Sistemi global për krimin financiar është tejet i shtrenjtë dhe joefektiv, shkruan The Economist
Një tjetër bankë po përgatitet të përballet me akuzat për dështim në përpjekjet për ndalimin e pastrimit të parave. NatWest, një nga huadhënësit më të mëdhenj të Britanisë, pritet të paraqitet në gjykatë në Londër, për t’iu përgjigjur akuzave se nuk arriti të shqyrtonte siç duhet një klient të tregtisë së arit që depozitoi 365 milionë paund (502 milionë dollarë) në bankë, nga të cilat, 264 milionë paund në para të thata.
NatWest (që ka thënë se po bashkëpunon me hetuesit) është huamarrësi më i fundit, që dështon në luftën kundër parave të pista. Vitin e kaluar, bankat globale u gjobitën me 10.4 miliardë dollarë për shkelje të rregullave në kontrollin e pastrimit të parave, një rritje prej më shumë se 80% në vitin 2019, sipas kompanisë së softuerëve Fenergo.
Në janar, banka amerikane Capital One, u gjobit me 390 milionë dollarë për mosraportimin e mijëra transaksioneve të dyshimta. Danske Bank ende po përballet me pasojat e një skandali që shpërtheu në vitin 2018. Mbi 200 miliardë dollarë para potencialisht të pista kaluan përmes degës estoneze të huadhënësit danez, ndërkohë që drejtuesit ekzekutivë shpërfillën shumë shenja paralajmëruese.
Bankat, thembra e Akilit
Këto raste tregojnë se bankat mbeten thembra e Akilit në luftën globale kundër pastrimit të parave, pavarësisht rregullave të vazhdueshme që synojnë t’i kthejnë ato në ushtarë të vijës së parë në këtë betejë. Sidoqoftë, një studim i fundit tregon se sistemi global kundër pastrimit të parave (AML) ka të meta serioze strukturore, kryesisht për shkak se qeveritë i kanë kaluar sektorit privat pjesën më të madhe të përgjegjësisë së ndërmarrjes së politikave.
Një studim i publikuar vitin e kaluar nga eksperti i krimit financiar Ronald Pol, arriti në përfundimin se sistemi global AML mund të jetë “eksperimenti më pak efektiv në botë” dhe se kostot e pajtueshmërisë për bankat dhe bizneset e tjera mund të jenë më shumë se 100 herë më të larta se sasia e parave të pista të sekuestruara. Një raport i publikuar vitin e kaluar nga LexisNexis, firmë analitike, zbuloi se shpenzimet në të gjithë botën për AML dhe pajtueshmërinë me sanksionet nga institucionet financiare (përfshirë menaxherët e fondeve, kompanitë e sigurimit dhe të tjerë) tejkalon 180 miliardë dollarë në vit.
Pastrimi i parave nuk ishte as një krim në të gjithë botën deri në vitet 1980. Që nga ajo kohë, vende si Afganistani dhe Zambia janë detyruar, veçanërisht nga Amerika, për të miratuar ligje kundër këtij fenomeni. Përpjekjet u intensifikuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në vitin 2001 dhe miratimit të Aktit Patriot të Amerikës, i cili shënjestronte gjurmët e parave që financonin terrorizmin dhe krime të ngjashme.
Pajtueshmëria me AML është bërë pjesë e rëndësishme e veprimtarive të bankave dhe kjo ka krijuar burokraci të reja të mëdha. Nuk është e pazakontë për firma si HSBC ose JPMorgan Chase të kenë 3,000-5,000 specialistë të përqendruar në luftimin e krimit financiar.
AML ka arritur të luftojë praktikat më të dëmshme, si përdorimi i bankave guaskë (ato pa klientë të vërtetë) në vende të largëta, me synimin për të pastruar valixhet e mbushura me para droge. Por kriminelët nuk janë detyruar të bëhen veçanërisht krijues: sot, nuk është shumë më e vështirë se 20 vite më parë, për të maskuar para të pista, duke krijuar një kompani guaskë dhe duke i maskuar kalimet e parave në të si të ardhura të ligjshme, duke e bindur kështu një bankë serioze që t’i përpunojë paratë.
Lufta po humbet
Si rezultat, shifrat tregojnë një luftë që po humbet. “Vlerësimi Global i Kërcënimeve”, një raport nga John Cusack, ish-kryetar i Wolfsberg Group, vlerëson se në vitin 2018, ishte kryer një krim financiar me vlerë 5.8 trilionë dollarë – ekuivalent me 6.7% të PBB-së globale. Statistikat se sa janë përgjuar nga autoritetet janë të pakta. Një vlerësim i vjetër nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, e përcakton këtë shifër në vetëm 0.2% të totalit. Në vitin 2016, Europol vlerësoi se niveli i konfiskimit të parave në Europë ishte më i lartë, por gjithsesi i dobët, në 1,1%.
