Pasi rregulloi industrinë e kanabisit dhe kazinotë, Kryeministri Rama ka nisur pa zhurmë ngritjen e infrastrukturës së kriptomonedhave. Këto ditë, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është ngritur Drejtoria e Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës.
Në këtë kuadër, kjo drejtori e re, shpall konkurrimin për vende vakante në pozicionin: Specialist, pranë Sektorit të Inteligjencës Artificiale.

AMF ka kaluar në rol të dytë në lidhje me licencimin e operatorëve të kriptomonedhave dhe do të jetë thjesht konsulent i Linda Karçanajt, drejtores së AKSHI-t.
Ashtu siç përdoret Policia e Shtetit për të mbajtur në ilegalitet lojërat e fatit, edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Financave, është vënë në këtë rol duke shpërndarë komunikata kundër platformave të kriptovalutave.
Rasti më i fundit ishte paralajmërimi i AMF për rrezikun që mund t’u vijë investitorëve nga platforma e palicencuar NetherexPro. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke marrë shkas nga informacioni i publikuar në rrjetet sociale, paralajmëronte investitorët shqiptarë se platforma e investimeve NetherexPro nuk është e licencuar, regjistruar dhe as e njohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Mbështetur në Ligjin nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit” dhe Ligjin nr. 66/2020, datë 21.05.2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj apo tregtimin e tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, regjistruar, apo njohur më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
“Çdo investim në këto platforma mund të rezultojë me humbjen e të gjitha parave të investuara në mënyrë të pakthyeshme. Investitorët duhet të jenë të qartë se Autoriteti nuk mund të mbrojë interesat e tyre kur investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara/regjistruara/njohura nga AMF”, këshillonte AMF më 13 qershor 2025.
Por rreshti i fundit i njoftimit është komik. “Lista e subjekteve të licencuara nga Autoriteti ndodhet në rubrikën “Regjistri i të Licencuarve” në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”. Në fakt në Shqipëri akoma nuk është dhënë licenca e parë për kriptovalutën. Ato do t’i shpërndajë Rama dhe Linda me Inteligjencën e saj Artificiale.
Pse u takua Rama me “mbretin” e kriptomonedhave?
Megjithëse ua ndalon qyetarëve, Rama ka kohë që po merret me kriptomonedhat. Më 26 nëntor 2022, kryeministri Rama u takua me miliarderin e industrisë së kriptove, kompanisë që është ‘exchange’-it më i madh në botë për kriptomonedhat. Zyra e shtypit e Ramës nuk njoftoi, por këtë e bëri të ditur vetë afaristi. Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë”, shkroi Changpeng Zhao, CEO i Binance, kompania me shkëmbimin më të madh të kriptovalutave në botë.

Ai la të kuptohet se ky takim ishte parantezë e një udhëtimi ligjor tanimë dhe, jo vetëm të Shqipërisë në botën virtuale. Një muaj më pas, kompania e Binance e zhvendosi selinë qendrore në Dubai, ku mori licencën në këtë shtet.
Shqipëria vendi i tretë që i njeh me ligj kriptomonedhat
Në vitin 2020, ish-Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiarë të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Ligji në fjalë ka të bëjë me kriptomonedhat ose siç njihet ndryshe monedhat virtuale.
“Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale. Të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale“, shkruante ndër të tjera Meta.
Megjithatë, ligji për kriptomonedhat është miratuar në Kuvend në datën 21 maj 2020. Shqipëria është vendi i tretë në Europë, pas Francës dhe Maltës që njeh me ligj kriptovalutat. Ligji sjell njohjen e 5500 llojeve të valutave, të cilat do të mund të këmbehen me para cash në çdo pikë këmbimi.
Qeveria dhe AMF ka bërë edhe rregullore për kriptovalutat
Në rregulloren e botuar në Fletore Zyrtare më 26 nëntor 2022, përcaktohet qartë të gjitha rregullat për një biznes apo një individ, nga marrja e licencës e deri tek dalja në treg si bursë digjitale.

