Kryeministri Edi Rama duket se është bërë pishman që i dha statusin e investitorit strategjik një prej kompanive të biznesmenit Shpëtim Shijaku, për ndërtimin e një resorti 50 milionë euro në Plazhin e Gjeneralit, në Kavajë.
Pak ditë më parë, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e Ramës, ka vendosur të pezullojë projektin e kompanisë “Meditarrenean Wave”, të cilin e kishte miratuar po vetë në dhjetor të vitit 2021.
Natyrisht, argumenti zyrtar për pezullimin e projektit lidhet me teknikalitete. Por, a është vetëm kaq? Nëse lexohen detajet e vendimit, i miratuar në 1 shkurt 2023, krijohen dyshime të forta se bllokimi i resortit mund të fshehë diçka tjetër.
Statusi investitor
Në 2 Dhjetor të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjik miratoi statusin e investitorit strategjik per projektin “Meditarrenean Wave”, të propozuar nga kompania me të njëjtën emër, në pronësi të Shpëtim Shijakut.
Sipas vendimit të asaj kohe, subjekti privat propozon një investim me vlerë mbi 50 milionë euro në fshatin Peqinaj, në Kavajë.
Projekti i investimit synon ndërtimin e një kompleksi turistik, i cili do të jetë multidimensional në tipologjitë e akomodimit dhe faciliteteve që do t’u ofrojë pushuesve dhe vizitorëve. Kompleksi do të ketë në përbërje hotele, vila hotelerie (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe dhe hapësira për aktivitete dhe sistemime të vijës bregdetare.
Në vendim thuhet se sipërfaqja e ndërtimit është 130,350 m² dhe mbi 69,318 m² sipërfaqe ndërtimi të hapura, me një total prej 199,668 m² sipërfaqe ndërtimore.
Gjithashtu, Këshilli i Investimeve Strategjike miratoi edhe masat mbështetëse të asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike. Të gjitha këto masa mbështetëse ishin detyrë e institucioneve publike.
Ndërkohë që statusi i investitorit strategjik i jep biznesmenit Shijaku drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet. Përveçse prona do i kalojë pronën privatit, shteti ka marrë përsipër të ndërtojë të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike.
Pezullimi i investimit
Në Shkurt 2023, Komiteti i Investimeve Strategjike rimerr në shqyrtim çështjen e “Mediterranean Wave”, për të vlerësuar nëse institucionet publike kishin përmbushur detyrimet e tyre.
Në 1 shkurt 2023, Komiteti i drejtuar nga Edi Rama vlerësoi kryesisht të dhënat dhe treguesit zhvillimor të projektit të investimit strategjik, vlerëson se ai duhet të rishikohet për sa i përket gjurmës dhe sipërfaqes së propozuar për ndërtimin e tij.
Sipas këtij vendimi të rishikuar kryesisht nga Komiteti (pra, me iniciativën e vetë atij institucioni), “subjekti investues “Mediterranean Wave” sh.p.k. me NUIS M11916014A të rishikojë dhe të paraqesë një gjurmë të re të ndërtimit të projektit të investimit strategjik”.
Po ashtu, “gjurma e re e rishikuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, duhet të paraqitet së bashku me Planin e Gjelbërimit, pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimit, brenda dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga njoftimi i këtij vendimi. Në rast të mosrespektimit të këtij kushti, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë Vendimin Nr.11/9 të datës 2.12.2021 për dhënien e statusit strategjik”.
Deri në përmbushjen e detyrimeve, sipas parashikimeve të këtij vendimi “nga subjekti investues, efektet juridike të Vendimit Nr. 11/9 të datës 2.12.2021 të Komitetit të Investimeve Strategjike “Për miratimin e statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin e investimit “Mediterranean Wave” me subjekt aplikues shoqëria “Mediterranean Wave” sh.p.k. me NUIS M11916014A”, pezullohen”.
Plazhi i lakmuar
Plazhi i Gjeneralit ka qenë lakmi e vjetër e investitorëve që kanë synuar përfitimin e pronave publike. Investimi i një kompanie zvicerane ka qenë shkaku i falsifikimit të dokumenteve në Plazhin e Gjeneralit, pjesë e komunës Synej, Kavajë.
Plazhi duket se ka ngjallur interesin në 2009, sapo kanë parë që në lojë kanë hyrë 520 milionë euro të ofruara nga një kompani turizmi zvicerane. Deri më tani pjesa e plazhit dhe zona rreth tij ka qenë repart ushtarak dhe më pas pronë e komunës Synej.
Por interesimi i investitorëve zviceranë ka bërë që të ngjallen interesa për këtë copë bregdet të braktisur dhe menjëherë kanë hyrë në punë falsifikatorët, të cilët, kur bëhet fjalë për shumë të tilla, janë përherë njerëz të afërt me pushtetin. Projekti i ofruar nga kompania zvicerane është akoma në fazën e idesë dhe kërkesa është dorëzuar në zyrën e Urbanistikës së komunës Synej.
Kryetari i kësaj komune, në një prononcim për median, ka pranuar se projekti është miratuar në KRRT e kësaj komune, por më pas nuk pranoi të prononcohej më për këtë çështje, duke refuzuar të thotë dhe emrin e kompanisë në fjalë.
Të gjitha përfitimet më tej do t’i shkonin komunës së Synejit, e cila ishte dhe pronarja e tokës. Ka qenë pikërisht ky fakt, si dhe sinjalet që në këtë zonë priteshin investime të mëdha, ajo që ka vënë në lëvizje grabitësit e tokave, dhe që me anë të një avokati, i lidhur ngushtë me fijet e pushtetit, ka bërë të mundur falsifikimin e dokumentacionit.
Kanë falsifikuar hartat, duke bërë të mundur që toka arë të lëna djerrë me kilometra larg bregdetit një ditë papritur të shfaqen në buzë të tij. Dhe nuk kanë qenë pak, por 48 hektarë, pra, i gjithë plazhi i kësaj zone i planifikuar të shndërrohej në një resort turistik nga kompania zvicerane.
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post