Disa ekspertë mendojnë se niveli i suksesit mund të ketë rënë në vitet e fundit, pjesërisht për shkak të rritjes së “pastrimit të parave të bazuara në tregti”, një lëvizje që zhvendos para të dyshimta në ekonominë legjitime, duke bërë mashtrime në dokumentacionet për tregtinë ndërkufitare. Pandemia Covid-19 gjithashtu ka rritur mundësitë për mashtrime financiare.
Kriminelët kanë ngritur kompani guaska për të shfrytëzuar skemat e mëdha të ndihmës qeveritare të policuara keq. Në Britani, autoritetet kanë marrë më shumë se 50,000 raporte të keqpërdorimit të mundshëm të skemave të saj të rimëkëmbjes.
Goditja e guaskave
Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), organi ndërqeveritar që përcakton standardet globale të AML, pranon se ka probleme me sistemin. Tetorin e kaluar, presidenti i saj, Marcus Pleyer, akuzoi “shumicën dërrmuese” të vendeve për dështim në luftimin e pastrimit të parave. Disa shtete kanë arritur rezultate të mira në vlerësimet e organizatës, duke miratuar ligje AML në dukje të forta, por më pas i zbusin ato, ose nuk zbatojnë dispozitat kryesore. Një shkelës i tillë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku zbatimi i dobët i ligjit ka ndikuar që Dubai të kthehet në një vatër për kapital të korruptuar.
Përpjekjet globale për të luftuar pastrimin e parave janë zbehur gjatë pesë viteve të fundit, thotë Robert Barrington nga Universiteti Sussex. Në vitin 2016, kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron, mirëpriti një samit global antikorrupsion dhe qeveritë e tjera u bënë gati për të mbështetur kauzën. Por ky ishte një fillim pa të ardhme. Britania u shpërqendrua nga Brexit. Në Amerikë, presidenti Donald Trump tregoi një udhëheqje të dobët për këtë çështje. Kina dhe Rusia kanë bllokuar përpjekjet për të bashkërenduar veprimet kundër korrupsionit.
Tre probleme të mëdha pengojnë luftën kundër krimit financiar: mungesa e transparencës, mungesa e bashkëpunimit dhe mungesa e burimeve. Fillojmë me transparencën. Hetuesit shpesh kanë vështirësi të identifikojnë “përfituesit” e vërtetë, pronarët e kompanive guaskë, të cilët shpesh fshihen pas të nominuarve ligjorë.
Është arritur progres në rritjen e transparencës. Britania krijoi një regjistër publik të pronarëve të kompanive në vitin 2016, duke nxitur disa të tjerë të ndjekin të njëjtin shembull. Ishujt satelitë të Britanisë, si Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Jersey, janë detyruar të krijojnë regjistra ose të forcojnë regjistrat ekzistues. Amerika, kohët e fundit, miratoi një ligj që kërkon që të dhënat e pronësisë mbi firmat e regjistruara në nivel shtetëror, përfshirë fabrikat në Delaware, të mbahen në një regjistër federal.
Sidoqoftë, shumë vende u shmangen regjistrave dhe ato që i kanë, janë përballur me probleme. Në Britani, kriminelët kanë qenë të gatshëm të rrezikojnë, duke paraqitur informacion të rremë, sepse ndëshkimet për këtë janë vërtet modeste. Hong Kongu planifikon të zbusë kërkesat për detajet që pronarët e ndërmarrjeve duhet të zbulojnë në regjistrin e të dhënave.
FATF po kërkon të ashpërsojë standardin për transparencën e pronësisë; versioni aktual thotë thjesht se “autoritetet kompetente” duhet të kenë qasje në informacione të tilla “në kohën e duhur”. Por nxitja e 39 anëtarëve kryesorë të saj, përfshirë Amerikën, BE-në, Kinën dhe Rusinë, që të bien dakord mbi një marrëveshje të re, do të jetë e vështirë.
Problemi i dytë, mungesa e bashkëpunimit, pengon bashkëpunimin e qeverive me njëra-tjetrën dhe me bankat në vijën e parë. Skemat e mëdha të pastrimit të parave janë të sofistikuara dhe transnacionale, ndërsa përpjekjet kundër pastrimit të parave mbeten të izoluara. Shkëmbimi i informacionit midis qeverive po përmirësohet, falë bashkëpunimit midis “njësive të inteligjencës financiare”, qendra kombëtare që mbledhin të dhëna për transaksione të dyshimta. Por sistemi i “ndihmës së ndërsjellë juridike”, është i dobët. Ky është një sistem të cilin vendet që hetojnë krimet e përdorin për të kërkuar informacion nga njëri-tjetri.
