Dy ngjarje ndodhën në të njëjtën kohë, ditën e djeshme, njëra në Tiranë, tjetra në Stamboll. Ndërsa në Turqi plasën protestat e studentëve për arrestimin e kryebashkiakut nga Erdogani, në Tiranë “kryengritja” e njerëzve të Erion Veliajt në bashki kundër urdhrave të Kryeministrit Rama. Nga qelia e ftohtë, ku po qëndron nën hetim për korrupsion, Erion Veliaj i ka shpallur luftë Ramës.
Kryengritja e Veliajt ndaj Ramës
Më 11 shkurt 2025, një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, Kryeministri Rama me një lëvizje të paprededentë, shkoi në bashki dhe mblodhi stafin duke emëruar në krye një prej nënkryetareve. Sipas ligjit, këtë punë duhet ta bëjë këshilli bashkiak, por atje janë njerëzit e besuar të Veliajt dhe opozita që gjendet në një aleancë fluide të fshehtë me kryebashkiakun pasi i bashkon urrejtja për SPAK-un.
Me një urdhër gojor, Rama komandoi në vend të kryetarit të arrestuar Anuela Ristanin, një nga nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës.
Një muaj më pas ndodh çudia. Sipas urdhrit me nr prot. 592, dt 18.3.2025 të firmosur nga Veliaj në qeli, është caktuar Sara Goxhaj që të jetë kryetare e Bashkisë Tiranë.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,
URDHËROJ:
Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.
Veliaj përcaktonte gjithashtu që sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Alban Dokushi të ngarkohej me zbatimin e urdhrit.
Por këto lëvizje nuk kanë marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama, i cili mbrëmë në një vizitë në Bashki, ka zhbërë gjithçka.
Burimet bëjnë të ditur se ai i ka kërkuar Protokollit që të mos protokollojë urdhrin e nxjerrë nga Veliaj për marrjen e detyrave të kryetarit të Bashkisë nga Sara Goxhaj, duke e larguar këtë të fundit nga pozicioni si dhe ka konfirmuar në detyrë Anuela Ristanin.
Pas burgosjes së Veliajt, Rama dhe Anuela Ristani, kanë qenë së bashku në disa inspektime dhe inaugurime të punëve të Tiranës.
Rama po ashtu ka shkarkuar Alban Dokushin si Sekretar i Përgjithshëm dhe ka emëruar Jonida Halilin në këtë post, e cila më parë ka mbajtur postin e zv/kryetares së Bashkisë.
Ky veprim i Ramës nuk është pritur mirë nga Veliaj, i cili nga burgu i Durrësit ka urdhëruar policinë Bashkiake në Tiranë që ruan institucionin e Bashkisë që mos të lejojnë hyrjen e Halilit në Bashki. Bashkia tashmë është e paralizuar dhe për momentin merr urdhra vetëm nga qelia e burgut të Durrësit.
Nga ana ligjore, kryeministri Rama nuk ka të drejtë komandojë apo shkarkojë asnjë pjesëtar të stafit të bashkisë.
I tronditur se kryengritja e Veliajt nga bashkia do të përhapet në Partinë Socialiste, kryeministri ka dalë dje në terren. Ai është parë i veshur me xhup duke kontrolluar kazanët e plehrave dhe punëtorët e mirëmbajtjes. Bashkia i ka dalë nga kontrolli dhe Rama nuk ka mekanizëm ligjor që ta marrë sërish nën sqetull. Ai mund të shkarkojë
vetëm kryetarin e bashkisë në rastin kur ai dënohet me vendim të formës se prerë. Por vetëm kryetarin dhe jo stafin e tij, pasi kjo është kompetence e këshillit bashkiak.
Pse e arrestoi Erdogan kryebashkiakun e Stambollit?
Ngjarjet duken të ngjashme, sepse Edi Rama e ka idhull Erdoganin dhe ndjek në politikë shembullin e tij. Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe terrorizmit. İmamoglu u ndalua pas kontrollit në shtëpinë e tij. Janë lëshuar urdhra arresti ndaj 100 personave të tjerë, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë. Akuzat variojnë nga korrupsioni te terrorizmi.
Imamoglu i Partisë Republikane Popullore (CHP), përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Në një video të postuar në X para se të arrestohej nga forcat e rendit, Imamoglu, kryebashkiak në mandatin e tij të dytë dhe një kundërshtar i fortë i presidentit turk Erdogan, tha: “Qindra oficerë policie u shfaqën në derën time dhe hynë në shtëpinë time. Unë kam besim te kombi im. Ne po përballemi me një tirani të madhe. Por dua ta dini se nuk do të dorëzohem”.
Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta masive dhe përplasje me policinë.
