Serbia po kërkon që në komisionin e përbashkët i cili e monitoron dhe i hapë rrugë zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u dhe me shkurtesën IPVQ, Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse.
Pas takimit të fundit të kryenegocatorëve, larg ballinave të lajmeve mbetën zhvillimet në një prej proceseve që qëllimshëm zvarritet me dekada nga Serbia.
Për më tepër, nga Serbia, u bënë akuza se Kosova ka bërë komente që e kanë bllokuar zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Në kuadër të dialogut, deklarata për personat e zhdukur e cila synon zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, është miratuar më 2 maj 2023, dhe me të janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia.
Për ta zbatuar përmbajtjen e planit të deklaratës, parashihet një komision i përbashkët që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, dhe në këtë Komision Serbia po pretendon që Kosova të përfaqësohet me UNMIK, dhe me shkurtesën IPVQ, Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse.
“Mendoj se i ka dhënë goditje fatale komplet dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, jo vetëm çështjes së personave të zhdukur por komplet dialogut, sepse Serbia po të thotë kthehu ti para Pavarësisë së Kosovës, po të thotë kthehu në 2004-5-6”, ka thënë Andin Hoti – Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Serbia po insiston, dhe ka thënë kështu bukfalisht se ndryshe nuk bënë hiq, se është UNMIK-u ajo që e përfaqëson Kosovën, që të jetë Kosova jo Kosovë, po që të jetë në Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes, që kanë qenë para 20 viteve”, ka thënë Andin Hoti – kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Hoti i quan gënjeshtra pretendimet e kryenegociatorit serb Petkoviq, edhe për diskutimet e edhe për propozimet që kinse ka bërë pala serbe. Sipas tij Kosova e ka refuzuar këtë kërkesë absurde dhe të papranueshme, dhe puna ka ngecur tek drafti për formimin e Komisionit të përbashkët.
Serbia ka shkuar edhe më larg, duke tentuar që UNMIK-un ta mbajë në përfaqësim me një letër tjetër, një lloj aneksi të deklaratës për personat e zhdukur.
Këto propozime të papranueshme për delegacionin e Kosovës vlejnë edhe në raport me mbikëqyrjen që ky komisioni do ta kishte edhe ndaj grupit punues të ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, aty ku bashkëpunojnë dhe komunikojnë të dyja palët.
Të gjitha këto zhvillime përfshirë edhe tentimin nga pala serbe që të propozohet një lloj aneksi i deklaratës për të pagjeturit, për TV Dukagjini i ka konfirmuar edhe Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.
Discussion about this post