Kjo rregullore i hapte tashmë rrugën investimit të ligjshëm në kriptomonedha, por duket se Rama i mban peng licencat derisa të afrojë ndonjë peshk të madh ndërkombëtar që të krijojë bursën e kriptovalutave.
Për tu licencuar në bursën digjitale, të gjithë subjektet e interesuara do të dorëzojnë kërkesën pranë AMF dhe AKSHI-t.
Rregullorja përcakton 3 licenca që bizneset apo individët mund të marrin, ku ndahen në pagesa digjitale që duhet të kenë kapital miminal depozituar në bankë 20 milionë lekë, monedha virtuale që përbën licencën e kategorisë B kërkon kapital më të madh minimal me 60 milionë lekë, dhe ajo e kategorisë C për titujt digjitalë 90 milionë lekë të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
- a) licenca e kategorisë “A”, ku mund të tregtohen vetëm tokenë digjitalë shërbimesh, tokenë digjitalë asetesh dhe tokenë digjitalë pagesash, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në nenin 57, të ligjit;
- b) licenca e kategorisë “B”, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategorinë “A”, mund të tregtohet gjithashtu para FIAT dhe monedha virtuale, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në nenin 58, të ligjit;
c) licenca e kategorisë “C”, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategoritë “A” dhe “B”, mund të tregtohen gjithashtu, edhe tokenë digjitalë të titujve, në përmbushje të detyrimeve të parashikuara në nenin 59, të ligjit”, thuhet në rregullore.
Në rregullore është përcaktuar që të gjitha subjektet e licencuara duhet të miratojnë edhe një rregullore për parandalimin e pastrimit të parave. Madje për këtë aktivitet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të zbatoj vigjilencën e zgjeruar që është një proces i thellë kontrolli mbi subjektin e licencuar në mënyrë që të shmanget çdo mënyrë për të pastruar para apo financuar terrorizmin.
“Bursa DLT është subjekt i rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nr. 58, datë 30.6.2015, “Mbi masat e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar nga subjektet e ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, si dhe zbaton me përpikëri të gjitha detyrimet e përcaktuara për ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, qytetarët që ushtrojnë ilegalisht këtë aktivitet arrestohen nga policia, edhe pse nuk ka bazë ligjore.
Kështu më 18 nëntor 2024, policia kreu operacionin “USDT-1”, ku u arrestuan 18 veta me akuzën se këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas pa licencë. Aksioni u paraqit si një “sukses” i madh. Të dhënat u prezantuan nga drejtoresha e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtuese e Parë, Ervina Gjana në konferencë për shtyp.
Sipas saj, ky operacion, i pari në vendin tonë dhe shumë i rëndësishëm në nivel rajonal, kishte objektiv dokumentimin me prova ligjore dhe goditjen e këmbimit të kundërligjshëm të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas.
Një gogol tjetër që përdor Rama për t;i mbajtur kriptomonedhat në zonën e paligjshmërisë është Banka e Shqipërisë.
Një vit më parë, Banka Qendrore publikoi një paralajmërim kundër investimit në asete digjitale.
Por ilegalisht vazhdon shkëmbimi i monedhave virtuale në Shqipëri. Raporti i publikuar nga platforma për kriptomonedha, Chainanalysis, e nxjerr Shqipërinë të dytën pas Greqisë në rajon, për sasinë e kriptomonedhave që zotëron. Mbi 50% e shqiptarëve posedojnë kriptomonedhën Ethereum, 25% kripto me vlerë të fiksuar dhe 10% Bitcoin, pjesa tjetër janë kriptomonedha alternative. Analiza e Chainanalysisn thekson se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kryen transaksionet e monedhave digjitale pa monitorim dhe i paprekur nga sistemet përkatëse.
Vitin e kaluar, Shqipëria pati kriptovalutën e saj të parë – Albcoin (Alb për Shqipëri dhe Coin për monedhë), emri i koduar i së cilës është ALBC.

Kjo kriptomonedhë vepron në rrjetin e Ethereum dhe xDai, ku ndryshe nga Bitcoin, është më i sigurt dhe transparent në transaksione.

Ndërkaq, Bitcoin po ndihmon gjithashtu në rritjen e numrit të bizneseve që pranojnë monedhën digjitale. Disa biznese shqiptare kanë filluar ta pranojnë Bitcoin si një mënyrë pagese. Kjo po ndihmon në rritjen e kërkesës për monedhën digjitale. Bitcoin po bëhet gjithashtu më popullor si një mënyrë për të dërguar para ndërkombëtarisht.
Ndoshta edhe qeveria po bën një hap para, meqenëse i ka dhënë dritën jeshile Lindës së AKSHI-t që ta fusë kriptomonedhën në prioritetet e zhvillimit. Qysh në vitin 2021, Karçanaj ka deklaruar si synim përdorimin e BlockChain në sistemin e pagesave.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post