Deputeti socialist Plarent Ndreca është rikthyer këtë të enjte në SPAK për dosjen e korrupsionit me tenderat në Polici.
Ndreca është i pandehur i SPAK-ut që nga data 25 tetor 2024, ndërkohë që mbi të rëndon akuza e “shkeljes së barazisë në tenderë” për devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Hetimi ndaj Ndrecës nisi pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
Discussion about this post