të prokurimit, duke favorizuar mikun e tij biznesmenin Neim Beqiraj.
Neim Beqiraj
Data e njoftimit të tenderit, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik ishte më 6 dhjetor 2024, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve, më 26 dhjetor 2024. Brenda kësaj dite është mbajtur tenderi dhe çdo gjë është bërë siç ka qenë e paracaktuar.
Kompania “BEQIRI” SHPK ka dalë e vetmja në fazën e vlerësimit të ofertave, pasi komisioni i Ismailajt i skualifikoi 7 operatorët e tjerë ekonomikë që paraqitën propozimet e tyre.
I jepet tenderit kompanisë me ofertën më të shtrenjtë
Oferta fituese e “Beqirit” me vlerë 40 688 700,00 lekë, e shpallur më 29 janar 2025 është dukshëm më e lartë se të tjerat.
Kështu bashkimi i operatorëve ekonomikë “ARDMIR’’ SH.P.K NIPT dhe “METEO’’ kanë propozuar ta bëjnë këtë punë me 37,415,200 lekë pa TVSH.
______________________________________
Firma “DEHA 2010” SHPK ofroi vlerën 34,003,030 lekë pa TVSH.
Ndërsa Operatori Ekonomik “FIAMA” rezulton me ofertë zero lekë, duke marrë pjesë fiktivisht.
Operatori Ekonomik “L.T.E CONSTRUCTION” shpk, propozon ofertën 39,356,404 lekë pa TVSH.
Bashkimi i operatorëve ekonomikë “ZEQILLARI” shpk dhe “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” shpk kanë dhënë ofertën 30,757,530 lekë, që është më ekonomikja.
Të gjitha janë skualifikuar duke mos e kaluar për në fazën e vlerësimit të ofertës, sepse komisioni u gjeti kritere “të papërmbushuara”. Në këto kushte duhej anuluar tenderi sepse me një kompani nuk ka konkurrencë.
Objekti i cili do të asfaltohet janë akse të brendshme rrugore në njësinë administrative Fratar dhe rruga nga shkolla në lagjen e Kovaçit në fshatin Drizar.
Rrugët janë në gjendje të mirë, të shtruara me rërë bituminoze, e cila ka gropa në vende të veçanta, ndërsa bankinat duhen vendosur nga e para.
Sipas projektit, rrugët janë të ngushta 2.5 metra dhe 3.5 metra, ndërsa Ismailaj e ka derdhur qesen e bashkisë sikur po ndërtohet ndonjë rrugë nacionale.
Bashkia i ka vënë kompanisë afatin 6 muaj nga data e lidhjes së kontratës, megjithatë dyshojmë se ky projekt ka për t’u zvarritur për shumë kohë.
Pse u favorizua Beqiraj?
Kryetari i bashkisë Ismailaj nuk e favorizon rastësisht Ismailajn. Mbështetja vjen nga Tirana, aty ku kjo kompani ka marrë tendera të mëdhenj me “Flamur të kuq”. Një nga këto punë që shkon afro 1 milion euro i është dhënë së fundmi firmës “Beqiri” nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Ndërtim Ura e Bonarakëve, Ibë e Poshtme’, të cilin “Beqiri” e përfitoi më 23 gusht 2024 dhe kontrata është vazhdim e pambaruar.
Ndërsa më 20 nëntor 2024 Beqirajt i është dhuruar një tjetër tender në Bashkinë Kamëz. Më konkretisht, “Beqiri” ka marrë kontratën “Rikonstruksion rruga “Lunxhëria”+ Ndërtim Rruga paralel me Rrugën Lunxheria + rruga pingul me rrugën Durrësi +seg.pingul me rrugën Lura +Rruga Krocare+muri të rruga Kozare”.
Bashkia Kamëz ka hedhur për këtë projekt 53 353 162,00 lekë dhe në tender u skualifikuan 9 kompanitë pjesëmarrëse përveç fituesit. Deri tani banorët nuk kanë parë asnjë punë në këto rrugë. A do të mundet kjo kompani t’i bëjë të tria kontratat në tënjëjtën kohë. Tenderi i Ismailajt në Mallakastër kërkon minimumi 42 punonjës të angazhuar në punë si dhe mjetet përkatëse.
