GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Shifrat – Shtrenjtohen me 20% qiratë e apartamenteve në Tiranë

Nga shtatori 2024, çmimet e qirave afatgjatë të apartamenteve dhe zyrave janë rritur me 20% krahasuar me vjet. Për agjentët e pasurive të patundshme, kufizimi i ofertës nga modeli i qirasë në Airbnb dhe rritja e kërkesës vazhdojnë të ndikojnë te shtrenjtimi i çmimeve për banesa. Qiraja për strehim parashikohet të mbetet e shtrenjtë në Tiranë, për shkak të rritjes së numrit të turistëve.

11:09 - 11/11/24
në Aktualitet, Ekonomi & Sociale, KRYESORE
Kohë leximi: 10 min
A A
Të huajt blenë 26% të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Bie numri i pronave të pashitura
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Kërkesa e lartë dhe pakësimi i ofertës nga zënia e pronave për dhënie me qira ditore ka sjellë rritjen e çmimeve të qirave afatgjatë mesatarisht nga 10 deri në 20% për një vit, sipas Stela Dhamit, menaxheres së agjencisë ndërkombëtare të pronave Colliers International Albania.

Aktualisht, sipas znj. Dhami, çmimet në zonat kryesore të Tiranës variojnë nga 500 deri në 800 euro për apartamente 1+1. Për apartamentet 2+1, çmimet variojnë nga 800 deri në 2,500 euro. Ndërsa për apartamente me sipërfaqe më të madhe, qiraja është mbi 2,500 euro në muaj.

Znj. Dhami thotë se në zonat periferike të kryeqytetit, të cilat njihen për stok cilësor, këto çmime mund të shkojnë nga 4,000 deri në 10,000 euro në muaj për njësi rezidenciale cilësore, si vila me hapësira të mëdha për rekreacion e hapësira të gjelbra përreth ambientit.

“Çmimet e qirave të banimit janë në rritje, një trend i cili vazhdon ndër vite në Tiranë. Rritja nga 10 deri në 20% është e konsiderueshme për nivelin e të ardhurave të konsumatorit shqiptar. Niveli i rritjes është i konsiderueshëm, duke marrë parasysh të ardhurat e familjeve shqiptare.

Përfaqësuesja e agjencisë “Colliers International Albania” parashikon se çmimet e qirave për banim në qendër të Tiranës do të mbeten të larta për vite, nëse vazhdon trendi i fluksit të të huajave.

Si kanë ndryshuar çmimet e qirave në disa zona të Tiranës

Qiratë e apartamenteve në Tiranë sivjet janë rritur mesatarisht deri në 50 euro për njësi, krahasuar me vjet, sipas agjentëve imobiliarë. Sipas tyre, brenda Unazës së Vogël në Tiranë nuk gjen apartamente banimi 1+1, me çmim nën 500 euro në muaj.

Sipas të dhënave të marra nga agjencitë imobiliare, në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve 1+1 vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”.

Çmimi mujor i qirasë për këto apartamente është 800 euro, nga 650 euro që ishte vjet. Rritja është 23%. Ndërsa çmimi maksimal për apartamentet 2+1 ka arritur deri në 1,300 euro, nga 1,200 euro në muaj që ishte vitin e kaluar.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi i qirave për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti deri në 800 euro në muaj nga 750 euro që ishte niveli maksimal i qirasë vitin e kaluar.

Rritja është rreth 7%. Ndërsa për prona 2+1, qiratë variojnë nga 1,000 deri në 1,300 euro, nga 950 deri 1,000 euro në muaj në muajin shtator të 2023.

Brenda Unazës së Vogël, çmimet e qirasë për prona 1+1 janë 500 euro në muaj, ndërsa për njësi 2+1, çmimet maksimale arrijnë deri në 1,000 euro në muaj.

Për apartamentet pranë Komunës së Parisit, me sipërfaqe 1+1, çmimet e qirasë kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me vjet.

Lorina Rada, broker e agjencisë CPM, thotë se në këtë zonë nuk gjen lehtësisht më prona të lira 1+1 që jepen me qira. Ndërsa për prona 2+1, çmimet maksimale vijojnë të mbeten në nivelet e vitit të kaluar, nga 700 deri 800 euro në muaj.

