Nga Çun Lajçi
Kisha xhiruar film plot tre muaj me aktorin Qiriaqi që kurrë ma parë s’e kisha takuar. Ishim ba miq dhe na dukej se gjithë jetën kishim punua s’bashku, aq shumë u përafruam me njeni tjetrin. E takova edhe në premierë, por e pata edhe mysafir n ‘Prishtinë.
Por kurrë pritë s’e kisha, ta takoj të krrusun e tue iu dridhë kokë e kamë at shtatgjatin Gim që vërtetë ishte aristokrat. Por jeta qenka aq e pamëshirshme, sa as vet s’di çka me ju thanë.
Kishim shkuar me shfaqjen “Tartufi” n ‘Tiranë dhe pas provave, diku rreth orës 11, dola me Bajrush Mjakun n ‘oborrin e Teatrit dhe çka me pa. Agim Qiriaqi po dridhej kokë e kamë dhe mezi po lëvizte.
O Zot thash, a ky qenka ai Kolonel Bunkeri me të cilin hyra e dola tre muaj ditë dhjetëra bunkerëve anë e kand Shqipnisë tue xhirua filmin e Çashkut? Mezi me njohu. E mora ngryk nga mallëngjimi. Me fliste e nuk kuptohej. Vetëm sytë i shndrisnin nga malli që me pa.
I thash Bajrushit, a ta marrim e të shkojmë për drekë në Durrës. Me gjithë qejf me tha, veç ku ta marrim një veturë. Mos u ban merak i thash, Agimi e ka Benzin, se ka qenë te unë në Prishtinë.
Por s’e di se cili prej aktorëve të Teatrit Kombëtar mu afrua e me pëshpëriti në vesh: Kolegë, m ‘tha, shumë mirë kishe me ba nëse e merr Gimin, se gati të gjithë e kane harruar.
Fatkeqësisht, kolegët e tij ikin nga ky. Por kujdes, se ky nuk mundet me vozitë se asht me alzajmer dhe do ta kesh shumë vështirë, sepse nuk e lejon kurrë me ia vozitë Benzin.
Mos u merakos i thash, se mua ma ka hatrin dhe sigurisht do t’me lejon të jem unë shoferi i tij.
Ku e ke Benzin, Gimi i thash? Tue belbëzua bani me kokë në drejtim të veturës se tij. Aty e kishte, n’oborrin e Teatrit. Kishte muaj që s’kishte lëvizë nga aty. I thash, dëgjo.
Ne jemi miq të vjetër dhe tre muaj të kam vozitë me Micubishin tim t ‘vogël, a të prishet qejfi që sot të të vozis me Benzin tënd si dikur dhe bashkë me disa aktor nga Prishtina të drekojmë në plazhin e Durrësit, të hamë peshk si atëherë me polakët kur xhironim.
U mundua t’me thoshte se unë do të vozis, jo ti, por unë tu qeshë i thash: Gimi, jo se na bërtet Çashku. E kuptoj çka deshta t’i them dhe qeshi. Se gjatë xhirimeve Çashku s’kishte merak me vozitë artistët, i druhej ndonje aksidenti e pastaj vajhalli për filmin.
U futen n ‘veturë, Bajrushi mbrapa e Gimi para e unë shoferi dhe u nisa. Meqë kurrë Benz s’kisha vozitë, kisha harrua me e lëshua frenin e dorës.
Nuk e kishte si Fordi im, ai e kishte pas të kama e majt, e Agimi sa mujke i jepte me nxjerrë fjalën tue dasht me thanë shtype frenin, po kurrsesi s’i dilte fjala, e unë s’e kuptoja e vozitsha e ai i t’merumë mos po i prishet vetura diçka bërtiste.
Ma n’fund u morëm vesh dhe e shtypa frenin, por gadi u prisha me te. Bile ma kapi vollanin e deshti me dal me vozitë ai. Por ndërhyni Bajrushi dhe u qetësua. Mbërrimë të plepat, aty afër hotel Adriatikut.
Shkuam aty ku Gimi deshti dhe porositi peshk të egër e fruta deti. Pimë venë të kuqe e mua m’thoshte ti mos pi mbi nji gotë, se je shofer. Shume herë m’i puthi duart gjatë drekës.
Ke ba sevap me mua me thoshte, se prej kohës se xhirimeve këtu në plazhin e Durrësit kurrë ma s’kam qenë. Nuk rrin kush ma me mua, e lere të me gostis dikund me ndoni drekë apo darkë.
Sa e dhimbshme ishte ajo që po me tregonte aktori i madh shqiptar i qindra roleve. E mjerueshme m’u duk Shqipnia atë ditë. Të mjerueshëm edhe kolegët e mi shqiptarë. Po si iket nga nji yll filmi e Teatri për shkak të sëmundjes i thosha vetës. E ktheva në Tiranë.
Benzin prap ia parkova aty ku deshti ai. Nuk di a hyni në sallë m’e pa ‘’Tartufin’’ e kolegun Çun atë natë, sepse kur u ndamë m’tha po shkoj pak me pushua se jam i lodhun dhe m’i puthi prap duarët tue belbëzua: ma mbushe zemren plot jetë sot more kosovari im me tha.
Ajo natë futë e zezë na ndau përgjithmonë, tue ma lanë kujtimin e nji dreke e të nji filmi.
Vdiq n ‘vetmi tue iu dridhë duar e kamë. Medet që s’mujta me marrë pjesë në varrimin e tij, se fatkeqësisht isha në shesh xhirim të Guri i Zi në Shkodër, e regjisori amerikan s’ma plotësoj dëshirën kur e luta.
Nuk guxoj prej producentit me ndërpre xhirimin me tha. Unë kurrë s’e harrova drekën e fundit me Ty Agim Qiriaqi dhe Benzin tand që mbet shkret n ‘oborrin e Teatrit Kombëtar./albeu.com
Discussion about this post