Në seancën e sotme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave u diskutua projektligji për lojërat e fatit.
Zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero shpjegoi se rikthimi i lojërave të fatit do të jetë online nëpërmjet platformave elektronike dhe jo fizikisht.
Mbledhja u shoqërua me debate dhe diskutime mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës.
Deputetja Jorida Tabaku ngriti shqetësimin e rikthimit të lojërave të fatit dhe se pse sot qeveria shqiptare ktheu ligjin, ku fjalia kyç është “rikthimi i kategorisë së basteve sportive”, që do të thotë pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe pranohet që në 6 vite kanë operuar bastet sportive, paska dhe një shoqatë bastesh sportive kur ndërkohë nuk lejoheshin.
“Komisioni i Ekonomisë vite më parë pati debat të gjatë në lidhje me ligjin për lojërat e fatit, ligj për të cilin unë sot e kësaj dite jam në proces gjyqsor me Kryeministrin e vendit.
Z. Braçe atëherë, shumë aktiv në diskutimet e tij, tha që këto nuk do të riktheheshin më në asnjë formë dhe që do mbyllej përfundimisht epoka e marrëdhënies së shqiptarëve me lojërat e fatit. Përdorën terma nga “barkderrët e alkoolizuar” që hanë të ardhurat e familjeve shqiptare deri tek termat që lidhen me të ardhurat ekonomike do i vinin shtesë buxhetit të shtetit.
Pasi qeveria shqiptare e mbylli marrëzinë e fundit, akuza konkrete që ne diskutuam në Komision ishte që po mbyllen lojërat e fatit dhe po mbyllen të gjithë operatorët e vegjël, 4600, për t’i përqëndruar këto në pak duar.
Në 2013 ishin 800 kompani që ofronin lojra fati, në 2015 kur ne diskutuam ligjin ishin mbi 4300. Pra pati një shpërthim të kompanive që ofronin lojërat e fatit. Ndërkohë që sot ndodhemi në faktin ku ligji për lojërat e fatit është 1 nga 12 ligjet që ky parlament akuzohet që e ka miratuar në mbështetje të interesave të grupeve të lojërave të fatit. Është një nga ligjet që thuhet që është kapje shteti, e cilëson parlamentin dhe ata që kanë votuar këtë ligj si të kapur nga bizneset e lojërave të fatit.
Përpara seancës, në 2016, në kërkesë të dy kolegëve socialist, ku njërin sot e kemi dhe ambasador, u bënë propozime në interes të kompanive të lojërave të fatit. Këto 2 kërkesa e ndryshuan thelbin e ligjit.
Sot qeveria shqiptare kthen ligjin, ku fjalia kyç është “rikthimi i kategorisë së basteve sportive”, që do të thotë pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe pranohet që në 6 vite kanë operuar bastet sportive, paska dhe një shoqatë bastesh sportive kur ndërkohë nuk lejoheshin. Si mund të ekzistojë një shoqatë për një aktivitet që nuk lejohet?
Mbyllja nga ana e qeverisë çoi në përqëndrimin tëk pak kompani të mëdhaja, që ju i keni konsultuar për ligjin; çoi në informalitetin e lartë në lojërat e fatit dhe në eleminimin e gjithë këtyre pikave dhe operatorëve të vegjël për të përqëndruar në këto duar që ju keni konsultuar për këtë ligj.
Znj. Zv/ ministre tha që ky ligj ka pasur një konsultim të gjatë, por tek dokumenti i sjellë nga qeveria thuhet se kohëzgjatja e konsultimit publik ka qënë 20 ditë punë. Jeni ulur me grupet e interesit dhe këto kompani por kjo nuk quhet konsultim.
Është njësoj si bordi i naftës dhe bordi i ushqimeve. Jeni ulur me to dhe keni rënë dakord me çfarë duhet të bini dakord me to. Sot rikthimi i këtij ligji vendos një njollë tjetër për këtë parlament dhe rrezikun potencial të lojërave të fatit, që në pastrimin e parave është një nga tre sektorët potencial.
Projektligji dhe të gjitha dokumentet që ju keni nisur nuk na sqaron asnjë rast sa kazino keni licensuar deri më sot, sa subjekte ka, sa janë subjektet që kanë resort-kazino. Ligji prek dhe llotarinë kombëtare dhe elementë tjerë të lojërave të fatit dhe as këto nuk janë të sqaruara këtu.
Është e pakonceptueshme që këto lojra të jenë të reklamuara në mediat elektronike. Është hequr termi “media elektronike” nga ligji, që do të thotë që kushdo që ka një smartphone dhe internet, pavarësisht moshës, ndodhet përpara rrezikut potencial të basteve sportive online.
Çështja sociale është çështja morale që qeveria juaj e nisi këtë ligj në 2013. Jam e sigurt që sot pas 10 vitesh nuk ka asnjë çështje morale që ju mund të mbani, të paktën me këtë ligj jo por dhe me asnjë tjetër. Por të paktën kjo është arsyeja që erdhët dhe i thatë këtij parlamenti që po i hiqni nga shkollat, nga cepet e rrugëve dhe po i’a vendosi sot para syve gjithë shqiptarëve, gjithë fëmijëve.
