Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është i përfshirë direkt në lejimin e skandalit me ndërtimet e grupit “Kastrati” në sipërfaqen e gjelbër, pas ish-hotel Sheratonit. Leja e ndërtimit për 8 kullat, nëse ka një të tillë, jo vetëm që është e paligjshme, por as nuk është paguar tarifa e lejes së ndërtimit. Kështu, sikur të mos mjaftonte, që kullat nisën tre muaj para miratimit, zbulohet një tjetër gjurmë e aferës korruptive.
“Kastrati” nuk ka paguar tarifën 2 % të lejes
Sipas rregullit, Bashkia e Tiranës lëshon autorizimet e pagesave për lejet e ndërtimit. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për “Kastratin”, i cili sipas burimeve të Gijotina.com, nuk e ka kryer këtë pagesë. Konkretisht, Kastrati do të duhej të paraqiste faturat bankare për “Pagesën për tarifën e shqyrtimit të lejes së ndërtimit”. Pra, rreth 1 milion euro të papaguara shtetit, po të marrim të mirëqenë se aty po investohen afro 50 milionë euro.
Kanë kaluar dy vjet nga nisja e ndërtimit dhe kjo pagesë nuk është bërë. Rrjedhimisht, de jure “Kastrati Group” nuk është i pajisur me leje ndërtimi të vlefshme.
Sipas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës, kompania e ndërtimit duhet të derdhë në llogarinë e bashkisë 2% e vlerës së investimit të ndërtimit. Dhe kjo duhet bërë brenda afatit 15 ditë nga data e miratimi i lejes për punime dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
“Nëse në përfundim të këtij afati kërkuesi ende nuk ka paguar detyrimin, Kryetari i Bashkisë vendos masa të tjera të përshtatshme, deri në revokimin e vetë lejes së miratuar”, nënvizohet në vendimin e Këshillit bashkiak të Tiranës.
Vlera e investimi llogaritet sipas kostos mesatare tё ndёrtimit tё banesave tё miratuar nga Enti Kombёtar i Banesave ose preventivin e investimit të ri tё paraqitur nga subjekti i interesuar dhe pёrzgjidhet vlera mё e lartё midis tё dyjave. Ndërkaq, Erion Veliaj nuk ka vepruar në këtë rast, sepse filozofia e abuzimit po i mbivendoset ligjit.
Sinkron
Erion Veliaj
“Herën e fundit kur ishim në këtë sallë, patëm një konkurs për ndërtimin e një kulle në Tiranë. Filozofia e planit urbanistik në një Tiranë, e cila rritet me 30 mijë banorë çdo vit, ka qenë një filozofi që thotë për sa kohë nuk jemi anëtarë të BE-së dhe nuk e përballojmë dot me buxhetin tonë një metro që kushton 300 milion euro km, për sa kohë e kemi të kufizuar hapësirën bujqësore dhe hapësirën e gjelbër në kurorën e Tiranës, kemi dy mundësi: ose të shkatërrojmë periferitë dhe të shtrihemi si qytet deri në Elbasan apo në Durrës, në Bizë të Martaneshit apo në Ndroq, ose rritemi në volum në lartësi….
Secila prej kompanive që ndërton ka vendosur një tabelë, ku emrat janë publikë, njerëz që njihen.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Por tabela e “Kastratit” ka një faturë që po e mbulon Veliaj.
Kastrati jo vetëm që nuk ka pasur të drejtë të niste punimet pa bërë arkëtimin e detyrimit, por ka vazhduar të mos paguajë as taksat e tjera që paguan bashkë me lejen.
Njëra prej tyre është pagesa e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë. Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet ose vlera në lekë e çmimit të shitjes/m2 të objektit.
Struktura e ngarkuar për përllogaritjen dhe lëshimin e autorizimit për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit te Territorit dhe të ardhurat arkëtohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore të Erion Veliajt
Niveli i taksës është 8% e çmimit për metër katror tё sipërfaqeve tё shfrytëzueshme.
Në vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.59 parashikohet se: “Taksa paguhet brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit për miratimin e lejes për punime. Në rast se kërkuesi nuk kryen pagesën brenda 5 ditëve punë nga njoftimi për detyrimin ndaj shtetit sipas ligjit, atëherë për çdo ditë vonesë i llogaritet kamatë 0.2% në ditë e shumës që duhet të paguajë, deri në 30 ditë pune. Nëse në përfundim të këtij afati, kërkuesi ende nuk ka paguar detyrimin, Kryetari i Bashkisë vendos masa të tjera të përshtatshme, deri në revokimin e vetë lejes së miratuar”
A do t’i dorëzojë “Kastrati” katet pa leje”?
Më herët, Gijotina.com ka denoncuar se Kastrati ka kërkuar leje vetëm për një pjesë të ndërtimeve, pra për pallat jo më shumë 7 kate, ndërsa në të vërtetë 8 kullat janë më shumë se 10 katëshe. Por, duke qenë më të dobët përballë Kastratit, IKMT nuk ka shkuar të prishë ndërtimet jashtë projektit të “Kastrati Group”, që për më tepër janë në një zonë natyrore, ku me ligj ndërtimet nuk duhet të lejohen. Të shohim se si do të veprojë kryeministri Rama ndaj oligarkut, pas vendimit për sekuestrimin e kateve pa leje të kullave.
