Rripi i Gazës mund të jetë në prag të një krize të re humanitare, nëse nuk lejohet depërtimi i ndihmave për 2.3 milionë banorët që jetojnë atje, paralajmërojnë organizatat e ndihmave.
Marta Lorenzo, nga Agjencia për Refugjatët Palestinezë e Kombeve të Bashkuara (UNRWA), thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se prej se Izraeli urdhëroi rrethimin e plotë të Gazës më 9 tetor, organizata e saj nuk ka mundur të depërtojë me ndihma shtesë.
“Ne i kemi depot tona ku kemi furnizime, ushqime dhe artikuj bazë që mund t’iu shpërndahen banorëve palestinezë. Por, sigurisht, ato nuk do të zgjasin përgjithmonë. Këto burime po shterohen shumë shpejt. Do të na duhen korridore humanitare që të vazhdojmë të dërgojmë artikuj në Rripin e Gazës”, thotë Lorenzo, drejtore e Zyrës Përfaqësuese të UNRWA-së për Evropën.
Më 7 tetor, grupi militant i Hamasit, i cili ka nën kontroll Gazën nga viti 2007, nisi të sulmonte papritur Izraelin. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore. Përleshjet mes dy palëve vazhdojnë ende.
Autoritetet në Izrael raportuan për së paku 1.000 njerëz të vrarë, ndërsa ato në Gazë për më shumë se 750.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se është “thellësisht i shqetësuar” me rrethimin e plotë që Izraeli i ka bërë Rripit të Gazës.
Izraeli, prej vitesh, kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë dhe vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e saj kufitare.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na thoni se si është situata në Gazë, bazuar në informacionet që keni tash për tash?
Marta Lorenzo: Ajo ndryshon shumë, shumë shpejt. Kemi parë që në ditët e fundit ka pasur një zhvendosje masive të njerëzve në strehimoret tona. Kur them strehimore, u referohem shkollave. Kemi 64 shkolla që shndërrohen në strehimore kur ndodh një krizë. Tani për tani, kemi rreth 137.000 njerëz të zhvendosur atje. Jemi gati të arrijmë kapacitetin tonë maksimal. Sepse, në momentin që bëhen 150.000 njerëz, do të jetë shumë e vështirë të akomodohen më shumë. Mendoj se kjo është e rëndësishme.
Duhet theksuar, po ashtu, se derisa vazhdon përshkallëzimi i situatës, dërgimi i ndihmave tona humanitare bëhet gjithnjë e më i vështirë. Para se të fillonte kriza, ne kemi ofruar ndihma humanitare, ndihma ushqimore, dhe këto programe është dashur të ndërpriten.
Nëse, për shembull, i referohem ndihmës ushqimore, e kam fjalën për 1.2 milion njerëz, që nënkupton pothuajse 60% të popullsisë së përgjithshme në Gazë. Aq varen nga ndihmat ushqimore që siguron UNRWA.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë furnizimesh ka aktualisht në Gazë kur bëhet fjalë për ushqimin, ujin dhe produktet e tjera kryesore?
Marta Lorenzo: Nuk mund të flas në emër të të tjerëve, sepse nuk i kam informacionet e plota. Por, ajo që mund t’ju them është se ne i kemi depot tona ku kemi furnizime, ushqime dhe artikuj bazë që mund t’iu shpërndahen banorëve palestinezë. Por, sigurisht, ato nuk do të zgjasin përgjithmonë. Këto burime do të shterohen shumë shpejt. Do të na duhen korridore humanitare që të vazhdojmë të dërgojmë artikuj në Rripin e Gazës.
Në anën tjetër, ne kemi nevojë që dhuna të ndalet, sepse është shumë vështirë të ofrohen ndihma humanitare nëse nuk jeni në gjendje të lëvizni të sigurt brenda instalimeve të ndryshme që keni.
Radio Evropa e Lirë: Izraeli deklaroi dje [9 tetor] rrethim të plotë të Gazës. Çfarë do të thotë kjo për popullsinë që jeton atje dhe për punën tuaj gjithashtu?
