Që nga viti 2017, kur raportohet e dhëna e parë, nga Shqipëria drejt vendeve offshore dhe anasjelltas janë kryer gjithsej transferta personale me vlerë prej 10.5 milionë euro.
Shifrat bëhen të ditura në sistemin e të dhënave të Eurostat për transfertat personale dhe janë përpunuar nga Monitor.
Nga këto, 8.2 milionë euro janë transferta që janë dërguar drejt Shqipërisë dhe 2.3 milionë euro janë dërguar nga Shqipëria drejt vendeve offshore.
Niveli më i lartë është shënuar në vitin 2020, me 3.8 milionë transferta hyrëse dhe 0.5 milionë euro transferta dalëse.
Në vitin 2021, transfertat hyrëse ishin 1.3 milionë euro, niveli më i lartë pas vitit 2020, Ndërsa dërgesat drejt qendrave financiare ishin 0.7 milionë uro, që është niveli më i lartë që nga viti 2017, kur raportohen të dhënat.
Sipas përkufizimit global, “Një qendër financiare offshore (përtej detit), e njohur ndryshe si OFC, përkufizohet si një vend ose juridiksion që vë në dispozicion shërbimet financiare për jorezidentët me qëllim të anashkalimit të aspekteve të vendit ose juridiksionit të jorezidentit. Këto qendra financiare përgjithësisht përdoren si vendndodhje për kompanitë mbajtëse të aseteve për të kryer shmangien e taksave. Shumë shpesh, ato përdoren në mënyrë të paligjshme për evazion fiskal”.
Eurostat liston si qendra financiare offshore vendet e mëposhtme: “Andorra, Antigua and Barbuda, Anguilla, Aruba, Barbados, Bahrain, Bermuda, Bahamas, Belize, Cook Islands, Curaçao, Cayman Islands, Dominica, Grenada, Guernsey, Gibraltar, Hong Kong, Isle of Man, Jersey, St Kitts and Nevis, Lebanon, Saint Lucia, Liechtenstein, Liberia, Marshall Islands, Montserrat, Mauritius, Nauru, Niue, Panama, Philippines, Seychelles, Singapore, Sint Maarten, Turks and Caicos Islands, Saint Vincent and the Grenadines, Virgin Islands (British), Virgin Islands (U.S.), Vanuatu, Samoa”.
Skema si përdoren vendet offshore për të bërë evazion dhe paguar ryshfetet
Ekspertët kanë pohuar për “Monitor” se transaksionet me vendet e ashtuquajtura offshore janë të zakonshme, sidomos për kompanitë e mëdha që fitojnë tendera me vlerë të lartë dhe koncesione dhe nuk kanë si të justifikojnë shpenzimet, nga njëra anë, dhe duhet të paguajnë dhe ryshfet nga ana tjetër.
Për të justifikuar rritjen e kostove dhe pagesat e ryshfetit përdoret trekëndëshi vend importues- offshore dhe destinsacioni final (Shqipëria). Psh, një produkti, që blihet realisht në vendin importues për 1000 euro/njësi, i bëhet dalje me faturë për në një nga vendet ofsshore me 1500 euro/njësi. Në këtë mënyrë kosto e produktit u rrit me 50%, ndërsa transferohen 500 euro në offshore, të cilat janë pa taksa dhe përdoren për të paguar korrupsionin. Në këtë mënyrë, përmes trekëndëshit me offshore rritet vlera e sipërmarrjes, fryhen shpenzimet dhe paguhet ryshfeti.
Kjo skemë mund të përdoret dhe në ndërtim, duke futur aksionerë përmes vendeve offshore, apo në sektorë të tjerë.
Eurostat në fakt raporton vetëm transfertat personale që bëhen drejt dhe nga vendet offshore, por rritja e shifrave vitet e fundit tregon se ky mekanizëm po përdoret gjithnjë e më shumë. Maqedonia Veriut, psh i ka zero transfertat personale në hyrje e dalje nga vendet offshore, ndërsa ato përdoren në Serbi dhe shumë pak në Mal të Zi.
Discussion about this post