Edi Rama ka humbur sot një mundësi për të predikuar se edhe kur e shkel ligjin, këtë e bën për qëllime të mira. Ministrja e arsimit dhe më pas ai vetë kanë servirur një sërë alibish, për të justifikuar ligjshmërinë e mbylljes së shkollave të rrjetit Gylen në vend.
Ndonëse pretendimet e tyre për shitje godinash apo zhvendosje të institucioneve arsimore në adresa të tjera janë hedhur të gjitha poshtë nga pala e prekur, ky cic-mici me vogëlsira administrative nuk ka pikë vlere për diskutim. Të gjithë në këtë vend e dinë se qeveria shqiptare po zbaton një urdhër të autokratit turk, “vëllait” Rexhep Taip Erdogan.
Me radhë, njëri pas tjetrit, ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të Ankarasë nuk kanë lënë një vizitë zyrtare në Tiranë pa kërkuar mbylljen e shkollave turke dhe ekstradimin e aktivistëve të lëvizjes gyleniste që ushtrojnë aktivitetin e tyre këtu.
Por, kohët e fundit presioni është shtuar mjaft. Në janar të vitit 2021, kur mediat e regjimit në Tiranë i binin daulleve të pritjes madhështore që presidenti turk po i bënte Ramës, pas kësaj feste në oborrin e pallatit të sulltanit, fshihej shkëputja e Shqipërisë nga linja e qëndrimeve perendimore për gylenistët dhe rolin e tyre në grushtin e shtetit në Turqi. “Ne bashkë me autoritetet shqiptare dakordësohemi që organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet”, tha Erdogan duke folur përkrah Ramës, i cili as nuk pipëtiu për ta kundërshtuar këtë tezë.
Fiks një vit më pas, kur i ktheu vizitën në Tiranë, për të inaguruar xhaminë e Et’hem beut, duke folur përpara parlamentit shqiptar, autokrati turk e rriti dozën e kërcënimeve. Ai e tha hapur se spastrimi i gylenistëve në arsim, shëndetësi dhë në komunitetin musliman është parakusht për vazhdimin e partneritetit strategjik që ata nënshkruan në 2013 (video ketu poshte).Duke folur edhe në emër të Ramës, në krah të tij, Erdogan e ka sanksionuar se dy shtetet kanë qëndrim të njëjtë dhe i etiketojnë si terrorristë ndjekësit e fetullah Gylenit.
Kryeministri ynë nuk e nxori këmbën nga rrethi. Ai e miratoi këtë qëndrim ashtu sikurse kanë bërë të gjithë anëtarët e qeverisë së tij, me përjashtim të Ditmir Bushatit, që në vitin 2018 ia ktheu publikisht kërkesën homologut të vet turk Çavushoglu. Që prej asaj kohe ministrat tanë nuk kanë, as zë, as guxim, që kur gjenden përpara absurditeteve të tilla, të reshtohen përkrah SHBA-ve, BE-së dhe vendeve të tjera të perëndimit, që nuk i besojnë përrallave të regjimit turk për grushtin e shtetit të organizuar nga gylenistët, mandje i japin atyre strehim, kundër një autokrati që i persekuton dhe burgos.
Pra, linja zyrtare e rilindjes në pushtet e konsideron FETO-n një organizatë terroriste dhe është e bindur, njësoj si militantët më trushplarë të Erdoganit, se ata qëndrojnë pas grushtit të shtetit duke e përligjur përndjekjen e tyre.
Vetë Rama gjatë një interviste me Ilva Taren, e ka pranuar këtë version dhe ka pohuar se shteti shqiptar i mban këta elementë të rrezikshëm nën vëzhgim. Po atëherë, kur pranon se gylenistët janë terroristë, kur nuk e kundërshton Erdoganin që i thotë në sy, se të dy vendet i shohin ata si kërcënim, ç’kuptim ka kjo estrada me mbylljen e shkollave për ndryshim adrese? Kush e beson për këtë? Pse duhet që Rama të gënjeje kaq trashë?
Duke e ditur se kjo fabul nuk kapërdihet ai mund të përdorte arsyen shtetërore dhe një interes më të madh, për të përligjur këtë mëkat dhe shkelje ligji. Ai mund të justifikohej duke thënë se ky që çmimi që shqiptarët duhej ti paguanin raisit turk, për rindërtimin e pallateve të shembura nga tërmeti, për vaksinat, apo për dronët. Për aq sa mund të justifikohet krimi i lënies së fëmijëve pa klasa, në mes të shtatorit, ai mund të arsyetohej me ruajtjen e dhimbshme të një partneri strategjik që i është gjendur gjithmonë shqiptarëve.
Por, alibia e tij qe e neveritshme dhe banale, sepse ajo yshtej vetëm nga intersi meskin personal. Kur i duhet për vete, të presë muxhahedinët apo afganët që i’a kërkojnë amerikanët, Edi Rama propogandon se “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e zotit”. Ndërsa kur “vëllau” i impon të ekstradojë ata që kërcënohen nga dënimi me vdekje, apo të përzërë mësuesit që kanë edukuar breza të tërë shqiptarësh, ai e trajton atë si folenë e djallit dhe të Erdoganit. Prandaj, ndryshe nga gjithë vendet e botës së lirë ne jemi shndërruar në tokë persekutimi për ata që i konsiderojmë “terrorristët e FETO-s”./Lapsi/
Discussion about this post