Edhe në zonat si Don Bosko dhe Zogu i Zi, çmimet janë shtrenjtuar. Nga 500 euro në muaj që ishin shtëpitë 1+1 vjet në këto zona, çmimi i qirasë ka arritur në 600 euro në muaj këtë vit. Rritja është 20%.

Ndërsa për prona me sipërfaqe 2+1, çmimet e qirave kanë arritur deri në 800 euro, nga 650 euro që ishte vjet çmimi më i lartë.

Rritje të çmimeve të qirave ka pasur edhe në zonat periferike. Në zonat si Kinostudio, Astir dhe Fresku, çmimi i qirave në apartamente 1+1 varion nga 350 deri në 600 euro, ndërsa vjet çmimet varionin nga 350 deri në 450 euro në muaj. Për prona 2+1, çmimet e qirave sivjet variojnë nga 450 deri në 900 euro, nga 350 deri 500 euro në vitin paraardhës.

Dritan Leka, nga agjencia imobiliare CPM, parashikon që në periferi çmimet do të shtrenjtohen sërish, veçanërisht në Astir dhe Paskuqan.

“Në të dyja këto zona, për shkak të zhvillimeve urbanistike dhe infrastrukturore, në vijim do të ketë jo vetëm shtrenjtim të qirave, por edhe të shitjes së apartamenteve. Zhvillimi i tyre do të ndikojë automatikisht te shtrenjtimi i pronës, që tashmë ka nisur të reflektojë ndryshimet”.

Qiraja ditore pakëson stokun e apartamenteve për qira afatgjatë

Rritja e numrit të turistëve të huaj, të cilët parapëlqejnë akomodimin në apartamente me qira ditore, për shkak të çmimeve të lira, ka rritur ndjeshëm numrin e strukturave rezidenciale të regjistruara në platformat Airbnb dhe Booking.

Stela Dhami, nga Colliers Albania, thotë se shtimi i këtyre strukturave ka zvogëluar stokun e qirasë afatgjatë, duke shtrenjtuar çmimet.

“Çmimet vijojnë trendin e rritjes, sidomos në zonat qendrore, duke ditur që stoku rezidencial është në mënyrë të drejtpërdrejtë i lidhur me fluksin e rezidentëve në qytet.

Duke qenë se në Shqipëri, vitet e fundit vijon të ketë rritje të konsiderueshme të vizitorëve, të cilët në minimum kalojnë disa ditë në kryeqytetin shqiptar, atëherë shumë prej rezidencave në zonat e qendrës janë kthyer në modelin e rezidencave të dhëna me qira ditore. Pra në modelin Airbnb.

Në Tiranë, stoku i pronave po përdoret për hoteleri. Me gjithë projektet që po ndërtohen në hoteleri, përsëri kapaciteti i akomodimit të hotelerisë në Tiranë mbetet relativisht i ulët për një qytet me këtë lëvizje dhe fluks vizitorësh.

Po ashtu, ende nuk kemi një vendimmarrje në nivel lokal ose qendror që mund të ndërhyjë në treg për të limituar këtë stok, i cili në vetvete kufizon stokun rezidencial afatgjatë.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo shkakton presion për rritjen e çmimeve dhe pamundësinë financiare të vendasve për t’u strehuar në njësi rezidenciale me qira afatgjatë.

Të mos harrojmë lëvizjet e zhvilluara në Portugali dhe Spanjë, kundër platformave Airbnb, pasi te rezidentët lokalë është rritur presioni dhe pamundësia e marrjes së një apartamenti me qira me qëllim banimi”.

Rritja e kërkesës

Teksa oferta është e limituar, kërkesa për prona me qira është në rritje. Shtimi i ofertës është një ndër faktorët kryesorë që po shtrenjton qiratë, sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme.

“Aktualisht, kërkesa dominohet nga çiftet e reja që kërkojnë të banojnë në apartamente me qira, pasi financiarisht e kanë të pamundur blerjen, dhe nga shtetasit e huaj, që punojnë në distancë.

