Hetimet e zhvilluara nga SPAK në kuadër të dosjes AKSHI, kanë nxjerrë në pah edhe dyshime për një skemë transferimi dhe pastrimi parash.
Konkretisht, gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, një shumë totale prej rreth 10 milionë eurosh është transferuar përmes faturimeve drejt një subjekti që ushtron aktivitet në fushën e shpërndarjes së çokollatave dhe biskotave.
Nga të dhënat e dosjes rezulton se ndër personat e proceduar ndodhet edhe biznesmeni Rogers Rryta. Sipas hetimeve, ai dhe babai i tij zotërojnë shoqërinë “Mega Distribution”, e cila ushtron aktivitet në fushën e import-eksportit të produkteve ushqimore dhe veshjeve.
Në deklarimet e dhëna përpara Byrosë Kombëtare të Hetimit, Rogers Rryta ka pohuar se, në sektorin e produkteve ushqimore, subjekti që ai përfaqëson ka përfaqësinë e kompanisë “Ülker” dhe se tregtimi përqendrohet kryesisht në këto produkte.
Ai ka deklaruar gjithashtu, me përgjegjësi të plotë, se aktiviteti i shoqërisë kufizohet vetëm në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veshjeve, duke theksuar se nuk kanë asnjë lidhje apo aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit apo produkteve IT.
Ndër të tjera, Rryta ka sqaruar se ka pasur marrëdhënie tregtare me shoqëritë “Fastech” dhe “Soft & Solution”, por ka deklaruar se nuk i kujtohet mënyra se si ka nisur kjo marrëdhënie tregtare gjatë periudhës kur ai ushtronte detyrën e administratorit të “Mega Distribution”.
Pjesë nga dosja:
Nga hetimet rezulton gjithashtu se, subjekti “Soft & Solution” sh.p.k. dhe “Fastech” sh.p.k., per periudhen 2018 – 2021 kane blere produkte nga subjekti “Mega Distribution”. Ky subjekt aktualisht rezulton ne pronësi dhe administrim te shtetasit Bedri Rryta….
Gjatë kohës që ka qenë administrator i kompanisë ka patur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. për tregtimin e çokollatave dhe biskotave. Nuk e mban mend si ka filluar konkretisht kjo marrëdhënie tregtare. Nuk ka patur kontrata me këto kompani dhe nuk i kujtohet se çfarë produkti kanë blerë ato, si janë transportuar, ku kanë qenë të magazinuara etj.
Lidhur me kreditimet me fonde të vazhdueshme gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, në shumë totale mbi 10 milion euro në llogaritë bankare të subjektit të tij, në monedhat Euro, USD dhe ALL, deklaron se janë pagesa ndaj faturave që bëhen për shitje. Këto fatura lidhen me shitjen e çokollatave dhe biskotave. Këto fonde janë përdorur për të vazhduar aktivitetin tregtar që ai ka. Nuk ka dijeni për aktivitetin tregtar që kryejnë subjektet “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. Nuk njeh shtetasin Ermal Beqiri, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Nuk njeh shtetasin Andis Papa, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Të njëjtin qëndrim deklaron edhe lidhur me shtetasit Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj.
Nga pyetja e administratorëve të shoqërive “First” dhe “Fastech” sh.p.k., rezultuan me interes të dhënat si më poshtë:
Konkretisht, më datë 18.11.2025, u bë marrja në pyetje e shtetasit Gëzim Hoxha, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë “First” sh.p.k., i cili shpjegoi se:
Aktualisht jam administrator i shoqërisë “First” sh.p.k. dhe gjithashtu ortak i vetëm i kësaj shoqërie qysh prej vitit 2008. Shoqëria ka si aktivitet ofrimin e shërbimeve të integrimit të sistemeve të nivelit të lartë, ose ‘shërbim me çelësa në dorë’, në fushën e teknologjisë dhe informacionit, specifikisht në fushën e sigurisë kibernetike, por kemi dhe objekt konsulence dhe shërbime të tjera.
Më tej, lidhur me shërbimet dhe bashkëpunimet e shoqërisë me operatorë të tjerë ekonomikë, shtetasi Gëzim Hoxha deklaroi se:
Më pas AKSHI ka prokuruar një procedurë tjetër, që kishte të bënte me fushën e sigurisë kibernetike me AKSIK, pra menaxhimin e rrezikut të institucioneve shtetërore, procedurë në të cilën ne kemi marrë pjesë dhe jemi shpallur fitues si operator ekonomik i vetëm. Ajo që kompania ime ofronte në kontratë ishte pjesa e integrimit dhe arkitekturës së sistemit, që e bënim me punonjësit tanë, ndërsa lidhur me pjesën e ‘software-it’, pjesa e moduleve do të nënkontraktohej nga shoqëria ‘Soft & Solution’ sh.p.k., pasi ne përzgjodhëm të bashkëpunonim me këtë shoqëri. Ajo kishte tashmë eksperiencë në kontratat me nënshkrim elektronik, e cila ishte një kërkesë specifike për zgjidhjen që do t’i jepet Autoriteti Kontraktor.
Pasi përfundoi procedura dhe ne u shpallëm fitues, u takuam me shtetasin Ermal Beqiri dhe Arjola Koromanis, si përfaqësuese të shoqërisë ‘Soft & Solution’ sh.p.k., për të bërë ndarjen e moduleve që ata do të bënin. Duke qenë se deklaruan se ishin të zënë dhe nuk kishin mundësi, më thanë që këto module do t’i bënte një kompani tjetër, me reputacion dhe staf të kualifikuar që mund ta bënte këtë punë, konkretisht shoqëria ‘EA Solution’.
E pyeta Ermalin nëse kjo shoqëri ishte në rregull me punët, fiskal dhe ligjërisht, dhe më tha se ishte në rregull dhe kishte staf shumë të kualifikuar. Nga stafi i kësaj shoqërie më pas, kam kontaktuar shtetasen Ina, mbiemrin nuk ia mbaj mend. Paga më duket, e cila ishte edhe administratorja e shoqërisë. Me të jam takuar në ambientet e shoqërisë ‘Soft & Solution’.
Nuk kam pyetur dhe nuk kam kërkuar informacion shtesë mbi stafin apo selinë e shoqërisë, pasi edhe në kontratë ishte e parashikuar që unë nuk do të bëja asnjë pagesë nëse nuk do të kryhej shërbimi sipas parashikimeve kontraktore. Nuk kam patur ndonjë arsye për t’i pyetur rreth zyrave apo punonjësve, pasi interes ishte që produkti të dorëzohej sipas parashikimeve kontraktore dhe sipas fjalës që kjo shoqëri më prezantoi nga ‘Soft & Solution’, e cila, më duhet ta them, kishte një reputacion të mirë dhe kishte përvojë në punët që kishte bërë. Ata më dhanë edhe sigurinë që kompania ‘EA Solution’ mund ta dorëzonte produktin dhe se mund ta bënte punën.”
gijotina.com/










Discussion about this post