Marta Lorenzo: Nuk duhet të harrojmë se Gaza ka qenë nën rrethim në 16 vjetët e fundit. Kjo nuk është kriza e parë; është e shtata nga viti 2007. [Rrethimi] do të thotë, natyrisht, ndërprerje totale e shërbimeve tona.
Kemi pasur 300.000 fëmijë të regjistruar në shkollat tona, në 280 shkolla. Arsimimi është ndalur. Shërbimet shëndetësore nuk kanë ndaluar plotësisht, por mund të ofrojmë vetëm shërbime minimale – pra, kujdes parësor shëndetësor. Furnizimi me energji elektrike nuk është i garantuar. Furnizimi me ujë nuk është i garantuar. Uji veçmë ishte i ndotur, sepse 99% e ujit në Gazë nuk është i pijshëm.
Pra, situata ishte e keqe dhe unë mendoj se me këtë krizë, ajo vetëm mund të përkeqësohet.
Radio Evropa e Lirë: Nga dje kur është shpallur rrethimi i plotë, a keni qenë në gjendje të dërgoni ndonjë ndihmë?
Marta Lorenzo: Nuk kam detaje nëse ka ose jo negociata për të dërguar ndihma brenda Gazës. Por, sot nuk kemi qenë në gjendje të dërgojmë asgjë shtesë atje. Kufijtë janë të mbyllur dhe për këtë arsye, në këtë moment, nuk është e mundur të dërgohen ndihma humanitare.
Radio Evropa e Lirë: Jeni në negociata me dikë?
Marta Lorenzo: Ne nuk kemi mandat politik. Natyrisht, ne koordinohemi me agjencitë e tjera të OKB-së për të siguruar se ndihma humanitare arrin te kushdo që është në nevojë. Dhe, sigurisht, bëjmë thirrje për ndalimin e armiqësive, si dhe për hapjen e korridoreve humanitare, në mënyrë që të kalojnë si ndihmat, ashtu edhe punonjësit humanitarë.
Radio Evropa e Lirë: A keni informacione për spitalet, ekipet mjekësore? A janë duke funksionuar?
Marta Lorenzo: Ne nuk operojmë me spitalet, por ajo që dëgjojmë, është se ato janë të mbipopulluara, nuk kanë kapacitete dhe po u mbarojnë furnizimet mjekësore.
Ne operojmë me klinika të kujdesit parësor shëndetësor, ku ofrohen shërbime p.sh. për pacientët kronikë ose për gratë shtatzëna.
Pacientët me diabet kanë nevojë për mjekim, apo gratë shtatzëna për monitorim. Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë, është t’i mbajmë ato qendra shëndetësore të hapura – të paktën për një numër të kufizuar orësh – dhe më pas të sigurojmë që kemi një lidhje telefonike, në mënyrë që njerëzit të mund të na kontaktojnë në rast se kanë nevojë për konsultime.
Radio Evropa e Lirë: A janë të sigurta strehimoret e juaja?
Marta Lorenzo: Do të doja të mund të them se ato janë 100% të sigurta. Një strehimore e jona, me 200 njerëz brenda, është goditur. Për fat të mirë, nuk është lënduar askush, por është goditur. Por, këto qendra duhet të jenë të mbrojtura në çdo kohë.
Radio Evropa e Lirë: Si ndihen njerëzit në përgjithësi?
Marta Lorenzo: Njerëzit janë shumë të frikësuar. Nëse flas për pjesëtarët e stafit tonë, është shumë e vështirë t’u kërkosh atyre që të punojnë dhe të shpërndajnë ndihma humanitare për njerëzit në nevojë, në kohën kur ata luten për fatin e familjeve të tyre.
Radio Evropa e Lirë: Me sa staf operoni në Gazë?
Marta Lorenzo: Kemi 12.000 punëtorë që punojnë në Gazë. Ata janë mësues, mjekë, infermierë, argatë, punonjës administrate etj.
Discussion about this post