Kreu i PD, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, solli në vëmendje raportin e Bankës Botërore dhe BERZH për 141 shtete të botës.
Ai tha se ky raport thotë se sipërmarrjet shqiptare paguajnë mesatarisht 3.1% të xhiros së tyre vjetore si ryshfet për zyrtarët dhe politikanët. Sipas tij kjo taksë e rendit Shqipërinë të dytën në botë pas Zambias.
“Një tjetër raport që dua të sjell përpara vëmendjes së qytetarëve sot, është ai i kryer nga Banka Botërore dhe BERZH në 141 shtete.
Ky është një nga vrojtimet më prestigjioze të botës për matjen e korrupsionit që hasin bizneset.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe BERZH, sipërmarrjet shqiptare paguajnë mesatarisht 3.1% të xhiros së tyre vjetore si ryshfet për zyrtarët dhe politikanët. Kjo shifër është tre herë me e lartë se ajo e raportuar në vitin 2013. Fatkeqësisht, taksa e ryshfetit, e rendit Shqipërinë të dytën në botë pas Zambias. Pra edhe njëherë kemi një zhvendosje në një tjetër kontinent të vendit tone, në Afrikë, për shkak të korrupsionit” – është shprehur Basha.
Ai gjithashtu tha se sipërmarrjet shqiptare përveçse u duhet të konkurrojnë vetëm me tregjet e tjera, por edhe të luftojnë për mbijetesën me pushtetarët dhe haraçvenesit.
Më tej ai tha se taksa e ryshfetit u kushton shqiptarëve rreth 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë.
“Një tjetër mënyrë krahasimi që e bën të dukshme pengesën përballë të cilës ndodhen sipërmarrjet tona, kur nuk duhet të konkurrojnë vetëm me tregjet e tjera, por duhet edhe të luftojnë për mbijetesën me pushtetarët dhe haraçvënësit e tyre, që e ju nxijnë jetën, e bëjnë të pamundur të bërit biznes.
Kjo pengon rritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve vendase, e njëkohësisht pengon edhe investitorët e huaj, që përpara se të vijnë këtu për të investuar paratë e tyre, studiojnë po të njëjtat të dhëna që kemi përpara nesh. Sipas përllogaritjeve, taksa e ryshfetit u kushton bizneseve shqiptare rreth 550 milionë euro në vit në raport me xhiron e tyre, ose 1.5 milionë euro në ditë” – është shprehur Basha.
Basha nxjerr grafikun: Shqipëria e 105-ta në botë për korrupsion
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nxori nga foltorja e Kuvendit një grafik, që sipas tij, tregon korrupsionin në Shqipëri. Basha iu referua të dhënave të publikuara nga “World Justice Project”, ku rezulton se Shqipëria renditet në vendin e 105-të në botë për korrupsion.
“Dhe kur vjen fjala te korrupsioni, një nga faktorët e matur nga “World Justice Project”, Shqipëria e drejtuar nga ju mban vendin e 105-të në botë, pra jo vetëm korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon, por na keni renditur pas Beninit, Egjiptit, që mbajnë vendin e 103-të dhe të 104 dhe ndiqemi nga Zambia dhe Mozambiku, të 106-tët dhe 107-tët.
Shikoni, është i vetmi europian në listë. Ky është pozicioni në të cilin meriton të jetë Shqipëria? Fryhet lartë e poshtë ekraneve, duke nanuritur se po bën shtet. Ky është shteti që ke bërë? Me këtë nivel korrupsioni, mund të hapësh negociatat me Unionin Afrikan, se në Bruksel, të 105-tët në botë për, nuk na pranon njëri” – u shpreh Basha.
“Të fundit në Europë për sundimin e ligjit”, Basha: Shqipëria shtet i kapur nga korrupsioni
Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se e ka kthyer Shqipërinë një vend ku korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit nuk përbën më lajm.
Duke përmendur raportet e Transparency International, Ëorld Justice Project, Basha tha se Shqipëria renditet mes shteteve më të korruptuara.
“Pak ditë më parë, “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publikoi Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021, në të cilin Shqipëria renditej e fundit në Europë.
E 83-ta nga 139 shtete, është renditur vendi ynë, mes Algjerisë dhe Surinamit, një shtet për të cilin disa prej njerëzve në këtë sallë duhet të klikojnë në google për ta gjetur. Ndërsa unë e mbaj mend nga vitet e studimit në Holandë si vendi me një president në kërkim ndërkombëtar të akuzuar për korrupsion, trafik droge dhe vrasje politike
Këtu është katandisur Shqipëria 8 vite pas sundimit të këtij kryeministri, në një vend ku korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit nuk përbën më lajm. Në një vend ku mendjelehtësi marramendëse trajtohen me oreks të panginjshëm çdo lloj teme, mjaft që të që eklipsojnë debatin mbi ato që realisht prekin jetën e njerëzve” – është shprehur Basha.
Kujtojmë se ditën e sotme Basha ka reaguar në lidhje me raportin e World Justice Poject, Bankës Botërore si dhe BERZH-it. Lideri demokrat tha se nevojitet vendosmëri për t’u përballur me autokratët e korruptuar të Ballkanit Perëndimor.