Qeveria ka miratuar rregullat, procedurat dhe kriteret për trajtimin e hetuesve të BKH-së. Vendimi parashikon nga ndihma financiare dhe shpërblimet për hetuesit e BKH-së, te kreditë e buta dhe mbrojtja e veçantë.
Kështu bazuar në vendim, punonjësit e BKH që kanë nevojë për strehim mund të marrin kredi të buta me interes 3% në një shumë jo më shumë se 5 mln lekë, ndërkohë që përfitojnë shpërblime deri në 10 paga mujore, në rastet e arritjes së rezultateve në kryerjen e detyrave.
Në vendimin e miratuar, thuhet se trajtimi i punonjësit përfshin të drejtën e pushimit vjetor dhe pushimeve të tjera të pagueshme, lejen pa të drejtë page, trajtimin financiar gjatë qëndrimit në punë, të drejtën për sigurim shëndetësor të veçantë, të drejtën për përfitim të kredisë me interesa të buta, sigurimin e jetës, mbrojtjen e veçantë, si dhe trajtimin e familjarëve të punonjësve që humbasin jetën për shkak të detyrës.
Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzon të drejtën e pushimit vjetor, si dhe të pushimeve të tjera të pagueshme, me të njëjtin trajtim që përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.
Punonjësi gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë vijon:
- a) 40 (dyzet) ditë kalendarike për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
- b) 35 (tridhjetë e pesë) ditë kalendarike për hetuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerin e shërbimit të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në detyrë.
Kur punonjësit i ndërpriten marrëdhëniet e punës, trajtohet menjëherë financiarisht për ditët e pushimit vjetor të pakryera, të llogaritura në raport me kohëzgjatjen e tij të punës brenda vitit kalendarik.
Kur punonjësi nuk ka kryer një vit të plotë kalendarik pune, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës së kryer brenda vitit kalendarik. Pushimi vjetor përfitohet vetëm pasi punonjësi ka ushtruar detyrën për një periudhë 3 (tre)-mujore.
E drejta e pushimeve që nuk jepen nga punëdhënësi ose nuk merren nga punëmarrësi parashkruhet brenda 3 (tre) vjetëve nga dita në të cilën punëmarrësit i lind kjo e drejtë.
Pushimet e tjera
- Punonjësit i jepet leje e pagueshme për rastet, si më poshtë vijon:
- a) Martesën e tij 7 (shtatë) ditë;
- b) Martesën e fëmijës 5 (pesë) ditë;
- c) Lindjen e fëmijës (baballarët) 3 (tre) ditë;
ç) Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortes/it, të fëmijës, vëllezërve, motrave 7 (shtatë) ditë;
- d) Ndërrim të banesës 3 (tre) ditë;
- dh) Sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve apo bashkëshortit, të vërtetuara me raport të paaftësisë së përkohshme në punë 7 (shtatë) ditë;
- e) Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve akademikë apo të gradës shkencore për punën që kryejnë 10 (dhjetë) ditë.
Orët shtesë të punës
Orët shtesë të punës kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune, apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 deri në orën 6:00.
Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës dhe shërbimit bëhet brenda 2 (dy) muajve nga dita kur janë kryer ato. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës apo shërbimit me pushim, punonjësi kompensohet me shtesë page, në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
Trajtimi financiar i punonjësve
Punonjësi, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihen:
- a) paga mujore;
- b) ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje;
- c) shpërblimi deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore për rezultate të larta në kryerjen e detyrës;
ç) ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Paga dhe ndihma e menjëhershme financiare
- Paga e punonjësit llogaritet sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
- Punonjësit i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, në masën e 1 (një) page mujore neto, për rastet e vdekjes së bashkëshortit/es, prindit apo fëmijës.
- Pagesa jepet me urdhër të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Shpërblimi për rezultate të larta në kryerjen e detyrës
- Punonjësit përfitojnë shpërblim deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore neto për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Për përfitimin e shpërblimit, punonjësi duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
- a) Të ketë kryer veprime procedurale komplekse me iniciativën e vet me qëllim sigurimin e burimit të provave dhe identifikimin e personit, ndaj të cilit zhvillohen hetimet, të cilat kanë sjellë deklarimin fajtor të autorit të veprës penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- b) Të ketë marrë dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe t’i ketë referuar prokurorit me shkrim fillimin e hetimeve kryesisht, për vepra penale të rënda që janë në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, me kushtin e deklarimit fajtor të subjektit me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- c) Me iniciativën e vet, të ketë parandaluar ardhjen e pasojave të rënda për jetën dhe shëndetin e shtetasve nga vepra penale që janë në kompetencën lëndore të prokurorisë së posaçme;
ç) Të ketë kryer veprime procedurale komplekse që kanë sjellë përfundimin me sukses të hetimeve pasurore, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e pasurive me vlerë mbi 1 miliard lekë, me vendim gjyqësor të formës së prerë.