Për sa u përket të dhënave nga bankat, përfitimet e ndarjes së informacionit janë të padiskutueshme. “Vlera e informacionit që vjen nga një rrjet bankash është mijëra herë më e lartë se informacioni nga një bankë e vetme, sepse mund të dallohen jo vetëm nga erdhën paratë, por edhe se ku u transferuan etj.”, thotë kreu i një banke të madhe ndërkombëtare.
Fatkeqësisht, niveli i bashkëpunimit është “i tmerrshëm”. Amerika po bën një punë më të mirë, falë the Patriot Act, por edhe atje, shkëmbimi i informacionit është “në një shkallë të vogël”. Çdo gjë më shumë se kaq, kërkon një urdhër nga një gjyqtar, “gjë që është e vështirë”. Britania vjen në vend të dytë, thotë ai, me “rreth 30%” të ndarjes së të dhënave të realizuara në Amerikë. Dhe në vend të tretë? “Asnjë”.
Pengesat
Një pengesë shqetësuese për ndarjen e informacionit janë ligjet e privatësisë së të dhënave, të cilat në shumë vende i parandalojnë bankat të kalojnë informacion tek autoritetet, veçanërisht ato të huaja. Disa banka të mëdha kanë lobuar që të bëhen përjashtime për AML, por “qeveritë nuk e shohin atë si një përparësi legjislative”, thotë një ekzekutiv në një bankë tjetër.
Vështirësia e tretë, mungesa e burimeve, buron nga fakti se krimi financiar është më pak i dukshëm sesa krimi i dhunshëm. Thjesht shpenzimet për frenimin e këtij të fundit janë më tërheqëse për publikun. Në Britani, mashtrimi me paratë përbën më shumë se një të tretën e krimit të raportuar, megjithatë zë më pak se 1% të burimeve të policisë për sa i përket numrit të oficerëve. Bankat mund të shpenzojnë shumë për AML, por kriminelët nuk do të përfundojnë në gjykatë nëse qeveritë nuk investojnë në ndjekje penale.
Shumë agjenci që luftojnë krimin kanë mungesë fondesh për të analizuar siç duhet raportet e aktiviteteve të dyshimta (SARs), kur ato zbulojnë transaksione të dyshimta. SARs janë një gur themeli për sistemin. Por bankat paraqesin shumë raporte me cilësi të ulët ose raporte të kota, sepse thjesht duan të mbrohen vetë nga ndëshkimet në vend që të zbatojnë kritere të forta. Globalisht, ato paraqesin me miliona raporte SARs në vit; vetëm në Amerikë, rreth 1.2 milionë u dorëzuan nga depozituesit vitin e kaluar (shih grafikun).
Revolucion në rregullat financiare
Që sistemi AML të zbatohet siç duhet, qeveritë duhet të punojnë më shumë së bashku. “Fajësimi i bankave për moszbatimin e duhur të ligjeve AML, është thjesht një justifikim i dobishëm”, përfundon raporti i zotit Pol. Ai gjithashtu toleron në mënyrë të padrejtë aktorët jobankarë, të cilët mundësojnë korrupsionin.
Ndërsa gjobat për bankat me kontrolle të dobëta të rregullave AML janë rritur pa pushim, avokatët që krijojnë kompani të dyshimta, llogaritarët që nënshkruajnë skedarët e tyre të dyshimtë dhe persona të tjerë të ngjashëm, nuk janë vënë para përgjegjësisë. Për shembull, agjencia doganore e Britanisë, mbikëqyr më shumë se 30,000 llogaritarë, agjentë të pasurive dhe biznese të tjera për qëllime të ndalimit të pastrimit të parave; në vitin financiar 2019-‘20, ajo lëshoi vetëm 31 gjoba, me vlerë mesatare 290,000 paund. Qeveritë gjithashtu duhet t’u kushtojnë vëmendje implikimeve të ligjit AML në kriptovaluta dhe firmave që bëjnë tregti me to.
Aktivistët që bëjnë fushata për të mbyllur hendeqet në arkitekturën globale të AML, kanë varur mjaft shpresa në administratën e Biden, e cila ka thënë se e sheh luftën ndaj korrupsionit si një çështje të sigurisë kombëtare dhe si rrjedhojë, përparësi. Mbetet për t’u parë nëse administrata e tij do të punojë në mënyrë më efikase me Europën, e cila po rishikon mbikëqyrjen e AML, pas fiaskos me bankën Danske. Shpresat që Kina të bindet për bashkëpunim nuk janë të mëdha. Sidoqoftë, bankierët ndoshta duhet të përgatiten për një qortim tjetër.