Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) deklaroi se do të ankimonte vendimin për lirimin nga qelia të Alqi Bllakos, vetëm pak momente pasi gjyqtarja Irena Gjoka shpalli se ish-deputeti socialist do të hetohet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, mesditën e së Enjtes (6 Tetor 2022). Bllako u arrestua në 31 Mars të këtij viti, si i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë”, për veprimtarinë e tij si ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në kohën e zhvillimit të procedurave për koncesionin e inceneratorit të Fierit.
Megjithëse arrestimi i tij ishte i bujshëm, provat dhe argumentat e SPAK-ut ishin shumë të dobëta, krahasuar me shumë të dhëna publike mbi rolin e tij në atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve”, sidomos në atë të Tiranës.
Ndaj, lirimi i tij nga qelia nuk duhet të ishte surprizë, të paktën për prokurorët e posaçëm, të cilët nuk kanë arritur të formulojnë një akuzë të qenësishme për Bllakon dhe shumë zyrtarë të tjerë, ndërkohë që po hetojnë dosjet për më shumë se dy vjet.
Zyrtarisht mësohet se Alqi Bllako doli nga errësira e qelisë për faktin se nuk mund të cënojë provat e mbledhura nga prokuroria dhe se ka fëmijë të vegjël që kanë nevojë për përkujdesjen e tij.
Akuza “pambuk” për Bllakon
Ministria e Mjedisit dhe “Integrated Technology Waste Treatment”, në pronësi 70 përqind të biznesmenit Klodian Zoto, lidhën kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit në Tetor 2016, me vlerë rreth 22 milionë euro. Në atë kontratë palët kishin rënë dakord edhe për vendin ku do të ngrihej impianti.
Por, pak javë pas, kompania e Zotos kërkon nga Bashkia e Fierit ndryshimin e vendndodhjes, për shkak të problematikave të terrenit.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Subashi merr menjëherë masat, duke i propozuar Këshillit Bashkiak caktimin e një zone të re. Grupi i punës propozon 10 variante të reja, nga të cilat 7 ishin pronë shtet, pa kosto shpronësimi.
Kompania e Zotos, në dijeni të propozimeve, i sugjeron Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Fierit ndërtimin e inceneratorit në një sipërfaqe tokë arë në pronësi private.
Procedura e shpronësimit duhej miratuar nga zyrtari në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi, i cili zhvillon komunikimin me Bashkinë e Fierit.
Pas këtij komunikimi, Lefter Koka, sekretari i tij i përgjithshëm, Alqi Bllako dhe Pëllumb Abeshi, përgatisin relacionin drejtuar Këshillit të Ministrave për shpronësimin e tokës.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave, nënshkruar nga Edi Rama, toka e shpronësuar është “truall”, e cila ka një vlerë më të lartë se sa ajo që ishte në realitet, tokë arë.
Dëmi ekonomik nga ndryshimi i llojit të tokës përllogaritet në rreth 150 milionë lekë të vjetra. Pikërisht, për këtë ndryshim të llojit të tokës, SPAK urdhëroi arrestimin e Alqi Bllakos, duke dyshuar se ai ka shpërdoruar detyrën.
Gjithashtu, SPAK konstatoi se babai i Bllakos u punësua në inceneratorin e Tiranës, pjesë e grupit financiar të drejtuar nga Zoto, me një pagë të konsiderueshme.
Për këtë detaj, SPAK e ka marrë nën hetim Alqi Bllakon edhe për “korrupsion”, duke dyshuar se punësimi i babait të tij është rrjedhojë e favoreve që ai ka kryer për kompanitë e inceneratorëve.
Hetimet e SPAK-ut dëshmojnë se prokurorët e kanë trajtuar çështjen e inceneratorëve shumë përciptas.
Roli i Alqi Bllakos, referuar dokumentave zyrtarë të publikuar sidomos gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët, është shumë herë më i madh se sa ajo që ka ngritur deri më tani Prokuroria Speciale.
Roli real i Alqi Bllakos
Bllako ka pasur një rol të dorës së parë në zbatimin e sistemit koncesionar të inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, të ideuar nga të tjerë zyrtarë mbi të, të cilët arrijnë deri në kupolën qeveritare.
Roli i Bllakos kuptohet qartësisht vetëm pasi më parë të prezantohet e gjithë skema e inceneratorëve, për të cilën ka dyshime publike se është një skemë gjigande manipulimi financiar në vlerën e qindra milionë eurove.
