Tre efektivë të policisë kufitare të Kosovës u rrëmbyen brenda territorit të saj nga forcat speciale serbe, ndoshta ngjarja më e rëndë që pason tensionet dhe përplasjet në Veri.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq.
Rrëmbimi ka sjellë akuza mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë BE pret hetimet nga KFOR, një qëndrim ky i shfaqur edhe nga Edi Rama. Ndërsa nga SHBA ka pasur një heshtje, të paktën në deklaratat publike.
***
Policët e rrëmbyer u identifikuan si Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi. Nga raportimet mediatike mësohet se ata janë transportuar në Beograd, ndërsa në fotot e publikuara fillimisht nga mediat serbe, shihen efektivët të lidhur, të shtrirë në tokë dhe me sy të mbuluar.
Policia e Kosovës në reagimin e saj e konsideroi ngjarjen si një rrëmbim të organizuar brenda territorit të Kosovës. Madje ngjarja u konsiderua si një hakmarrje e Beogradit lidhur me arrestimin e Millun Millenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët shqiptarë në very të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka rrëmbyer tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon rrëmbimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.
Pak orë pas ngjarjes së rëndë pati një reagim nga ana e Kosovës, duke ndaluar hyrjen e mallrave serbe, por edhe të automjeteve me targa të Serbisë. Njëherazi Ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi nga shqiptarët që të shmangin udhëtimet përmes territorit serb.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se pas rrëmbimit të 3 policëve, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare, duke shmangur në këtë mënyrë ndodnjë hakmarrje të mundshme ndaj serbëve që futen në Kosovë.
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës”, njofton Kryeziu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “rrëmbimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani, duke shtuar se zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviqi cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, tha Kurti. Gjithashtu ai bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë dhe ftoi faktorin ndërkombëtar, të dënojë, atë që ai e quajti, “akt agresioni të Serbisë”.
“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, shkroi ai në Facebook.
***
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve kosovarë në Veri të Kosovës.
Ai ka thënë se po e presin KFOR-in që ta hetojë rastin që ndodhi të mërkurën.
”Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka shkruar Rama në Twitter.
“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, ka thënë ai.
***
Në anën tjetër, Beogradi pretendon se policët kufitarë të Kosovës u arrestuan në territorin e Serbisë. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.
“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.
Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhelko Bërkiq, gjatë një konference për media tha se policët e Kosovës kanë ardhur me veturë zyrtare në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku e kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë- Gnjillicë, ku, sipas tij, janë lokalizuar dhe arrestuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka deklaruar se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.
Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
“Jemi në udhëkryq. Jo për shkak të qëllimeve tona për të mos pasur paqe, por sepse është një njeri në Ballkan që dëshiron të ketë luftë dhe të provokojë luftë me çdo çmim”, ka thënë Vuçiq në RTS.
Gjithashtu, Vuçiq ka thënë se sipas rregullave, Kosova nuk mund të vendosë ndalesë ndaj mallrave serbe. Sipas tij, me këtë lëvizje, Kurti dëshiron t’i sjellë serbët e Kosovës në një gjendje të rëndë urie.
“Asnjë shqiptar nuk është qëlluar, dhe që nga fillimi i vitit kemi pasur 6 serbë të qëlluar”, ka thënë ai.
***
Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat special serbe ka sjellë edhe reagimin nga Bashkimi Europian. Peter Stano, Zëdhënës i BE-së, tha se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in për të verifikuar ngjarjet që ndodhën në vijën kufitare.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha ai.
KFOR ka thënë se nuk është i përfshirë në ngjarjen e sotme ku u rrëmbyen tre policisë kosovarë.
KFOR ka treguar se janë në komunikim me autoritetet serbe për të mësuar çfarë ka ndodhur.
“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me pjesëtarët e pemëve të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”, thuhet në reagim
Discussion about this post