Kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e qeverisë re u betuan mëngjesin e sotëm para presidentit Ilir Meta për katër vitet e ardhshme në pushtet.
Pas betimit, kabineti “Rama 3” u nisën në këmbë drejt Kyreministrisë për të vijuar me mbledhjen e parë qeveritare, dhe foton zyrtare, që ndryshe nga herët e tjera që bëhet në Presidencë, këtë herë u shkrep në shkallët e Kryeministrisë.
Mbledhja e parë e qeverisë, sipas protokollit u nis nga kryeministri Rama, i cili i njohu ministrat me Kodin Etik që duhet të respektojnë, përfshirë ndalimin e udhëtimeve të luksit, dhuratat, apo përdorimi i makinës së punës.
“Qytetarët na kanë besuar shërbimin e vendit. Aty nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë të udhëtojnë me “Business Class”, apo të shkojnë në udhëtime jashtë vendit, apo të pinë kafe, apo për dreka dhe darka. Këtu se kam fjalën kur ministrat janë jashtë me punë. Për dy të parat, për udhëtimet dhe pushimet janë zbatuar. Kohë më parë politikanët shëlleheshin me pushime jashtë. Do përcaktuar në aneksin e Kodit Etik se bashkëshortët e anëtarëve të kabinetit, s’mund të përdorin sallën e vipave në aeroportin e Rinasit. Po ashtu ndalohet dhe përdorimi i makinës së ministrit nga familjarët. Për fat të keq pirja e kafeve, nuk është zbatuar”.
Kryeministri paralajmëroi se nëse evidentohen shkelje të Kodit Etik nga ana e ministrave, këta do të duhet të kërkojnë falje publike. Por në rast se ata e përsërisin një shkelje, do të duhet të japin dorëheqjen.
“Të gjithë qytetarët duhet ta dinë, qeveria ka një Kod Etik. Dua ta bëj me dije se në rastin e parë të mos respektimit të kodit etik, ministri përgjegjës të kërkojë ndjesë publike dhe në rast të përsëritur do të duhet të largohet. Kjo bën fjalë edhe për mua. Se kam problem që ta respektoj dhe 4 vite të tjera. Po ashtu, një tjetër gjë që sqarohet është dhe çështja e dhuratave. Sot kryeministria ka një magazinë për dhuratat, nga medalionet, deri te dhuratat me vlera të larta monetare. Deri në 2013-ën nuk lanë në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, a thua se këtu ka qëndruar një fuqi pushtuese që ka marrë çdo gjë”.
Gjithashtu, Rama u bëri të ditur që nuk duhet të përfitojnë që nga dhuratat për shkak të detyrës deri te udhëtimet e punës. Këtu Rama nuk nguroi të ofendonte ministrat e qeverisë Berisha, që sipas tij para se të iknin nuk lanë asgjë, por morën të gjitha objektet, nisur nga lugët e deri te pirunjtë.
“Sot kryeministria ka një magazinë të posaçme ku ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës pavarësisht vlerës së tyre. Deri në vitin 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë. Zero. Madje jo vetëm nuk kanë lënë atë që kanë marrë, por kanë marrë piktura, kompjutera, lugë, pirunj, filxhanë. Çdo gjë duhet shkruar në aneksin e kodit. Çdo gjë duhet dorëzuar në stok. Të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla por në fakt janë norma të zbatuara në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla”.
Kryeministri u shpreh se çdo dhuratë që marrin anëtarët e kabinetit për shkak të detyrës do të ruhet në një magazinë të posaçme.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek raportet me opozitën, ku kërkoi edhe njëherë të mos ketë kundërpërgjigje.
“Ka vetëm një sektor për të cilin punon e gjithë qeveria dhe është Shqipëria. Ne nuk do i kundërpërgjigjemi me formatin e vjetër fletë-rrufeve të konferencave të shtypit të opozitës. Nuk duhet të çojmë dëm asnjë ditë duke u marrë me e lagu se lagu me opozitën”.
Në fund të mbledhjes ai bëri të ditur dhe vendimet e para të qeverisë “Rama 3”, ku ndër pikat më të rëndësishme ishte “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
Rama tha se do të ketë trajtim të veçantë për fëmijët, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën në krye të detyrës. Gjithashtu në këtë kategori do të futen edhe fëmijët e stafeve mjekësore që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19. Këta fëmijë, sipas kryeministrit do të marrin rrogën e prindit deri në moshën 18 vjeç.
“Fëmijët e një prindi që ka humbur jetë në mbrojtje të rendit. Personat që u përkasin kategorive përfituese pavarësisht nëse prindi e ka humbur jetë përpara hyrjes në fuqi të jetës do të trajtohen. Fëmijët e mjekëve që kanë humbur jetën si pasojë e Covid, të gjithë këta fëmijë do të marrin rrogën e plotë të prindit deri në moshën 18 vjeç”.
Gjithashtu, bëri me dije se dy medalistet e Lojërave Olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sipas Ramës, ato kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e FA, ndërsa shtoi se janë duke punuar me ministrin e Mbrojtjes për të krijuar një njësi të kampionëve Të Forcave të Armatosura. Së fundi, premtoi gjithashtu edhe ndryshim të qasjes në komunikimin me median.
“Agjencia e qeverisjes qendrore, në gjithçka lidhet drejtpërdrejtë me qeverisjen, publikun dhe qëndrimin e publikut dhe mediat me interes publik. Në funksion të përgatitjes së qëndrimeve përmes anketimeve të opinionit publik mbi çështje të rëndësisë së veçantë dhe konsultimeve me publikun në funksion të vendimmarrjes së qeverisë. Këto janë katër vendime që adresojnë nevojën për të ngritur në nivel tjetër marrëdhëniet mes qeverisë dhe qytetarëve. Të jetë pranë atyre që janë në nevojë duke nisur nga pika më e dobët që janë fëmijët jetimë, për shkak se prindi është vetë mohuar për të tjerët. Nevojën për ta çuar në nivel tjetër transparencën me publikun dhe median të aktivitetit tonë,” u shpreh kreu i qeverisë.
Vendimet konkrete:
-Projekt-Ligj për “Bashkëqeverisjen”, i cili përcakton mekanizma detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.
-Projekt-Ligj për “Fëmijët nën përkujdesjen e Republikës”, i cili përcakton dhënien deri në 18 vjeç të rrogës së prindit të rënë në krye të detyrës apo në një akt vetëmohimi në mbrojtje të jetës së të tjerëve. Kjo masë do të jetë retroaktive edhe për atë gjithë fëmijët e mitur të mjekëve, infermierëve apo personelit të spitaleve Covid, që kanë humbur jetës në krye të detyrës.
– Përfshirja në strukturat e Forcave Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e dy kampioneve olimpike të Kosovës, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Ministria e Mbrojtjes do të krijojë Njësinë Speciale të Kampionëve, të cilët do të kontribuojnë në edukimin fizik e psikologjik të trupave dhe do kenë pagë e më tej pension të veçantë, si anëtarë nderi të ushtrisë shqiptare.
-Krijohet Agjencia për Mediat dhe Informimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
“Rama 3” u miratua me 77 vota pro në Kuvend mëngjesin e djeshëm, pas një seance maratonë diskutimesh, ku u prezantua programi i ri qeverisës për katër vitet e ardhshme. D.L/Gijotina.com