Në Dhjetor të vitit 2014, Këshilli i Ministrave i jep dritën jeshile nënshkrimin të kontratës koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit, ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, të drejtuar nga Lefter Koka dhe kompanisë “Albtek Energy”.
Vlera e kontratës koncesionare ishte rreth 30 milionë euro.
Dokumentat e publikuar vite pas miratimit të kësaj kontrate zbuluan se përfituesi më i madh i saj ishte Klodian Zoto me kompaninë e tij të konsulencës “Integrated Technology Service”.
I njëjti biznesmen, pra Zoto, shfaqet sërish në vitin 2016, kur u hodhën hapat e parë për kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit.
Procedurat për këtë rast janë ndjekur në vijimësi nga Alqi Bllako, i cili mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.
Inceneratori i Fierit
Shoqëria “Buidling Construction & Green Energy” aplikoi, nëpërmjet procedurës së “propozimit të pakërkuar” për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhimin e energjisë duke depozituar një projekt teknik, financiar dhe mjedisor pranë Ministrisë së Mjedisit.
Kompania, në momentin e aplikimit, ka pasur aksionere (fiktive), shtetasen Sevi Zani, një juriste në kompaninë “Integrated Technology Service”, në pronësi të Klodian Zotos.
Po ashtu, projekti Teknik i “propozimit të pakërkuar” ishte realizuar nga “Integrated Technology Service” dhe “Energy 2” srl.
Ministria e Mjedisit, nën drejtimin e Lefter Kokës dhe me angazhimin e Bllakos si Sekretar i Përgjithshëm, nis procedurat për dhënien me koncension të impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier.
Ministri i Financave i kohës, Shkëlqim Cani, në Janar 2016, shprehet parimisht dakord për procedurën e propozuar nga Lefter Koka. Megjithatë, ministri Cani ka shprehur rezervat e tij lidhur me subjektin dhe seriozitetin e investimit të tij, pasi ky projekt-propozim duhet të shoqërohet edhe me një relacion shpjegues për statusin juridik të shoqërisë dhe kapacitetin e saj për ta realizuar projektin.
Ministri i Financave pasardhës, Arben Ahmetaj, në Qershor 2016, ka konstatuar se projekti koncesionar është i përballueshëm ekonomikisht nga Autoriteti Kontraktor, duke u shprehur kështu për rrjedhojë në parim dakort me vijimin e procedurave të mëtejshme koncesionare.
Në shtator 2016, Ministria e Mjedisit, nëpërmjet sistemit të Agjencisë së Prokurimit Publik, ka bërë thirrjen për kontratë të punëve publike me objekt “Dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të impjantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhimin e energjisë (kontratë e formës Build Operate and Transfer)”.
Kompania që paraqiti “propozimin e pakërkuar” përfiton një bonus prej 8 përqind të pikëve, duke qenë më e favorizuar në procedurën për dhënien me koncension.
Në përfundim të procedurave, fituese shpallet bashkimi i operatorëve “Integrated Technology Service” & “Energy 2” srl, të njëjtat që kishin hartuar projektin Teknik të “propozimit të pakërkuar”.
Në mënyrë të çuditshme, kompania që kishte paraqitur propozimin e pakërkuar për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier, “Buidling Construction & Green Energy”, nuk merr pjesë në tender, megjithëse kishte përfituar paraprakisht edhe bonusin qeveritar.
E vetmja kompani që paraqitet në garë dhe që është fituesja e koncensionit me kosto 28 milionë euro është bashkimi operatorëve: “Integrated Technology Services & Energy 2”, të cilat krijuan kompaninë koncensionare “Integrated Technology Waste Treatment”, Fier.
Pas krijimit të kompanisë koncensionare, ortaku “Energy 2” srl i shet aksionet shoqërisë “Ndërtim Montim Patos”, e cila kishte fitim rreth 45 milionë lekë të reja. Ndërkohë, ortaku tjetër, “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos kishte fitim minimal, të pallogaritshëm.
Pra, koncensionari, me mundësi financiare 45 milionë lekë dhe tërësisht pa përvojë në fushën e përpunimit të mbetjeve, fitoi kontratën koncensionare me vlerë rreth 28 milionë euro.
Pamundësia financiare e kompanisë koncensionare zbulohet qartësisht nga një detaj financiar. Pasi fitoi kontratën me vlerë 28 milionë euro, koncensionari “Integrated Technology Waste Treatmen Fier” merr një kredi të madhe bankare, duke vendosur si kolateral pikërisht kontratën koncensionare.