- Përcaktimi i masës së shpërblimit bëhet, si më poshtë vijon:
- a) Në rastin e shkronjës “a”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 1 (një) page mujore;
- b) Në rastin e shkronjës “b”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 2 (dy) pagave mujore;
- c) Në rastin e shkronjës “c”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 3 (tre) pagave mujore;
ç) Në rastin e shkronjave “a” dhe “b”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 4 (katër) pagave mujore;
- d) Në rastin e shkronjave “b” dhe “c”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 5 (pesë) pagave mujore;
- dh) Në rastin e shkronjës “ç”, punonjësi përfiton shpërblim në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore.
Bazuar në rezultatet e larta në kryerjen e detyrës, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, prokurori i posaçëm, i caktuar për çështjen, i propozon mbledhjes së prokurorëve të posaçëm shpërblimin e punonjësit. Propozimi shoqërohet, për çdo rast, me relacionin shpjegues për arsyet dhe masën e shpërblimit. Sipas rastit, propozimi shoqërohet me dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e rezultateve të larta.
Ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës
Punonjësi, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, në masën 100 (njëqind) për qind të vlerës së pronës së dëmtuar, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.
Punonjësi e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur dëmtimi i pronës së paluajtshme ose të luajtshme vlerësohet më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Ndihma e menjëhershme financiare përfitohet kur punonjësi ka titull pronësie ose bashkëpronësie të pronës së dëmtuar apo kur objekti i ndërtuar pa leje është në proces legalizimi.
Punonjësit i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, sipas këtij vendimi, vetëm në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
Punonjësi e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur:
- a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit për shkak të detyrës dhe rasti është referuar në organin e ndjekjes penale;
- b) prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi për përmbushjen e detyrave zyrtare.
E drejta për sigurim shëndetësor të veçantë
Punonjësit përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Sigurimi i shëndetit bëhet sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, të ofruara nga institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit.
Kredi për strehim
- Punonjësit, të cilët kanë nevojë për strehim, kanë të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të detyrës të përfitojnë kredi për strehim me interesa të butë në masën 3 (tre) për qind. Shteti mbulon diferencën e interesave të kredisë përmbi çdo interes mbi 3 (tre) për qind për të gjithë shumën e kredisë, sipas marrëveshjes së lidhur me bankat e nivelit të dytë.
- Me “nevojë për strehim”, sipas këtij vendimi, do të kuptohen rastet kur punonjësi nuk disponon një banesë për strehim ose kur disponon banesë në pronësi me sipërfaqe më të vogël se ajo e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për normativat e projektimit të banesave.
- Kredia për strehim përfitohet në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në vendin ku punonjësi ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me punonjësin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person.
- Kredia për strehim jepet në vlerën deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë me interes në masën (tre) për qind dhe me afat kthimi deri në 25 (njëzet e pesë) vjet dhe për sipërfaqe shtesë banimi, në vlerën deri në 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, me interes në masën (tre) për qind dhe me afat kthimi deri në 15 (pesëmbëdhjetë) vjet.
- Mbulimi i interesave të kredisë ndërpritet kur punonjësi shkarkohet apo largohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
- Punonjësi nuk ka të drejtë të japë me qira banesën e përfituar me kredi për strehim me një interes në masën 3 (tre) për qind gjatë kohëzgjatjes së përfitimit të kredisë për strehim.
Mbrojtja e veçantë
Punonjësit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pronës, sipas parashikimeve të këtij vendimi kur, gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij e i familjes ose prona. Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe punonjësit që nuk e ushtron më detyrën, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të detyrës.
Me “mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pronës”, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pronës së punonjësit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon:
- a) Ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm, i bazuar në prova për rrethana serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën;
- b) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të detyrës ose ushtrimit të mëparshëm të detyrës.
Pavarësisht mungesës së lidhjes shkakësore, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij kreu, punonjësit i sigurohet mbrojtje e veçantë edhe në rast të pranisë së rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.
Mbrojtja e veçantë personale sigurohet, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Mbrojtja e veçantë, që i sigurohet drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas këtij kreu, në të njëjtat kushte dhe sipas së njëjtës procedurë, zbatohet dhe për oficerët nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Discussion about this post