Një banore e fshatit Shqiponjë të Komunës Stravaj në Prrenjas ka treguar për emisionin “Stop” në Tv Klan se ka pasur konflikt me fqinjën e saj. Konflikti ka lindur për rrethimin e pronës, ku bagëtia dhe pulat kalonin në pronën e saj. Më pas, ajo e rrethoi pronën për të shmangur konfliktin.
Zonja tregon se ofendohej nga fqinjet derisa një ditë në muajin Tetor, u dhunua. Sipas saj, fqinjet i erdhën në shtëpi dhe e goditën me thikë dhe me dru dhe nga dhuna, përfundoi në spital. Denoncuesja ka deklaruar se ende nuk di arsyen pse e dhunuan.
Denoncuesja: Prej 5 muajsh kam një konflikt me komshinjtë. Konflikti qëndron se unë kam tokën atje dhe ata fusin bagtitë, pulat e ku ta di unë se çfarë, më ofendojnë me llafet më të ndryra. Nuk e di përse, vetëm llafe të ndyra. Njëra quhet Majlinda Kuka, tjetra Ilirjana Kuka. Unë madje e rrethova tokën që të mos kisha konflikte e ata ma prishën, ma prenë dhe fusin gjërat e veta. Më tej, kemi pasur konflikte vazhdimisht.
Pyetje: Kur agravoi situata?
Denoncuesja: Në datën 27 Tetor. Një ditë isha te toka dhe kaloj në shtëpi, ata filluan që ata të flisnin, të shanin dhe të ofendonin dhe në shtëpi, dal jashtë, më dhunuan. Njëra kishte dru e tjetra kishte thikë dhe ju thashë vetëm këtë gjë: Çfarë doni këtu? Unë me ju jam hasëm. Ato më qëlluan, njëra më ra me thikë këtu, kurse tjetra me dru kokës.
Pyetje: Ju ishit vetëm në shtëpi?
Denoncuesja: Po, vetëm.
Pyetje: Ju goditën, ju thanë diçka?
Denoncuesja: Jo, asgjë.
Pyetje: Çfarë ndodhi më tej?
Denoncuesja: Mora policinë në telefon, erdhi policia. Më morën me makinë dhe më çuan në spital në Prrenjas, nga aty në Librazhd, nga Librazhdi në Elbasan.
Pyetje: A e bëre ekspertizën mjeko-ligjore?
Denoncuesja: Thjesht sa më pa krahun dhe këtë këtu.
Pyetje: Sa kohë ndenjët në spital?
Denoncuesja: 1 javë.
Pyetje: Tashmë, çështja është nën hetim apo jo?
Denoncuesja: Po, por mua nuk më kanë dhënë as përgjigje dhe as…
Pyetje: Ju sot çfarë kërkoni?
Denoncuesja: Unë kërkoj të drejtën time. Ndihem e kërcënuar. Nuk dal dot deri tek toka. Kalamajtë kanë frikë, vetë kam frikë. Unë nuk e di pse më kanë dhunuar, unë jam në tokën dhe në shtëpinë time, kurse ata vijnë dhe më dhunojnë.
Për të qenë transparent, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan u drejtua tek pala tjetër, e cila mohon të ketë pasur konflikt verbal dhe fizik. Motrat thonë se zonja që ankohet, mund t’i ketë bërë dëm vetes.
Komshia: Ne jemi këtu në vijë të verdhë që nga 90-ta. Kemi ardhur nga shteti, na ka prurë këtu. Me këta s’kemi pasur asnjë konflikt. Kemi qenë pa gardh, pa asgjë fare, pa kufi, fare thjeshtë e dinim ku ishte kufiri. Thjeshtë pse fluturonte pula lart. “Pse fluturoi pula”, thoshte. Kur u vu rrjeta, filluan problemet. Hynte pula fluturonte, mirëpo ato ishin mësuar pa gardh dhe fluturonin prapë. Kjo i kapte dhe i ngjishte nga brenda me këmbë kjo nusja se vuan nga skizofrenia.