Pra, kompania koncensionare, e cila merrte përsipër të realizonte ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier me fondet e saj, nuk kishte asnjë mundësi reale financiare.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim me objekt “Performancën e impiantit të përpunimit të mbetjeve, Qarku Fier”, botuar në vitin 2018, ka konstatuar një seri parregullsish proceduriale.
Sipas KLSH-së, operatori ekonomik fitues nuk plotëson kushtet teknike dhe kapacitetet e nevojshme për të kryer investimin.
Inceneratori i Tiranës
Në Qershor të vitit 2016, tre kompani, përkatësisht “Energy Recuperator S.P.A.”, “Paul Ëurth Italia S.P.A.” dhe “Integrated Technology Services”, i drejtuan Ministrisë së Mjedisit, një shkresë me lëndë “Letër interesi për projektpropozimin”, ku ato shpreheshin të interesuara për rehabilitimin e landfillit ekzistues të Sharrës, ndërtimin e landfilleve të reja dhe inceneratorit për prodhimin e energjisë elektrike.
Pas 5 ditësh, ministri i Mjedisit, Lefter Koka e konsideron të pranueshme kërkesën dhe fton kompaninë që të paraqes projektin e detajuar. Në shtator 2016, shoqëritë transferohen në Hollandë, duke u regjistruar si “Integrated Energy BV” dhe nga aty sjellin propozimin e tyre bashkë me një studim.
Ministri Lefter Koka nis komunikimin me institucionet e tjera, lidhur me procedurën dhe financimin e projektit koncensionar për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Tiranë.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i sugjeron ministrit Lefter Koka që të ndjekë një procedurë jo-tradicionale, atë të financimit nga Buxheti i Shtetit, për shkak të tejkalimit të limiteve buxhetore dhe duke e orientuar që të organizojë procedurën duke përdorur fondet e alokuara për Bashkinë e Tiranës.
Megjithë pikëpyetjet e shumta kompania fiton bonusin prej 8 pikësh nga 10 përmes një Vendimi të Këshillit t Ministrave.
Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një shkrese të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe, Alqi Bllako, i drejtohet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i kërkuar dakordësinë për projektin, për të cilin ky i fundit ishte informuar që në Qershor 2016 Të mos harrojmë që Veliaj ishte në dijeni të projektit që në qershorin 2016.
Kryebashkiaku Veliaj, pa thërritur Këshillin Bashkiak (sikundër ia kërkon Ligji për Pushtetin Vendor) dhe pa e miratuar këtë projekt në të, jep dakordësinë e tij shoqëruar me një tabelë ku paraqiteshin detyrimet e bashkisë Tiranë për këtë projekt.
Kjo firmë e Veliaj, në kundërshtim me ligjin, i dha mundësi projektit të impiantit të mbetjeve në Tiranë që të financohej jo nga Buxheti i Shtetit në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por në mënyrë indirekte, nga Buxheti i Shtetit përmes Trasnfertave të Pakushtëzuara drejtuara Bashkisë Tiranë.
Vlera e këtij impianti është 128 milionë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të publikuar së fundmi, ka renditur një seri të gjatë shkeljesh në procedurën e ndjekur për dhënien me koncesion të landfillit dhe inceneratorit të Sharrës.
Deri më tani, inceneratori i Fierit dhe Tiranës nuk janë vënë në funksion, në tejkalim të afateve kontraktuale.
Kush “shpëton” pas Bllakos
Lirimi nga qelia i Alqi Bllakos i jep frymëmarrje edhe disa personazheve të tjerë të politikës së lartë shqiptare.
Për inceneratorin e Fierit, të dyshuar si të përfshirë krahas kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, janë edhe ministrat e ish-ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e Belinda Balluku.
Ndërsa për inceneratorin e Sharrës, krahas zyrtarëve të cituar më lart, është i dyshuar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Të gjithë këta emra mund të marrin frymë lirisht me daljen e Alqi Bllakos. Edhe nëse mund t’u kishte kaluar në mendje që ndonjë prokuror mund të merrej me ta, tashmë ata mund të rrinë të qetë.
Nëse SPAK-u nuk arriti të forcojë akuzat për Alqi Bllakon, duket qartësisht se vullneti i Prokurorisë së Posaçme është afër minimales për të trajtuar me seriozitet “aferën e inceneratorëve”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post