Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar zbatim të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes me Serbinë, ndërsa kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç i ka kërkuar themelimin e Asociacionit. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde u pajtua me Kurtin. Në Beograd, ai konsiderohet si anti-serb dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e sheh Gjermaninë si mbështetësen më të madhe të Kurtit dhe kundërshtaren më të madhe të Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e vuri re herët se qëllimi përfundimtar i ndërkombëtarëve është që ta bëjnë Serbinë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Por në këtë përpjekje, ai më të angazhuar e sheh Gjermaninë, e cila në mendjen e tij është e pozicionuar qartë kundër Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se për marrëveshjen e fundit me Serbinë u negociua 2 vjet, duke kërkuar që ajo të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.
“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, shkroi Kurti në Twitter.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç i reagoi brenda pak minutash, duke i kërkuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për tre ditë, më 19 prill, bëhen saktësisht 10 vjet, një dekadë e tërë, nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ne kemi pritur 10 vjet që Prishtina ta bëjë punën e saj, 10 vjet që Asociacioni i i Komunave Serbe të formohet. Bëje atë”, shkroi Bërnabiç, duke përmendur edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se pajtohet plotësisht me atë që tha Kurti.
“Plotësisht dakord – zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia është nevoja e kohës!”, shkroi Rohde në Twitter.
Fully agree – full implementation of all points of the agreement by Kosovo and Serbia is the need of the hour! https://t.co/6fJ6bP6fp5
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) April 16, 2023
Ambasadori gjerman, anti-serb për Vuçiçin – në Beograd Gjermania akuzohet se ia mban anën Kosovës
Rohde në sytë e Vuçiçit është anti-serb. Kur ambasadori gjerman në fund të vitit të kaluar kërkonte heqjen e barrikadave në veri para Krishtlindjes, presidenti serb u bë fort nervoz.
“Z. Rohde është i njohur për deklaratat e tij anti-serbe”, kishte deklaruar Vuçiç më 20 dhjetor 2022 duke u ankuar që ai nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kur kancelari i Gjermanisë, Olaf Szholz i pati thënë Vuçiçit se pret që Serbia ta njohë Kosovën, Vuçiç ishte ankuar publikisht, duke treguar përgjigjen që siç thoshte, ia kishte dhënë atij pas takimit në të cilin kancelari gjerman i kishte ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe unë i kam thënë atij se ne nuk e presim këtë”, pati deklaruar Vuçiç në qershor.
Ai ishte shprehur i pakënaqur edhe me politikat gjermane në rajon, duke thënë se po kërkojnë dominim në Ballkan.
“Përfaqësuesit gjermanë mendojnë se mund të vendosin se çfarë fasule të hahet në Mitrovicë e çfarë në Zubin Potok”, pati thënë Vuçiç në një rast.
Akuza të këtij lloji nga Vuçiç kishin ardhur edhe më herët. Në tetor 2022, për shembull, Vuçiç pati thënë se nuk i beson lidershipit gjerman.
“QUINT-i gjithmonë do t’i mbështesë shqiptarët në Kosovë. Gjermanët janë më të hapur në këtë drejtim, por kështu është, nuk ka filozofi. Ata do t’i mbështesin gjithmonë, është fëmija e tyre, do ta tundin sa munden”, pati thënë Vuçiç.
Në nëntor të vitit të kaluar, kur e akuzonte kryeministrin Albin Kurti se po dëshiron “t’i përzë serbët” nga Kosova, Vuçiç thoshte se në ai po mbështetej nga gjermanët.
“Nuk është më sekret. Janë gjermanët ata që e mbështesin në BE, dhe jashtë BE-së është Britania e Madhe. Borrell dhe Lajçak më informuan rreth bisedës së tyre me Kurtin dhe nuk ishin optimist. Është shumë e vështirë për të gjetur një propozim të arsyeshëm. Ju e dini së kush është fajtori dhe ai e ka mbështetjen e të fuqishmëve. Ai mund të bëj çfarë të dojë, por ai do ta ketë gjithmonë mbështetjen e Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe”, pati deklaruar Vuçiç.
Kur flet për raportet me Serbinë, Vuçiç nuk harron ta përmend faktin se Gjermania është aleate e Kosovës.
“Ata nuk i lënë aleatët e tyre, kështu ata ishin të parët që i ndihmuan kroatët në vitet 1990, serbët nuk ishin aleatët e tyre”, pati deklaruar Vuçiç në qershor të vitit të kaluar.
Ndryshe, kishte qenë në kohën e Merkel. Vuçiç lëvdohej për numrin e takimeve me kancelaren gjermane, thoshte se ka tremë kur takohet me të. Madje kishte thënë se ka nisur edhe kurs të gjermanishtes për shkak të raporteve me Gjermaninë e cila është edhe investuese e madhe në Serbi. Bizneset gjermane punësojnë mijëra punëtorë në Serbi./Gazeta Express/
Discussion about this post