Përveçse kanë pagat më të ulëta në rajon, familjet dhe individët shqiptarë përballen dhe me çmime më të larta sa herë që duan të plotësojnë nevojat e tyre të përditshme për tu ushqyer.
Sipas statistikave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, çmimet mesatare të ushqimeve dhe pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 83.3% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (85.5%).
Të dhënat i referohen vitit 2021. Më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 64.4% të mesatares europiane, Bosnjë Hercegovina (78.8), Kosova (80.6%), Mali i Zi (82.2%).
Në të kundërt, paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Në shtator 2022, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte rreth 520 euro, ose rreth 40% më e ulët se në Serbi, ku paga mesatare arriti në 880 euro/muaj në të njëjtën periudhë.
Në Mal të Zi paga mesatare është 885 euro, Bosnjë Hercegovinë 896 euro, Maqedoninë e Veriut 788 euro. Në Kosovë, në fund të 2021-t, ky tregues ishte 482 euro.
Ushqimet
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur më shpejt se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, në vitin 2016, çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike ishin sa 71% e mesatares së Bashkimit Europian, duke qenë relativisht më të lira se Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, duke lënë pas Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe diferenca e pagave me rajonit ishte më e ulët (psh në 2019-n paga mesatare ishte rreth 30% më e ulët sesa rajonit). Pesë vjet më pas, Shqipëria është e dyta më e shtrenjtë për çmimet relative të ushqimeve me rajonin, ndërsa diferenca mes pagave është rritur në 40%.
Bulmeti
Veza, djathi e qumështi, më të shtrenjta edhe se mesatarja Europiane
Sipas grupeve, çmimet më të shtrenjta në vend janë për “qumësht, djathë e vezë”, që jo vetëm kushtojnë më shumë në rajon, por edhe në krahasim me mesataren europiane, me 107.3% (dmth 7.3% më shumë sesa mesatarja e BE-së).
Buka është më e shtrenjta, së bashku me Serbinë, me përkatësisht 77.2 dhe 77.9% të mesatares europiane.
Për frutat e perimet treguesi është 70.9%, i treti pas Serbisë dhe Malit të Zi.
Edhe vajrat dhe yndyrnat janë më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, me 107.4, e dyta pas Serbisë.
Ndonëse Shqipëria është një vend bregdetar, peshku është më i lirë në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë.
Pijet
Pijet alkoolike janë më të shtrenjtat në rajon bashkë me malin e Zi (122 dhe 122.4 përkatësisht) dhe më shtrenjtë se në shumicën e vendeve të BE-së.
Duhani është më i lirë në Kosovë (37.9), Maqedoninë e Veriut (331.7%) dhe Shqipëri (42%).
Pesha më e lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë
Për shkak të të ardhurave të ulëta dhe çmimeve të larta, familjet shqiptare shpenzojnë pjesën më të lartë të buxhetit të tyre për tu ushqyer, duke u mbetur më pak për transport, argëtim, bare e restorante.
Në vitin 2020, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për Shqipërinë, një familje normale shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime. Kjo shifër është pak më e lartë sesa ajo që raporton INSTAT (41.6% për 2020-n dhe 41.3 për 2021-n).
Për një familje europiane, sigurimi i ushqimit nuk është aspak një problem. Në 2021-shin mjaftonin 14.3% e shpenzimeve totale (14.8% në 2020-n) për të përmbushur nevojën minimale të jetesës, shumë më pak se e njësie familjare tek ne.
Edhe në raport me rajonin, Shqipëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime. Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për Bosnjë Hercegovinën 29.5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24.6%, sipas Eurostat (viti 2019).
Të dhënat për Kosovën mungojnë nga Eurostat, por pesha është më e ulët se 40%, sipas statistikave kombëtare.
Discussion about this post