Vonesa dhe punë pa cilësi
Kompania “Beqiri” shpk me pronar Neim Beqirajn ka treguar në të kaluarën se merr paratë dhe nuk kryen punën.
Kështu, në vitin 2016, kompania “Beqiri” firmosi me Bashkinë Durrës kontratën “Rindërtim i urës që lidh fshatin Jubë me Rrushkull dhe segmenti rrugor që lidh rrugën”. Vlera e fondit limit ishte 21 552 000,00 lekë pa përfshirë TVSH.
Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë u rikonstruktua më në fund në vitin 2017 me fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkisë Durrës.
Por kjo rrugë vitin e kaluar ishte në gjendje të degraduar. Për banorët e zonës, ura e tipit “Bejli” është kthyer në shqetësimin kryesor të tyre. Fotoja tregon situatën në qershor 2023, kur rruga Ura Durrës e detyruar nga protestat e banorëve po kryente disa arnime me dërrasa.
Në qershor të vitit 2017, Beqiraj mori nga Erion Veliaj tenderin për ndërtimin e rrugës “Danish Jukniu” në Tiranë me fondin limit 38 732 631,00 lekë.
Rruga duhej mbyllur për 6 muaj, por Beqiraj nuk arriti të mbyllte punimet në afat ashtu siç nënshkroi kontratën. Ç’ndodhi? Në prill 2018, Erion Veliaj i dha fond shtesë kompanisë që të vazhdonte punën. Pra, bashkia derdhi edhe 5 576 441 lekë tek xhepi i Neim Beqirajt.
Në 20 maj 2022, kjo kompani mori tenderin e rindërtimit të rrugës tek Currilat, e cila është kryer me cilësi të dobët.
Tenderi “Rikonstruksion rruga Currila segmenti hotel Ferrara – Guest House” e kishte fondin limit 37 248 896,00 lekë.
Kodra e Currilave në Durrës thuajse u lëshua në janar 2023 mbi rrugën mbi të cilën ngrihet, teksa shembja e skarpateve anësore dhe çarja e rrjetave mbrojtëse bëri që dherat të pushtonin aksin që lidh zonën me qytetin e Durrësit. Teksa kjo duket të jetë një situatë që përsëritet thuajse sa herë ka reshje të dendura shiu, ajo ç’ka del në pah është dështim i punimeve. “Por, pavarësisht këtij fakti, ende nuk është bërë asnjë ndjekje penale nga Prokuroria e Durrësit apo të ketë nisur ndonjë hetim për dëmin financiar të shkaktuar nga zbatuesit e projektit…” deklaronte në këtë kohë Dega e PD Durrës.
Prandaj, Ismailaj duhej të ishte menduar mirë para se t’ia jepte tenderin kompanisë “Beqiri”, se mund të zhgënjejë votuesit e tij. Nga ana tjetër nuk është surprizë, që Qerim Ismaili merr vendime të tilla, pasi është zyrtar pa integritet. Kujtojmë se në vitin 2021 KQZ e shpëtoi në fije të perit mandatin që duhej hequr për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaili, rezulton i dënuar me 3 vjet burg në vitin 1998 në Greqi. Qerimi ka mashtruar në formularin e vetëdeklarimit, e si rrjedhojë pritet heqja e mandatit të tij. Ai ka fshehur të dhënat ne formularin e deklarimit, ndërsa pas hetimit rezulton te jetë i dënuar me 3 vite burg në Greqi në vitin 1998.
“Zyra Kombëtare Interpol informon se gjurmët e gishtave janë krahasuar dhe kanë rezultuar të panjohura në bazën e tyre të të dhënave.
Lidhur e vendimin penal të përmendur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme në kërkesën për informacion, ka sqaruar se ky shtetas është dënuar në mungesë me 3 vjet burgim me vendimin nr.9,10,11, datë 25.02.2000 në ishullin Mitilini, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë, disa të arrestuar për plagosje.
Qerim Ismailaj nuk është arrestuar për arsye se është shtruar në spital si pasojë e disa plagëve të marra në trup. Megjithatë ai është dënuar si i përfshirë në këtë incident,” shkruhet në vendimin për miratimin e rezultateve të verifikimit për subjektin Qerim Ismailaj të firmosur nga prokurori Sokol Stojani.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post