Sinkron Edi Rama
Do ti bëj thirrje ndërtuesve që mos tentojnë të përdorin blerësit apo klientët si pengje.Flas për milionerët që ndërtojnë pa leje, hapen majtas e djathtas. Shemben ose konfiskohen për interes publik, paguhet gjobë, shkohet edhe për ndjekje penale. E kemi miratuar pak kohë më parë, por jo aq pak sa të mos kishte zbatimin.
Ju kemi dhënë edhe të drejtën e parablerjes me çmimin real të tregut, apo mundësinë ta dhurojnë si një mënyrë për të larë mëkatin, ta dhurojnë për shtetin, për ti krijuar mundësinë ligjërimit të objektit që do të përdoret për të pastrehët.
Resorti “Sheraton” që u kthye në kompleks kullash
Në vitin 2018 u krye u bë blerja e bujshme e “Mak Albania”, kompanisë pronare të ish-“Sheratonit” për rreth 30 milionë euro nga “Kastrati”. Pse e bleu Çet Kastrati këtë biznes që nga viti në vit kishte dalë me humbje dhe kishte grumbulluar borxhe?
Sipas bilanceve në 2010-ën, “Mak Albania” kishte një kapital themeltar prej rreth 87 milionë euro, ndërkohë aktiviteti i përkeqësuar financiar i viteve të fundit e zhvlerësoi kompaninë në 22 milionë euro. Për vitin 2016, humbjet arritën në gati 8 milionë euro, ndërsa heqja e emrit “Sheraton” pak muaj para se ta blinte “Kastrati” ia uli edhe më shumë imazhin.
Më 5 shkurt 2018, “Kastrati SHA” arriti të marrë pronësinë e hotelit që deri në fund të 2017 ishte pjesë e rrjetit “Sheraton”.
Sipas kontratës së shitjes, pagesa e kryer ndaj ortakëve arabë të “Mak Albania”, ishte 30 milionë euro. 18 milionë si vlerë kapitali dhe 12 milionë euro si shlyerje borxhesh bankare të akumuluara.
Përgjigja, pse u bë kjo blerje, është: Ngritja e kullave në vendin më të gjelbëruar të Tiranës dhe vetëm pak metra larg godinës së universitetit dhe Sheshit “Italia”.
Rruga pa leje për betonieret
Zona e lakmuar për ndërtim ndodhet pas hotelit, ngjitur me parkun e liqenit, ku gjendeshin dhe disa ndërtime njëkatëshe pjesë e “Sheratonit” që shërbenin për qëndrimin e administratës dhe familjarëve të punëtorëve të huaj të “Mak Albania”. Planet do të përfshinin edhe parkingun e hotelit.
Kryebashkiaku Veliaj i ka mbuluar akrobacitë e “Kastratit”, sepse ashtu si për kullat e tjera në qendër të Tiranës, leja ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit, ku vendos kryeministri Rama.
Pa u marrë asnjë vendim nga qeveria për statusin e këtyre kullave, “Kastrati” nuk do të guxonte ta vononte taksën e infrastrukturës që kap shifra që llogariten në miliona euro.
Gjithsesi rruga ku kalojnë betonierët e “Kastratit” midis Universitetit dhe ish-“Sheratonit” nuk asnjë leje. Kastrati ka vepruar si të ishte në tokën e babait duke treguar pangopësinë për fitime dhe arrogancën ndaj natyrës. Për këtë shëmti mund të japë llogari në SPAK kryebashkiaku Erion Veliaj. Kjo nuk është si çështja e banjove të shkollës “Sami Frashëri”, kallëzim për të cilin, Rama dhe Veliaj ua mbyllën gojën prokurorëve.
Sinkron Erion Veliaj
“Unë nuk kam problem përshembull që SPAK është duke hetuar murin ndarës midis shkollës ‘Sami Frashëri’ dhe teqes[…], fare. Dhe një ëc-je të bërë aty provizorisht vetëm për të ngulur një gozhdë, për këto truket që bëhen për të ruajtur distancën. Unë s’kam përfitim personal nga ‘Sami Frashëri’ se un nuk jetoj tek ‘Sami Frashëri’, nuk kam shtuar kat që të marr vet apartament të Sami Frashëri dhe nuk jam më sot student tek ‘Sami Frashëri’. […]Nuk kam asnjë problem me prokurorin. Gjasat janë që do mbyllet sepse s’ka abuzim me detyrën” Koha ka treguar se drejtësia vonon, por nuk mungon. Të shohim se si do t’a mbyllë këtë aferë kryebashkiaku i Tiranës.
Pemët e Erion Veliajt: 1 rrenë, 10 m2 betonim dhe 1.2 miliardë euro në xhep
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post