Pas ditësh izolimi dhe tensioni për qarkullimin në një nga akset më problematike në vend, këtë të dielë është rikthyer lëvizja e këmbësorëve në segmentin e dëmtuar të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Segmenti ishte dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e tokës, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe duke krijuar rrezik të shtuar për përdoruesit e rrugës. Ndërhyrja e fundit synon të sigurojë një zgjidhje të përkohshme, deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe nisjen e punimeve për rikonstruksionin përfundimtar.
Aktualisht, kalimi lejohet vetëm për këmbësorë, ndërsa për automjetet vijon të mbetet në fuqi pezullimi i qarkullimit në këtë segment, për shkak të rrezikut që paraqet struktura e dëmtuar e rrugës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit në zonë dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me ecurinë e punimeve.
gijotina.com/










Discussion about this post