Së fundmi është shtuar numri i të huajve që po zgjedhin të jetojnë në Tiranë, për shkak të kostove më të ulëta sesa vendet nga vijnë. Ne kemi p.sh., klientë nga Kanadaja, që nëse më parë qëndronin në shtëpi me qira ditore, tani parapelqejnë banesa me qira afatgjatë.

Kërkesa kryesohet nga të huajt e profesioneve në fushat si IT, financë apo marketing, që sigurisht kanë fleksibilitetin e të punuarit online”, thotë agjentja për pasuritë e paluajtshme Lorina Rada nga agjencia CPM.

Ndërsa çiftet e reja, sipas zonjës Rada, parapëlqejnë prona me qira afër zonave të qendrës, për shkak të afërsisë me vendin e punës, që të shmangin përdorimit të makinës.

Rritja e çmimeve të shitjes së apartamenteve është një tjetër faktor që po ndikon te shtrenjtimi i qirave, sipas z. Ylli Sula, drejtuesit të indeksit “Key Data”.

“Shtrenjtimi i çmimeve të blerjes ka ndikuar te rritja e qirasë, pasi tarifa më e lartë shkurton afatin e kthimit të investimit të pronës së blerë.

Në treg është shtuar oferta e apartamenteve të dhëna me qira ditore. Kjo ka ardhur për shkak të leverdishmërisë. Nëse një pronar blen një pronë e ka më të leverdishme të investojë për dhënie me qira ditore sesa afatgjatë, pasi për 10 apo 15 ditë nga qiraja ditore, arrin të sigurojë të ardhurat që do t’i merrte për një muaj. Por kjo ka pakësuar ofertën e strehimit për qira afatgjatë.

Ndër të tjera ka rritje të kërkesës nga shumë çifte të reja që e kanë të pamundur të përballojnë blerjen e një apartamenti me nivelin e çmimeve të sotme. Opsioni më i mirë për ta mbetet strehimi në banesa me qira”, pohon ai.

Dyqanet, Tirana më e shtrenjta në rajon

Edhe për qiratë e zyrave dhe njësive tregtare këtë vit ka pasur shtrenjtim të çmimeve deri në 20%.

Agjentja imobiliare Lorina Rada tha se në zonat kryesore të Tiranës, çmimet e qirave janë rritur mesatarisht 3 deri në 4 euro/m² më shumë sesa viti paraardhës, për shkak të kërkesës më të lartë nga bizneset.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive në kompaninë Colliers International Albania, tha se në godinat qendrore, qiratë e zyrave kanë arritur 30 euro/m², duke e renditur Tiranën si kryeqytetin më të shtrenjtë në rajon.

Sipas të dhënave të marrë nga agjencitë imobiliare, çmimet e qirave për ambiente tregtare tek Europian Trade Center, ETC, sivjet kanë arritur 30 euro/m² nga 25 euro/m² që ishin vjet. Rritja është 20% për metër katror.

Te Dowtown One, çmimet variojnë nga 25-27 deri në 30 euro/m².

Te Kompleksi “Halili”, te Selvia, çmimi i qirasë për zyra varion 18-20 euro/m². Te kompleksi “Usluga” pranë ish.Stacionit të Trenit, çmimi është 15 euro/m².

Afër Rrugës së Barrikadave nuk ka shumë ofertë për zyra, e cila është e përqendruar më tepër për shtëpi banimi. Te komplekset që disponojnë ambiente të lira për zyra, çmimet arrijnë deri 25 euro/m².

Në zonat e ish-Bllokut, oferta gjithashtu është e limituar sipas agjentëve të tregut real estate. Çmimet arrijnë deri në 25 euro/m².

Te qendra “Turdie”, çmimet e qirave për zyra janë 22 euro/m².

Zonja Dhami thotë se rritja e qirave për njësitë tregtare është ndikuar nga çmimet e larta të shitjes nga ndërtuesit.

“Ndërtuesit në Shqipëri e kanë të menjëhershëm transferimin e rritjes së kostove të ndërtimit te blerësit ose qiramarrësit e këtyre njësive.