Ndalimi erdhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoglut, me pretendimin se është false. Sipas universitetit, diploma përmban “gabime të dukshme”. Diploma nga Universiteti Amerikan Girne (GAU) në Qipron Veriore e lejoi atë të regjistrohej në Universitetin e Stambollit në vitin 1990, por që mund të mos konsiderohet e vlefshme në Turqi.
Kjo lëvizje vjen gjithashtu disa ditë përpara se Partia Popullore Republikane (CHP) kryesore e opozitës të planifikojë të mbajë zgjedhjet paraprake, ku Imamoglu pritej të zgjidhej si kandidati i saj presidencial.
Marrja e diplomës universitare është një nga kërkesat për të kandiduar për president të Republikës dhe Imamoglu kishte shpallur tashmë synimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Kryebashkiaku i Stambollit e quajti të paligjshëm vendimin e universitetit, duke argumentuar se bordi drejtues nuk kishte të drejtë të anulonte diplomën dhe një vendim i tillë i takonte vetëm “Bordit të Drejtorëve të Administrimit të Biznesit”, fakultetit ku ai studionte.
Ja pse u revoltua Veliaj me Ramën
Në fillim pas arrestimit, Rama u duk sikur po e mbronte Veliajn dhe donte ta shpëtonte nga hetimi i SPAK, por kjo ishte vetëm sa për të mbuluar operacionin e marrjes në dorë të bashkisë, që është praktikisht nën pushtetin e keybashkiakut të arrestuar. Më pas doli në dritë se njerëzit e Ramës ishin të implikuar direkt në hetimin dhe arrestimin e Veliajt për korrupsion.
“Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje se fal, për 7 breza do ta shkrij”, është një nga citimet që dyshohet të ketë folur kryebashkiaku Veliaj me familjarët. Biseda është transkriptuar nga përgjimet e bëra në qelinë e paraburgimit. Përgjimi thuhet se është bërë me ndihmën e ministrit Ulsi Manja. Pas izolimit të Veliajt ka pasur dyshim të arsyeshëm që brenda institucionit ka pasur celular, i futur në mënyrë të paligjshme. Është vendosur kontroll nga Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë dhe grupi i gatshëm ka shkuar në qelinë e Veliajt dhe e kanë ‘përmbysur’. E vetmja mundësi kontakti me familjen, avokatin, e njerëzit e besuar, ishte kabina telefonike brenda paraburgimit. SPAK ka marrë autorizim të veçantë për të përgjuar vëllain, bashkëshorten dhe njerëz që mund të flisnin me Veliajn. Këto prova janë përdorur për të lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’.
Makthi i Ramës se mos Veliaj i merr partinë
Shqetësimi I Ramës se mos Veliaj i merr partinë është arsyeja kryesore, përse u përgatit denoncimi anonim për kryetarin e bashkisë Tiranë që vuri në lëvizje SPAK. Ky rrezik është real për Ramën, prandaj përfundimihst e ka shitur dhe ka ndihmuar indirekt që të fundoset nga akuza. Në këtë kontekst, qysh para arrestimit, në ndarjen e posteve të drejtimit të fushatës elektorale, Veliajt iu hoq drejtimi i Tiranës. Ndërkohë, duke parashikuar se mundet të ketë një aleancë mes Berishës, Metës dhe Veliajt, shihet se Rama po mundohet të faktorizojë Lulzim Bashën që të ngrejë aksionet brenda opozitës.
Rama në këto manovra për mbajtjen e pushtetit merr skemat e Erdoganit. Pas ndalimit të Imamoglu, guvernatori i Stambollit pezulloi të drejtën për të demonstruar në qytet deri më 23 mars “për të ruajtur rendin publik”. Sipas vëzhguesit të internetit NetBlocks, qasja në X, YouTube, Instagram dhe TikTok është kufizuar në vend.
Në të njëjtën mënyrë, kryemnistri Rama ka urdhëruar mbylljen e Tik Tok që hyri në fuqi disa ditë më parë. Gjendemi para një përplasje brenda pushtetit njësoj si në Stamboll dhe pritet të shohim përplasje më të mëdha para zgjedhjeve.
Po ashtu, nën shembullin e Erdogan, kryeministri ynë përgatitet të mbajë pushtetin pambarim dhe në këtë kuadër i duhet të fitojë sa më shumë deputetë që të ndryshojë kushtetutën dhe të marrë komptenca që nuk i ka. Pengesë mund t’i bëhet lufta e brendshme në PS.
Nuk është çudi që “kryengritja” e Veliajt në bashki dhe PS të shoqërohet me protesta si në Stamboll dhe të ketë tronditje të pushtetit të Ramën para zgjedhjeve.
Discussion about this post