Qytetarët protestë për rritjen e çmimeve
Edhe ditën e sotme qytetarët janë mbledhur para kryeministrisë për të zhvilluar protetsëtn , kundër rritjes së çmimeve.
4 ditë më parë, qytetarët zhvilluan protestën e parë , e cila zgjati për rreth 60 minuta, një protestë paqësore e shoqëruar me fjalime nga ana e qytetarëve që i kanë drejtuar një sërë thirrjesh qeverisë për të marrë masa për të parandaluar shtrenjtimin e mëtejshëm të produkteve.
Protesta para kryeministrisë, aktori Irgen Çela: Mos rrimë në shtëpi, duhet të çohemi!
Qytetarët janë mbledhur për herë të dytë para kryeministrisë dhe po protestojnë për rritjen e çmimeve. Të pranishëm janë qytetarë të shumtë dhe figura të njohura të ekranit.
Aktori i njohur i humorit Irgen Çela i bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.
“Mos rrimë në shtëpi dhe të paragjykojmë pjesën që “duhet të çohemi” dhe nga ana tjetër askush nuk vjen. Ky mesazh duhet të pasohet edhe te moshat më të vogla sepse këto janë protesta paqësore, është diçka që bëhet për të gjithë. Karburantet po e po që është shumë shqetësuese, jo vetëm për individin por edhe për biznesin. Ai do detyrohet të rrisë çmimet që të nxjerrë shpenzimet e veta dhe pastaj shkon zinxhir deri te shtresat më të ulëta,”- u shpreh Çela.
Në krahasim me protestën e kaluar, numri i punonjësve të policisë që është angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj proteste është më i lartë se herën e shtuar. Në protestën e kaluar një nga kërkesat kryesore që kishin protestuesit ishte mosrritja e çmimit të energjisë elektrike.
Emigranti i bashkohet protestës kundër rritjes së çmimeve: Jam punonjës i qeverisë ‘Rama 1’
Vijon mes shiut e të ftohtit protesta para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Protestës i janë bashkuar edhe emigrantë, të cilët kanë ardhur për t’iu bashkuar qytetarëve kundër rritjes së çmimeve.
Një prej tyre tha se ka qenë punonjës në qeverinë “Rama1”, por është detyruar të largohet nga Shqipëria, pasi pagat janë shumë të ulëta dhe çmimet të larta.
“Sot vij direkt nga Italia për të mbështetur popullin në këtë protestë. Kam ardhur për të kundërshtuar në mënyrë kategorike rritjen e çmimeve, pasi jemi të parët ne emigrantët që goditemi nga rritja e çmimeve, sepse jemi ne që mbajmë prindërit tanë me bukë. Me 100 mijë lekë pension që u japin këta, nuk iu mjaftojnë as për ilaçe. Kurrë nuk do i lejojmë të na marrin dhe kafshatën e fundit. Këta e dinë shumë mirë që 70% e familjeve shqiptare mbijetojnë falë emigrantëve.
Këtyre t’iu vijë turp që e trajtojnë popullin shqiptar si primitiv, dhe sot në 2021 ngrenë çmimet, kur pagat janë më të ulëta se vendet e rajonit. Këta janë mësuar duke shtypur, vjedhur, kërcënuar. Kështu do të kemi një brez të ri pa shpresë, që i janë vrarë ëndrrat. Një brez që është gati të paguajë 25 mijë paundë për të ikur në Angli, duke rrezikuar jetën nën kamionë.
Unë jam punonjës i qeverisë ‘Rama 1’, ndërsa sot jam emigrantë. Jam detyruar si qindra e mijëra të diplomuar të braktisë Shqipërinë, pasi nuk e gjej dot veten këtu, pasi pagat janë të ulëta dhe çmimet shumë të larta. Jam kthyer sot këtu për të mbrojtur dinjitetin, për t’iu kthyer dinjitetin shqiptarëve” – tha emigranti.
Lapaj nga protesta: Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton
Avokati dhe njëkohësisht aktivisti, Adriatik Lapaj ka folur gjatë protestës përballë Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës.
Gjatë fjalës së tij, Lapaj paralajmëroi kryeministrin Rama se nuk do të largohet derisa të plotësohen kushtet e shoqërisë civile.
“Kjo është një protestë për drejtësinë sociale, kjo është një protestë kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës, kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe gazit. Jemi në protestë që fëmijët e këtij vendi mos ikin në emigracion. Sot ka shpresë dolët në shesh edhe në shi, ne jemi këtu prapë së bashku. Mos e harroni jeni duke mbajtur gjallë flakën prandaj mos u dorëzoni” – tha Lapaj gjatë fjalës në protestë.
Adriatik Lapaj, një nga personat që ka bërë thirrje në rrjete sociale për protestën, tha se një sukses të parë e kanë, pasi kryeministri lajmëroi se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.
“Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale dhe për të kërkuar që në këtë vend të marrë fund tranzicioni i stërzgjatur ku ndahen në dy kampe shqiptarët. Çdo qytetar që e ndjen se duhet të protestojë, le ta bëj atë. Misioni që duhet të kemi është që qytetarët të reagojnë për veten e tyre.
Nuk themi dot se sa sukses do të ketë kjo, por një sukses të parë e kemi, energjia elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset. Se sa sukses do të ketë, nuk e di, por në dorë kam përpjekjen time të sinqertë. Qytetarët marrin këtë mësim të madh dhe politika t’i vendosë gishtin kokës” – tha Lapaj