Zbardhen detaje të reja nga përplasja me armë zjarri e dy vëllezërve disa ditë më parë në një lokal në plazhin “Bora Bora” në Radhimë.
Burime nga OraNews bëjnë me dije se ata kanë një vëlla të tretë, Arianit Kondi që është dënuar për vrasje. Bëhet fjalë për përplasjen me armë që ndodhi në një muzikë live në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ngjarje e ndodhur në vitin 2017, ku mbeti i vrarë Ergys Gjioveshaj.
Eljaso Çela, Gani Tozaj dhe Aranit Kondi, u konfliktuan me Ergys Gjioveshajn, ndërkohë që po këndonte këngëtarja Blerina Balili me grupin e saj.
Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur muzikanti Florian Hila si dhe dy klientët Arsonel Llanaj e Arta Luka. 19-vjeçari Gani Tozaj dhe 23-vjeçari Eljaso Çela, ndërkohë që në kërkim shpalli Arianit Kondin.
Ai qëndroi për disa vite në Angli, shtet që ngriti alarmin për praninë e Kondit pasi i ishte futur tregtisë së drogës. Ai u shpall në kërkim nga drejtësia angleze në vitin 2020 që nxori njoftimin përmes të cilit paralajmëronte qytetarët që të mos i afroheshin shqiptarit pasi e konsideronin të rrezikshëm. Arianit Kondi u arrestua në Vlorë, në vitin 2021, pasi kishte hyrë në mënyrë ilegale në vend. Ai ndodhet ende pas hekurave duke vuajtur dënimin me 8 vjet heqje lirie për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.
Përplasja me armë e vëllezërve
Eduard Kondi është përleshur me të vëllanë pasi është kthyer nga Italia. Lokali dhe plazhi “Bora Bora” punohej nga Eduard Kondi, por prezenca në këtë terren e Benjaminit, ka bërë që ai të nxjerrë një pistoletë dhe të qëllojë në ajër, me qëllim trembjen dhe largimin e të vëllait që i kishte shkuar papritur në lokal. Eduard Kondi qëndronte në verandën e lokalit dhe aty Benjamini e ka përshëndetur. Eduarti nuk i ka folur fare, por është ngritur nga tavolina dhe i është drejtuar Benjaminit me fjalët: “…pse ke ardhur ti këtu…”.
Në këtë moment Eduard Kondi, sipas Benjaminit ka futur dorën në marsupin që mbante të varur, dhe në këtë moment vëllai tjetër është larguar nga frika, duke tentuar të fshihet pas lokalit. Në këtë moment ka dëgjuar një të shtënë arme, ndërsa vetë Benjamini ka treguar në polici se ka dalë me shpejtësi duke marrë makinën që përdoret për transportin e punëtorëve dhe është larguar në drejtim të Vlorës, duke u paraqitur në polici.
Ai nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga e shtëna me armë, por për shkak të zhurmës së krijuar të gjithë pushuesit janë larguar me vrap. Benjamini, u ka treguar policëve se njeriu që ka qëlluar me armë ka qenë pikërisht vëllai i tij, Eduard Kondi, me të cilin ka pasur konflikte të mëparshme. Kondi është vënë në pranga dhe akuzohet për akuzën e “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”, “Dhunë në familje” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Discussion about this post