Jeni konsultuar dhe me FSHF që unë nuk e kuptoj arsyjen përse, sepse ata do të marrin përfitimet në këtë rast dhe kompanitë që jeni konsultuar besoj kanë dhe licensën e kazinove, megjithëse nuk i keni përmendur se kush janë subjektet që janë licensuar për kazino në këtë projektligj.
Ky projektligj ka dhe një hapësirë të madhe përsa i përket interpretimit të taksave, si do të jetë analiza që ju do të llogarisni fitimin? Lëvizni nga koncepti i tatimin mbi fitimin 15%, kaloni tëk qarkullimi, tek të ardhurat duke e komplikuar skemën, prek legjislacionin që lidhet me bankat sepse bankat që do të kenë lidhje me këtë aktivitet do të licensohen nga Banka e Shqipërisë tashmë; prekni dhe legjislacionin që lidhet me Agjencinë e Mbikqyrjes Financiare duke krijuar një Komitet licensimi tashmë që zëvendësohet nga zv. Kryeministrja.
Janë 3 ligje që preken paralelisht dhe është rreziku potencial i pastrimit të parave, por ajo çfarë është më e rëndësishmja është dështimi i një beteje që qeveria i vuri ballin, që akuzoi dhe që sot po rikthehet pas.
Për mua rreziku më i madh është që u mbyllën gjitha ato pika dhe e përqëndruat në pak duar. Ky është kontrrolli i tregut, ky është korrupsioni me ligj, që me këtë ligj përsëri e sillni këtu në parlament.
Shpresoj shumë që kolegët socialistë të kenë të njëjtën pikëpamje që kishin kur e diskutuam për herë të parë në 2015 dhe shpresoj që ky komision të këtë mundësinë të konsultohet me grupet e interesit reale, jo me këto që përfitojmë.
Këto që ju jeni konsultuar për 20 ditë, janë ata që përfitojnë, nuk është ky konsultimi publik. Janë konsultime të cilat duhet të realizohen me grupet vulnerabël, me ata që preken, me ata që kanë varësi nga lojërat e fatit, sepse këtë detyrim moral e morët kur sollët ligjin. Nuk e morët detyrimin për t’u dhënë licensa kazioneve të mëdha dhe resorteve. E morët detyrimin për familjet, për të hequr bastet sportive.
Në konsultimet publike të cilat kanë qënë sporadike dhe jo të gjëra siç thotë zv. Ministrja, çdo mendim tjetër që ka qënë për çështjet dytësorë të basteve sportive ju e keni eleminuar, por ligjin e keni ndryshuar, keni prekur llotarinë kombëtare dhe aspekte të tjera të funksionimit të ligjit, keni prekur çështjen e publicitetit dhe çështje që lidhen me mungesën e konkurrencës në subjektet që aplikojnë, sepse kriteret e parashikuara për licensë për bastet sportive janë të ngurta që i plotësojnë vetëm këto kazinotë. Pra, përsëri keni një ngushtim tregu!
Kemi një shqetësim që ne e kemi diskutuar në këtë komision për shumë sektorë, një përqëndrim tregu tek karburantet, tek sigurimet, tek ushqimet dhe tek çdo lloj sektori ju sot keni vetëm një përqëndrim në pak operatorë, në pak duar, që ka limituar konkurrencën dhe e ka prishur tregun në çdo sektor.
Por shqetësimi për lojërat e fatit është social. Nuk ka asnjë analizë konkrete sesa është impakti që ka pasur mbyllja e lojërave të fatit atëherë dhe sesi do të paguajnë këto kompani të ardhura, se sa është xhiroja e parashikuar dhe këto të dhëna nuk janë të elaboruara në relacion.
Nuk ka asnjë llogari që nga 2015 se sa do të përfitonte buxheti i shtetit, sa familje shqiptare prekeshin dhe shumë elementë të tjerë që ju sot po dështoni t’i paraqisni.
Duhet të bëhet transparencë dhe me grupet e tjera të interesit për komisionin e licensave, që është vendosur në mënyrë klienteliste, si funksionin që kishte bordi për caktimin e cmimit të karburantit dhe ushqimeve.
Shpresoj shumë që të hiqni dorë nga reklamimi në mediat elektronike për t’i vendosur bastet sportive në sytë e të gjithë fëmijëve dhe të gjithë shqiptarëve! Sporti është një gjë shumë e bukur që shumë nga ne këtu e kanë pasion dhe kjo që po bëni po e “ndyn” sportin duke futur duart në një biznes të cilin jeni duke e prishur! Rikthimi i basteve dhe fillimi i prezantimit të ligjit me termin “rikthimi i basteve” tregon dështimin e reformës!”, u shpreh Tabaku.
Discussion about this post