Janë të sigurt që nëse ndërtojnë në zona urbane me dendësi në popullsi atëherë këto njësi do të shiten e të vihen në përdorim të komunitetit.

Gjithsesi, duhet theksuar se mbetet ende strategjia e ndërtuesve të shesin njësitë tregtare dhe jo t’i mbajnë ato në menaxhim dhe të ofrojnë dhe cilësi shërbimi në mirëmbajtjen e tyre”.

Niveli i lartë i qirave, thotë zonja Dhami, po bën vendosjen e korporatave në këto ambiente shumë të vështirë, sidomos në sektorin e BPO (Business Process Outsourcing).

Tirana, e pesta më e shtrenjta në Europë për të blerë apartament, pritet sërish rritje

Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën në pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone.

Sipas të dhënave Numbeo-s për 2024, për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 15.3 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Lisbonën, një familjeje i nevojiten 19.5 vite për t’u bërë pronare e një prone.

Në indeksin e Numbeo-s, për 293 qytete në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti deri në mesin e vitit 2024 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane me apartamentet më të shtrenjta.

Krahasuar me një vit më parë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite. Ndërsa për vitin 2022, ishte 15.7 vite kurse në indeksin e vitit 2021, 16.2 vite.

Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Pas Milanos, Tirana vijon të mbetet për apartamentet më të shtrenjta në Europë.

Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos, renditej Tirana me 17.5 vite.

Në renditjen botërore për vitin 2024, Tirana renditet në vendin 64, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 15.2 vite, në Londër 14.9 vite, në Romë dhe Vjenë 14.2 vite, në Nju Jork, 13 vite, dhe Montreal të Kanadasë, 10.9 vite.

Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajeva, 13.6 vite.

Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Xiamen në Kinë përkatësisht me 48.1 vite.

Agjentët imobiliarë paralajmërojnë sërish shtrenjtim të çmimeve së apartamenteve

Ndërtuesit paralajmëruan më parë se rritja e kostove nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të shtrenjtojë sërish çmimet e apartamenteve.

Edhe njohësit e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se shtimi i detyrimeve për taksat te ndërtuesit do të reflektohet te çmimet e shitjes.

“Nga muaji gusht 2023, me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës për Tiranën, u shtua automatikisht detyrimi i ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Rritja e kostove pritet të reflektohet në çmimet e shitjes së pronave”, pohon Ylli Sula, drejtuesi i indeksit “Key Data”.

Pas rënies në muajt e verës, kërkesa për blerje të pronave është rritur në muajt e vjeshtës. Por për agjentët imobiliarë, krahasuar me vjet, kërkesa është në rënie.

Stela Dhami pohon se kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë kryesohet nga shqiptarët e diasporës dhe të ardhurit nga rrethet.

“Shumë prej shtetasve shqiptarë në diasporë e më tej mbeten të interesuar për të pasur një apartament në Tiranë, si urë lidhëse midis tyre dhe vendlindjes.

Gjithashtu, te projektet në afërsi të universiteteve, shumë prindër nga rrethet mendojnë blerjen e apartamentit si një investim për fëmijët që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në metropol.

Ndërsa te zonat bregdetare, rritja e kërkesës u ndikua nga të huajt dhe shtetasit shqiptarë të diasporës, pasi çmimet e pronave ende vijojnë të jenë më të lira sesa ato në Malin e Zi dhe Kroaci”.

Të blesh një shtëpi apo ta marrësh me qira?

Raporti çmim/qira përdoret kudo në botë për të treguar nëse ia vlen të blesh një shtëpi, apo të jetosh në shtëpi me qira. Ai mat vlerën e një shtëpie, në krahasim me të ardhurat që mund të marrësh nga ajo.

P.sh., nëse është 15, kjo do të thotë se çmimet e shtëpisë janë sa 15 herë qiraja vjetore që do të fitohej nga këto shtëpi.

Raporti i çmimit ndaj qirasë është kostoja mesatare e pronësisë e pjesëtuar me të ardhurat e marra nga qiraja (nëse blihet me qira) ose qiraja e vlerësuar që do të paguhet nëse jepet me qira (nëse blihet për të banuar).

