“Aplikimet për shërbime elektronike dhe dokumentet me vulë elektronike janë dyfishuar në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021…Vetëm duke hequr tarifat që qytetarët paguanin deri para disa viteve, janë kursyer 9 milionë euro. Eliminimi i radhëve ka kursyer 1000 vjet pritje”, kjo është pjesë e një fjalimi të mbajtur në Bruksel në takimin bilateral BE-Shqipëri, i drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj, më 28 mars 2023.
Realiteti është krejt ndryshe, madje i mbushur me rekorde komike të padenja për epokën e digjitalizimit. Të marrësh një certifikatë elektronike biznesi duhen zyrtarisht 10 ditë, por bizneset ankohen se kjo zgjat shumë më tepër dhe po paguajnë penalitete nga vonesat që shkakton agjencia e Karçanajt. Për më tepër ky shërbim kushton 4800 lekë ( të reja).
Ankesat e qytetarëve për performancën e shërbimeve online
Referuar pohimeve të qytetarëve apo bizneseve, ankesat më të shpeshta në lidhje me portalin qeveritar e-Albania vijnë për shkak të vonesave në aplikimet për nënshkrim elektronik dhe certifikatë elektronike për efekt të fiskalizimit, duke qenë se fluksi i kërkesave është shumëfishuar.
“Për këtë arsye, këto dy shërbime duhet të ishin marrë masat në kohë për rritje të investimeve pasi infrastruktura aktuale sjell vonesa të vazhdueshme tek bizneset dhe mosmarrja e këtyre dy shërbimeve në kohë shoqërohet me penalitete sipas ligjeve fiskale”, theksohet në konkluzionet e raportit të KLSH me temë “Performanca e ofrimit të shërbimeve online”.
Nëse do të bënim një përllogaritje të thjeshtë nisur nga numri i tatimpaguesve që janë aktiv në Republikën e Shqipërisë, rezulton se deri më 31.12.2022 ishin 91,775 tatimpagues të regjistruar në Biznes të Vogël, 28,721 tatimpagues në Biznes të Madh (që janë objekt i Tatim Fitimit), dhe 2,844 të tjerë (që janë objekt vetëm i tatimeve të tjera).
Pra, 120,496 tatimpagues herë 8,800 lekë/vit bëjnë 1,060,364,800 lekë të ardhura të pritshme për AKSH-in nga këto dy shërbime për vitin 2023 dhe 2024.
Po t’u referohemi të ardhurave që AKSHI ka mbledhur për këto 2 shërbime për periudhën 3-vjeçare, kjo është mesatarisht 330,999 milionë lekë/vit, pra shumë larg nga vlera e pritshme prej 1 miliard lekë që duhet të mblidhen ose e thënë ndryshe 31% e të ardhurave të pritshme.
Edhe nëse nuk do t’i referoheshim ligjit “Për nënshkrimin elektronik”, për periudhën 2020-2022, përsëri të ardhurat e arkëtuara duhet të ishin më të larta dhe konkretisht: 91,775 tatimpagues të regjistruar në Biznes të Vogël, 28,721 tatimpagues në Biznes të Madh (që janë objekt i TF) dhe 2,844 të tjerë (që janë objekt vetëm i tatimeve të tjera). Shuma totale për 1 vit e pritshme për t’u arkëtuar duhet të ishte 619,844,800 lekë.
Këto vlera do të ishin më të larta nëse do të përfshiheshin edhe të ardhurat për këto dy shërbime nga institucionet shtetërore).
Nga ana tjetër, po të bënim paralelizmin e peshës së investimeve dhe mirëmbajtjes që AKSHI ka kryer për këto dy shërbime për periudhën në auditim është vetëm 113,746 mijë lekë. Këto janë të papërfillshme krahasuar si me të ardhurat që mblidhen nga këto dy shërbime, ashtu edhe me buxhetet për investime që AKSHI planifikon çdo vit. Ato zënë vetëm 0,6 % të shpenzimeve totale të AKSHI-t për periudhën 2020-2022.
Ndërkohë, numri i nënshkrimeve elektronike për administratën publike, subjektet private dhe sistemet e-receta të gjeneruara nga AKSHI për vitin 2020 është 11,528 copë për vitin 2021 në 18,213 copë dhe për vitin 2022 është 27,954 copë.
