Një raport i OECD mbi çmimet dhe subvencionet e energjisë në Ballkanin Perëndimor vë në dukje se rritjet e mundshme të çmimeve të energjisë elektrike në Shqipëri mund të kenë pasoja të ndjeshme sociale, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, nëse nuk shoqërohen me masa të mirëtargetuara mbështetëse dhe investime në eficiencë energjetike.
Sipas analizës së OECD, zgjerimi i ndihmës sociale, në formën aktuale, mund të mos jetë i mjaftueshëm për të kompensuar shtresat në nevojë nga efektet negative të reformave në sektorin e energjisë. Një rritje prej 40% e çmimit të energjisë elektrike në Shqipëri do të kërkonte transferta shtesë në vlerën 2 511 milionë lekë, duke supozuar se nuk ka reagim të kërkesës nga ana e familjeve. Ky vlerësim bazohet në të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjeve (HBS) për shpenzimet e konsumit të energjisë elektrike.
Konsumi i energjisë, pak elastik në afatshkurtër
Raporti thekson se, edhe pse pritet që familjet të ulin konsumin përballë rritjes së çmimeve, konsumi rezidencial i energjisë elektrike është relativisht jo elastik në afatshkurtër. Kjo do të thotë se familjet, sidomos ato më të varfra, kanë pak hapësirë për të reduktuar shpenzimet pa cenuar nevojat bazë.
Duke iu referuar të dhënave të SILC, OECD vëren se në vitin 2021, vetëm 43% e përfitimeve nga Ndihma Ekonomike (NE) kanë shkuar te dy decilet më të ulëta të shpërndarjes së të ardhurave. Nëse ky nivel efikasiteti i targetimit do të ruhej edhe pas një rritjeje të çmimeve, buxheti i Ndihmës Ekonomike do të duhej të rritej me 4.6 miliardë lekë, ose 38.7 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 96% krahasuar me niveli aktual.
Raporti nënvizon se nevojitet analizë e mëtejshme për të garantuar që transfertat e rritura do të arrinin realisht tek familjet që kanë më shumë nevojë. Për krahasim, një rritje më e moderuar e çmimit të energjisë, prej 20%, do të kërkonte gjithsesi një rritje prej 48% të buxhetit të Ndihmës Ekonomike, ose rreth 19.4 milionë euro.
Targetimi më i mirë mund të ulë ndjeshëm kostot
OECD thekson se përmirësimi i targetimit dhe ndërhyrjet në eficiencë energjetike mund të reduktojnë ndjeshëm nevojën për kompensim financiar. Nëse Ndihma Ekonomike do të përqendrohej plotësisht vetëm te dy decilet më të ulëta të të ardhurave, kostot e kompensimit do të përgjysmoheshin. Në këtë skenar, kompensimi i nevojshëm do të ishte rreth 16.6 milionë euro për një rritje çmimi prej 40%, dhe 8.3 milionë euro për një rritje prej 20%.
Raporti vë në dukje gjithashtu se këto llogaritje nuk marrin parasysh reagimin e kërkesës. Në afat të gjatë, një elasticitet çmimi rreth 50% do të përgjysmonte burimet e nevojshme për masat kompensuese. Megjithatë, OECD nënvizon se Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te mekanizmat e tregut dhe duhet të shoqërojë çdo reformë me politika aktive për eficiencë energjetike, të fokusuara te familjet me të ardhura të ulëta.
Varfëria energjetike, një rrezik i gjerë në Shqipëri
Raporti shkon përtej çështjes së kompensimit financiar dhe ngre alarmin për përmasat e varfërisë energjetike në Shqipëri. Sipas treguesve subjektivë konsensualë të SILC, ndërmjet 20% dhe 40% e familjeve shqiptare përballen aktualisht me varfëri energjetike. Kjo përfshin familje që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta, që kanë vonesa në pagesat e faturave të shërbimeve, ose që jetojnë në banesa me kushte që pengojnë eficiencën energjetike.
Një metodë alternative e përdorur ndërkombëtarisht për matjen e varfërisë energjetike është pragu prej 10% të të ardhurave ose shpenzimeve të familjes për energji, një qasje e përdorur, ndër të tjera, në Itali dhe në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar. Në Shqipëri, sipas OECD, 45% e familjeve shpenzojnë mbi 10% të shpenzimeve të tyre totale për energji. Madje, për katër decilet e para të shpërndarjes së shpenzimeve të konsumit, familja mesatare shpenzon mbi këtë prag, duke treguar se rreziku i varfërisë energjetike shtrihet përtej popullsisë që klasifikohet tradicionalisht si e varfër.
Reforma energjetike kërkon politika të kombinuara
Në përfundim, OECD thekson se çdo reformë e çmimeve të energjisë në Shqipëri duhet të shoqërohet nga një kombinim i masave: kompensim financiar i mirëtargetuar, përmirësim i eficiencës energjetike dhe politika strukturore që reduktojnë varësinë e familjeve të varfra nga çmimet e larta të energjisë. Pa këto ndërhyrje, rritjet e çmimeve rrezikojnë të thellojnë varfërinë energjetike dhe pabarazitë sociale në vend./ekofin.al










Discussion about this post