Vlerat më të ulëta sugjerojnë se është më mirë të blesh sesa të marrësh me qira, dhe vlerat më të larta tregojnë se është më mirë të marrësh me qira sesa të blesh.

Sipas të dhënave që jep “Numbeo”, deri në mesin e 2024, për Tiranën ky raport është 21,76 për zonat e qendrës, dhe 17,38 për zonat jashtë qendrës. Pra për zonat jashtë qendrës, raporti është brenda kufirit të blerjes së shtëpisë.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, të marrësh një shtëpi me qira është e leverdishme nëse ky raport është më i madh sesa 20, dhe ta blesh nëse kjo normë është më pak se 15.

Nëse norma është midis 15 dhe 20, atëherë ka më shumë kuptim që të blesh, në rast se blerësi synon të jetojë në shtëpi për një kohë të gjatë.

Për Shkupin, ky raport është 30,06 për zonat brenda qendrës dhe për zonat e banuara jashtë qendrës, 29,09; për Podgoricën është 18,7 për zonat e qendrës dhe jashtë qendrës, 19,01. Për Athinën është 23,6 për zonat e qendrës dhe 25 për zonat jashtë qendrës.

/Monitor.al/

Etiketa: cmimet e qeraveKryesore1qeraqerateTirane

Lajme të lidhura

Trafik droge me makina luksoze/ Arrestohen 5 të rinj në Tiranë, mes tyre dy vëllezër
Aktualitet

Trafik droge me makina luksoze/ Arrestohen 5 të rinj në Tiranë, mes tyre dy vëllezër

09:55 - 21/06/25
KQZ nis rinumërimin e votave për 4 qarqe, përfshihen edhe 85 kuti votimi të diasporës
Aktualitet

Vijon rinumërimi i votave për Tiranën/ Deri tani janë hapur 355 kuti, ja rezultati

08:55 - 21/06/25
“Shoferi” 15-vjeçar humb kontrollin e mjetit dhe aksidentohet, plagosen edhe dy të mitur që e shoqëronin
Aktualitet

“Shoferi” 15-vjeçar humb kontrollin e mjetit dhe aksidentohet, plagosen edhe dy të mitur që e shoqëronin

22:39 - 20/06/25
Para
Biznesmenët italianë nuk paraqiten në komision, Vokshi: Policia t’i sjellë me zor

Biznesmenët italianë nuk paraqiten në komision, Vokshi: Policia t’i sjellë me zor

Discussion about this post

TË FUNDIT

Trafik droge me makina luksoze/ Arrestohen 5 të rinj në Tiranë, mes tyre dy vëllezër
Aktualitet

Trafik droge me makina luksoze/ Arrestohen 5 të rinj në Tiranë, mes tyre dy vëllezër

09:55 - 21/06/25

5 perosna janë arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se ishin të përfshirë në një rast të shitjes së 5 kg kanabis...

Lexo më shumë
Finalja e Madhe! Big Basta shpallet fituesi i Ferma VIP 2

Finalja e Madhe! Big Basta shpallet fituesi i Ferma VIP 2

09:23 - 21/06/25
Tenderi 465 MLN lekë i mobilimit/ Poltroni rrotullues i Anuelës duhej testuar jashtë shtetit, KPP anulon kriteret “diskriminuese”

Tenderi 465 MLN lekë i mobilimit/ Poltroni rrotullues i Anuelës duhej testuar jashtë shtetit, KPP anulon kriteret “diskriminuese”

09:06 - 21/06/25
KQZ nis rinumërimin e votave për 4 qarqe, përfshihen edhe 85 kuti votimi të diasporës

Vijon rinumërimi i votave për Tiranën/ Deri tani janë hapur 355 kuti, ja rezultati

08:55 - 21/06/25
Këmbimi valutor 26 prill, me sa blihen e shiten dollari dhe euro

Këmbimi valutor 21 qershor/ Me sa blihen e shiten sot monedhat e huaja

08:36 - 21/06/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com