Me 8 veta AKSHI u përgjigjet 1.89 milionë kërkesave dhe ankesave
Ky është një nga rekordet e Milinda Karçanajt: Me 8 veta AKSHI u përgjigjet 1.89 milionë kërkesave. Nga auditimi u konstatua se për periudhën 2020-2022 janë një numër shumë i ulët i specialistëve në Sektorin e Asistencës të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (8 specialistë) të cilët në bashkëpunim me institucionet shtetërore kanë trajtuar rreth 1,892,300 kërkesa të natyrave të ndryshme për zgjidhje dhe suport.
Mesatarisht në një ditë pune për një punonjës rreth 2,389 ankesa/kërkesa, të cilat janë të paevidentuar në një regjistër elektronik sipas tipologjisë. Me këto të dhëna më pas Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje duhet të realizojë një analizë të performancës së sistemit të shërbimeve online. Imagjinojeni se si janë trajtuar kërkesat dhe ankesat nga stafi i Mirlinda Karçanajt.
Rekordi tjetër është vonesa në letërkëmbimet mes AKSHI-t dhe institucioneve për shërbimet ndaj qytetarëve. Në lidhje me korrespondencën shkresore të institucioneve shtetërore me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u konstatua nga KLSH “mos respektimi i afateve ligjore në kohë në lidhje me detyrimin që institucionet shtetërore kanë për sjelljen e ndryshimeve ligjore të cilat duhet të reflektohen në formularin elektronik nga Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, që të mos penalizohen qytetarët dhe bizneset”.
Po kush do t’ia dijë për qytetarin, Mirlinda Karçanaj, Blendi Gonxhe apo Belinda Balluku?
Konkretisht, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka dërguar me rreth 2 vite vonesë formatin elektronik për miratimin e lejes së re të qarkullimit të mjeteve rrugore nga dalja e urdhrit nr. 284, datë 07.10.2020 “Për miratimin e lejes së re të qarkullimit të mjeteve rrugore”.
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka përcjellë shkresën me nr. 7997.prot., datë 21.12.2022, në zbatim të udhëzimit nr.16, datë 20.07.2022 të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë “Për përditësimin e shërbimit që lidhet me aplikimin për regjistrim dhe pajisje me pasaportë detare dhe aplikimin për regjistrim dhe pajisje me pasaportë detare për shtetas shqiptarë, të huaj, pa shtetësi” rreth 6 muaj me vonesë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në zbatim të urdhrit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 61, datë 05.06.2012, i rishikuar me urdhrat nr. 432/1, datë 17.02.2017 dhe nr. 392, datë 29.12.2020, ku është kërkuar implementimi i dy shërbimeve: Aplikim për kualifikim si kandidat për pilot;; Aplikim për regjistrim dhe pajisje me certifikatë për pilot.
Ka dërguar në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shkresën me nr. 5479.prot., datë 06.09.2022, rreth 1 vit e gjysmë me vonesë në mos respektim të afateve ligjore.
Shumë pak shërbime online pa pagesë
Nga analiza e kryer nga grupi i auditimit rezultoi se ndër institucionet shtetërore që ofrojnë numër më të lartë shërbimesh online janë:
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) e cila ofron 180 shërbime, nga të cilat 35 janë me pagesë dhe 145 janë pa pagesë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ofron gjithsej 81 shërbime të cilat janë të gjitha pa pagesë. Njësitë vendore ofrojnë 79 shërbime të cilat janë të gjitha pa pagesë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ofron gjithsej 74 shërbime të cilat janë të gjitha me pagesë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH) ofron 66 shërbime gjithsej, nga të cilat 35 janë me pagesë dhe 31 janë pa pagesë.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ofron 53 shërbime gjithsej, nga të cilat 42 janë me pagesë dhe 11 janë pa pagesë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ofron 31 shërbime gjithsej, nga të cilat 12 janë me pagesë dhe 19 janë pa pagesë.
Pas këtij realiteti, kuptohet përse Bashkimi Evropian nuk e merr seriozisht Tiranën zyrtare kur flet për digjitalizimin dhe revolucionin e shërbimeve online.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post