Gazetarja: Ju e keni ofenduar dhe sharë herë të tjera?
Komshia: Jo, për çfarë arsye mund ta shaj dhe ta ofendoj?! Ajo është sjellë mirë.
Gazetarja: Këtë dua të di dhe unë!
Komshia: Ajo është sjellë mirë ndaj nesh.
Gazetarja: Ju e keni dhunuar në Tetor?
Komshia: Jo, ça është ky dhunim?! Si mund ta dhunoj?! Një njeri, që s’kam arsye, pse ta dhunoj.
Gazetarja: Po ju jeni tashmë nën hetim, apo jo?
Komshia: Thjeshtë i kam kërkuar një sqarim. Këto gjëra i di prokuroria. S’kam pse flas për gjëra të tilla.
Gazetarja: Po me thikë nuk është goditur?
Komshia: Çdo njeri mund të bëjë edhe vetëvrasje. Pse duhet ta marr përsipër unë?!
Gazetarja: Nuk e keni goditur me thikë?
Komshia: Ne kemi qenë nxënëse të ekselencës. Ther keca, ther viça, ther edhe veten e vet. Unë nuk kam pse marr përsipër komplet atë përgjegjësinë që mund të ketë bërë me veten e saj.
Versioni tjetër është se njëra prej tyre mbante dru për të ecur për shkak të rëndesës në frymëmarrje dhe fqinja mund të jetë vrarë pa dashje tek druri.
Gazetarja: Ju e keni dhunuar?
Komshia: Jo!
Gazetarja: Nuk i keni shkuar në shtëpi ta dhunoni?
Komshia: Në shtëpi unë asaj?
Gazetarja: Po!
Komshia: Për çfarë arsye mund t’i shkoj tek shtëpia?
Gazetarja: Në Tetor!
Komshia: Ajo thjeshtë erdhi këtu. Kisha katër rosa. I gjujti rosave me shqelma. I tha ime motër “lëri, se i kam blerë për qejf”. Pa mbushur një orë, iku prapë, pa një zog të vogël dhe zogun me shkelma. I tha motra “bukën ma le në fyt, kafen ma le në fyt. Sqarohemi, ndalo”,- i tha çfarë borxhi të kam?! Ime motër thjeshtë shkoi atje. Ngaqë nuk merr dot frymë, kur ngjitet lart dhe u ngjit me një shkop. Ajo i tha një fjalë banale, nuk e them dot, s’ma zë goja dhe e shtyri. E shtyri dhe me shkopin kjo u mbajt se e shikon pjesën si është e terrenit? Ndërkohë që kjo u mbajt tek krahu, ajo i tha prit se do ta rregulloj unë. Unë shkova vrapova, mora motrën. Prit. se do të ta tregoj. Çfarë do të bëj unë ty,- i tha. U fut brenda në kuzhinë. Unë nuk mendova, se çfarë mund të bëjë ajo. Mund të kishte armë brenda në shtëpi ajo. Se ça po i thoshte kunati. Mos, mos dhe e kapi për duarsh. Ajo në dorë mund të kishte dhe thikë. U tut të marrë thikën, t’i gjuajë kësaj. Këtë e mora unë poshtë dhe ajo ia bëri vetes. Atje ku i gjujti kjo me shkop, ia bëri vetes.
Gazetarja: Pra, ju s’kishit thikë?
Komshia: Thjeshtë një shkop zemër. Shkopi ka shkuar në prokurori. E ka parë policia. E ka parë shumë mirë…atë që morën dëshminë.
Prej muajit Tetor çështja është nën hetim. Edhe eksperti mjeko-ligjor shprehet se ekspertiza ka shkuar në prokurori.
Qytetarja: A kam pasur dëmtime në krah dhe në kokë?
Mjeku: Duhet t’i drejtohesh prokurorisë! Ajo i ka të gjitha letrat. Mirupafshim!
/tvklan.al
Discussion about this post