Liderët e Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Bruksel, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në qendër të diskutimeve do të jenë perspektiva europiane e rajonit, përshpejtimi i procesit të integrimit dhe forcimi i bashkëpunimit mes palëve.
Samiti do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ndër temat kryesore të takimit pritet të jenë reformat që vendet kandidate duhet të realizojnë në rrugën drejt anëtarësimit, forcimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i institucioneve demokratike dhe bashkëpunimi rajonal.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BE-ja ka vënë në dispozicion deri në 6 miliardë euro mbështetje financiare. Fondet synojnë të nxisin reformat strukturore, zhvillimin ekonomik dhe afrimin e mëtejshëm të rajonit me tregun europian.
Ndërkohë, Serbia do të jetë vendi që nuk do të përfaqësohet në këtë samit. Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Čupić, ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojë drejt Brukselit. Ai e ka justifikuar vendimin me angazhimet parlamentare në vend dhe mungesën e kohës së nevojshme për t’u përgatitur për një takim të këtij niveli.
Mungesa e përfaqësuesit serb është konfirmuar edhe nga Komisioni Europian. Në axhendën e samitit janë përfshirë gjithashtu çështjet e sigurisë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e sotme:
17:00 – Mbërritja e liderëve
17:40 – Mirëpritja zyrtare
18:00 – Seanca plenare
19:05 – Fotoja familjare
19:15 – Konferenca për shtyp
20:00 – Darka









Discussion about this post