Nga Genc Pollo
Cesare Lombroso është një kriminolog e psikolog italian i shekullit 19 sipas të cilit prirja e natyra kriminale e një personi është e përcaktuar gjenetikisht dhe dallohet edhe nga veçoritë anatomike, sidomos nga forma e kafkës e tiparet e fytyrës. Sipas tij socializimi dhe edukimi i personit ndikojnë vetëm anësisht tek predispozicioni individual për të respektuar apo dhunuar moralin e ligjin. Teoria lombroziane pati ithtarë e kritikë të shumtë; madje ajo u shërbeu si frymëzim e referencë themeluesit të psikanalizës Sigmund Freud.
Duke ndjekur debatin politik të dekadës së fundit shpesh kam menduar se qeveria Rama shpjegon apo justifikon abuzimet e korrupsionin (ky i fundit është një formë e kriminalitetit) që ajo bën në mënyrë disi lombroziane. Për t’u sqaruar më mirë: këto shpjegime dhe justifikime kanë nëntekstin se abuzimi e korrupsioni në qeveri janë natyrorë e të vetëkuptueshëm; dhe se ato mund të verifikohen e të korrigjohen vetëm nga faktorë jashtë ekzekutivit.
Së pari: “Ne bëjmë gabime sepse opozita është e dobët”.
Me këtë tezë Rama doli në vijim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 mbasi kishte marrë njollën e kanabizimit 2016 dhe ishte detyruar të shkarkonte Tahirin. Ai e shprehu njëherë në plenaren e Kuvendit; ministrat e deputetët dolën në media duke zhvilluar variacione të tezës por më shumë e përdorën me ndërkombëtarët.
Po qe se e marrim seriozisht këtë tezë do të diskutonim seriozisht ndarjen e pushteteve që e kufizon dhe sipas rastit korrigjon ekzekutivin, median e shoqërinë civile që vë në pah problemet me ekzekutivin ushtron trysni të butë për vetëkorrigjim.
Diku në mes ndodhet opozita politike e cila ndryshe nga aktorët e tjerë synon të zëvendësojë drejtuesit e ekzekutivit. Por trajtimi seriozisht është edhe kurthi i synuar sepse nuk bëhet fjalë për gabime që teorikishit janë të (vetë) korrigjueshme. Bëhet fjalë për krime (vepra penale në kuptimin e ligjit) me autorë të painteresuar për korrigjim. Në rastin teorik më të mirë ata kanë pezulluar aktivitetin “me gabime” dhe janë të interesuar vetëm për mosndëshkim ligjor. Të tilla janë kritikat e fajësimet dhjetëvjeçare të opozitës në adresë të qeverisë të cilat kanë diapazon nga kanabizimi tek PPP. Këto fajësime janë me natyrë penale dhe për pikërisht për këto çështje një numër në rritje politikanësh rilindistë sot janë nën arrest. Por qeveria nuk i vuri veshin ndonjëherë; siç e dëshmoi së fundmi Edi Rama në fjalimin e fundit të tij për ish Zv.kryeministrin Ahmetaj ku mallkoi opozitën në vend që ta falenderonte për shërbimin me “forcën e largpamësisë”.
Rama dëshmoi kështu sërish hipokrizinë e tezës “Ne bëjmë gabime sepse opozita është e dobët”. Dhe duke të lenë përshtypjen se sipas kësaj mendësie vetëm një opozitë që të ndalon përmes dhunës fizike është mjaftueshëm “e fortë”. Fatkeqsisht është reduktuar shumë debati mbi politika publike të qeverisë ku idetë prevalojnë dhe ku gabimi e korrigjimi i mundshëm nuk ka lidhje me Kodin Penal por me procesin politik. Por që të kthehemi tek argumenti lombrozian teza e qeverisë Rama në v2017 të jep idenë e një qeverieqëshëmbëllen me një organizatë me prirje kriminale të brendëshme. Edhe më fort e shpreh këtë prirje slogani rilindistvijues.
Së dyti: “Çoje në prokurori!”.
Sa herë që përballeshin në Kuvend me kritika konkrete për gabime, abuzime “Çoje në prokurori!” ishte përgjigjja tipike e ministrave rilindistë dhe deputetëve të zellshëm të mazhorancës.
Ironia është se kjo këshillë u ndoq dhe, siç u tha më lart, shumë politikanë e burokratë të pushtetit rilindist për pasojë janë nën hetim e disa syresh nën arrest. Por ky nuk është thelbi i çështjes.
Një problem është përdorimi i artificeve verbalë nga ana e qeverisë për të shmangur një debat substancial mbi problemin e për të evituar shpjegimet e llogaridhënien përkatëse. Por domethënëse është se edhe në ato raste kur mund të mos bëhej fjalë për shkelje ligjore të dënueshme sipas Kodit Penal prapë të tregonin derën e prokurorisë. Duket si një lapsus freudian i shndërruar në ritual, i cili me ndërgjegje apo subkoshiencë dëfton vetëperceptimin e organizatës. Ajo nuk shfaqet si dialoguese apo edhe negociuese siç do të ishte natyrale për një trupë politike. Por sapo has në konfrontim politik organizata e devijon çështjen në shtigje penale duke pretenduar pafajësi por duke nënkuptuar kriminalitet.
I fundit ishte rasti i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zotit AM. Kur Shefi i Opozitës ekspozoi implikimin e AM në skandalin e inceneratorëve reagimi i këtij të fundit ishte ….”çoje në prokurori!”! Ky shembull është domethënës.
AM nuk është se ka namin e zyrtarit grabitqar; ai konsiderohet si jurist i kujdeshëm por partiak. 7 vjet më parë AM, asokohe drejtor ligjor në kryeministrinë Rama, tentoi të bindte një grup zëvendësministrash që të shpallnin emergjencën mjedisore. Kjo shpallje absolutisht e kundraligjshme do të shërbente si pretekst për të famshmet 17 VKM-të e inceneratorëve të miratuara të tëra brenda një dite në dhjetor 2014. Nuk ka të dhëna se AM është ndër ofiqarët e paguar prej gugalleve.
Madje AM arsyeshëm mund të pretendojë se kur u foli zv-ministrave ai nuk kishte dijeni për megaprojektinkorruptiv e nuk mund të hamendësonte pasojat e tmerrshme të aferës së inceneratorëve. Por kjo nuk e çliron nga detyrimi i llogaridhënies dhe i transparencës që do të vlenin moralisht edhe për një ish zyrtar tashmë person privat.
Dhe, vini re: AM nuk është person privat por një titullar i organeve të reja drejtësisë me përgjegjësi të inspektojë shkeljet e dyshuara të prokurorëve e gjykatësve; edhe të atyreve që ndjekin “inceneratorët”.
Dhe meqë AM tha se do të japë sqarime kur t’a shohë të arsyeshme mbase edhe Kuvendi i Republikës që e ka emëruar atë Inspektor të Lartë të Drejtësisë me 3/5 e votave (kujtoni opozitën jeniçere!) mund t’a shohë të arsyeshme ta sjellë AM në dëgjesë/seancë pyetjesh para Komisionit të Ligjeve.
Të paktën opozita e sotme lipset të lëvizë në këtë drejtim. Që të fillojmë të largohemi nga sindroma lombroziane “Çoje në prokurori!”
Discussion about this post