Vendimi i qeverisë shqiptare për të ashpërsuar masat ndaj pjesëmarrësve në protesta që shndërrohen në të dhunshme ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare.
Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se qeveria po përpiqet të shtypë tubimet që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, përmes gjobave që mund të arrijnë në mbi 6 mijë dollarë, një shumë sa rreth gjashtëfishi i pagës mesatare mujore në Shqipëri.
Sipas raportimit, sanksionet mund të vendosen edhe ndaj personave që qëndrojnë në një turmë ku kryhen akte dhune apo plaçkitjeje, edhe nëse ata nuk marrin pjesë personalisht në këto veprime.
Masat vijnë në një kohë kur Tirana është përfshirë prej muajsh nga protesta antiqeveritare, të cilat së fundmi janë shoqëruar me përplasje të forta mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Lëvizja protestuese nisi në maj, fillimisht kundër një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore. Në mesin e tetorit, tubimet morën përmasa më të gjera, me pjesëmarrjen e studentëve që ngritën shqetësime për korrupsionin, problemet në sistemin shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Paketa e miratuar të mërkurën nga qeveria parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë të rinj, ose 5 milionë lekë të vjetër, për personat që qëndrojnë në turma ku ndodhin akte dhune apo plaçkitjeje në hapësira publike. Sanksione parashikohen gjithashtu për rastet e fshehjes së identitetit, sipas kushteve të përcaktuara në aktin përkatës.
Masat përfshijnë edhe ndëshkime për nxitjen e dhunës në internet, si dhe kompensim për bizneset e vogla që pësojnë dëme gjatë protestave.
Sipas raportimit, dispozitat hyjnë në fuqi menjëherë, por duhet të marrin miratimin e parlamentit brenda 45 ditëve.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për hartimin e këtyre masave është frymëzuar nga një nismë ligjore franceze, e cila synon t’i bëjë protestuesit financiarisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë demonstratave.
Kreu i qeverisë ka fajësuar gjithashtu aktorë të huaj për dhunën dhe tensionet gjatë protestave, duke akuzuar Rusinë dhe Iranin për përhapjen e dezinformatave në internet. Në të njëjtën kohë, Rama ka bërë thirrje për dialog.










Discussion about this post