Një dëshmi tronditëse është dhënë para hetuesve nga sekretarja e Gjykatës së Apelit në lidhje me ngjarjen makabre që tronditi sistemin gjyqësor shqiptar, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka ndodhi menjëherë pas shpalljes së vendimit. “Sapo shpalli vendimin, gjyqtari u ngrit për t’u drejtuar drejt dhomës së këshillimit. Në atë moment, Elvis Shkambi u afrua para podiumit dhe e qëlloi me pistoletë. Unë u ngrita dhe vendosa duart në kraharor. Ai u kthye nga unë dhe tha: ‘S’kam gjë me ty!’ dhe më pas gjuajti përsëri ndaj gjyqtarit,” tha ajo para hetuesve.
Sekretarja shtoi se pas të shtënave tentoi të ndihmonte gjyqtarin Kalaja duke i vendosur një peshqir në plagë për të ndalur gjakderdhjen, por ai nuk kishte më reagim. Vrasja ndodhi në një prej sallave të gjykatës së Durrësit, ku Shkambi ndodhej për t’u njohur me vendimin.
Autori i dyshuar, 30-vjeçari Elvis Shkambi, pas kryerjes së krimit, la sallën i qetë dhe sipas hetuesve, dorëzoi vetë armën tek një nëpunës gjyqësor në oborrin e institucionit.
Një tjetër dëshmitar okular, Bledar Panariti, ndodhej në një sallë pranë në momentin kur u dëgjuan të shtënat. Ai përshkroi momentin kur u përball me autorin: “Ndodhesha në sallën nr. 4 në pritje të vendimit kur dëgjova tre të shtëna. Pashë njerëz që dilnin nga salla numër 3 dhe dëgjova të bërtitura femrash. Një person me shtat të shkurtër më afroi një pistoletë dhe u largua.”
Panariti tregoi se, i frikësuar, armën e futi në xhep dhe iu prezantua forcave të sigurisë si punonjës i gjykatës për të shmangur përplasjen me ta, ndërsa sqaroi më pas situatën.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta për sigurinë në ambientet gjyqësore. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.










Discussion about this post