Një përplasje me armë zjarri mes një shqiptari dhe policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm tronditi zonën e Mikrolimanos në Greqi. Bëhet me dije se i plagosur mbeti shqiptari Astrit Hasani, ose Alesio Xhelo, i njohur ndryshe me nofkën “Titi”.
Ngjarja ndodhi pak para orës 05:00, kur oficerët e policisë greke, gjatë një patrullimi rutinë, i kërkuan 41-vjeçarit Hasani të ndalonte për kontroll. Sipas autoriteteve, ai tentoi të largohej dhe më pas nxori armën duke e drejtuar ndaj efektivëve.
“Oficerët e policisë reaguan menjëherë sapo shqiptari drejtoi armën, duke u pozicionuar përpara se të qëllonin”, deklaroi zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou.
Pas ndërhyrjes së policisë, Hasani u plagos dhe u transportua me ambulancë në Spitalin Attikon, ndërsa raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrolli, nuk u gjet asnjë mjet identifikimi i shqiptarit, ndërsa policia greke zbuloi një arsenal armësh në posedim të tij. Autoritetet sekuestruan dy pistoleta, një revolver dhe një çantë me gjashtë granata, e cila u gjet pranë vendit të ngjarjes. Zona u rrethua menjëherë, ndërsa ekspertët e antieksplozivit kryen kontrolle për neutralizimin e municioneve.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri është identifikuar si Alesio Xhelo, 41 vjeç, nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi” dhe më parë si Astrit Hasani. Ai u transportua menjëherë në spitalin “Attikon” në Athinë, por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
I njohur ne Greqi si “Titi”, 41-vjeçari rezulton person me precedentë të rëndë penalë. Nuk dihet se si Xhelo ka përfunduar në Greqi, pasi të paktën deri vitin e kaluar ai ndodhej në “Arrest shtëpie” në Fier me mbikëqyrje 24 orë nga FNSH, nën akuzat “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë.

Madje në 30 mars 2025, ai ishte arrestuar pasi kishte kanosur duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, i cili ishte në shërbim, në mbikëqyrje të këtij shtetasi.
Xhelo ishte izoluar në banesën e tij në Fier pasi ishte person i shpallur në kërkim në Greqi për akuzat e mësipërme. Ai ishte arratisur nga burgu i Petro Ralli në Greqi në qershor 2019 bashke më dy të burgosur të tjerë, duke arritur të marrë peng një gardian.
Ai ndodhej në burg, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një greku dhe i përfshirë në 8 shkëmbime zjarri me policinë në Greqi, si dhe në dhunimin e gruas se një diplomati të huaj gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre dhe në rrëmbimin e një të riu që e liroi pasi mori shumë para nga familja e tij.
Pas arratisjes, ai mbërriti në Shqipëri dhe në tetor 2019 u arrestua në Vlorë me një pistoletë pa leje. Drejtësia greke dërgoi dosjen e tij në Shqipëri, dhe gjykata vendosi ndaj tij masën “Arrest shtëpie” për akuzat që kërkohej në Greqi. Këtë masë ai e kryente në banesën e tij në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH.










Discussion about this post