Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj shifrave të sektorit bujqësor, duke denoncuar hendekun e thellë ndërmjet potencialit prodhues të Shqipërisë dhe varësisë së saj nga importet.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku vuri përballë dy tregues: rreth 591 mijë hektarë tokë të punueshme dhe 606 mijë tonë produkte ushqimore të importuara gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
“Dy shifra që dëshmojnë paradoksin dhe dështimin politik”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes demokrate, Shqipëria zotëron tokën, fuqinë punëtore dhe një treg konsumi që po zgjerohet falë turizmit, por vazhdon të importojë produkte që mund të prodhoheshin në vend. Pasojat, sipas saj, i paguajnë njëkohësisht konsumatorët, përmes çmimeve më të larta, dhe fermerët, përmes të ardhurave të pamjaftueshme.
Tabaku solli si shembull importin e 45,5 mijë tonëve perime gjatë shtatë muajve. Me rendimentin mesatar aktual, kjo sasi mund të prodhohej në rreth 1.100 hektarë, ose në më pak se 0,2% të tokës së punueshme të vendit.
Për Tabakun, pengesa kryesore nuk është mungesa e tokës, por mungesa e serrave moderne, magazinimit, pikave të grumbullimit, standardizimit dhe marrëveshjeve që do të garantonin furnizimin e hoteleve dhe restoranteve me prodhime shqiptare.
Edhe më shqetësuese, sipas saj, është situata me drithërat. Shqipëria importoi rreth 239 mijë tonë drithëra në shtatë muaj, një sasi e barabartë me afërsisht 38% të prodhimit të përgjithshëm vendas gjatë vitit 2025.
Tabaku argumentoi se, nëse vetëm 25% e diferencës ndërmjet tokës së punueshme dhe sipërfaqes së mbjellë me bimë arash do të vihej në prodhim me rendimentin aktual, vendi mund të siguronte rreth 227 mijë tonë drithëra shtesë. Kjo do të ishte e barabartë me rreth 95% të sasisë së importuar në shtatë muajt e parë të vitit.
Deputetja sqaroi se jo çdo produkt i importuar mund ose duhet të prodhohet në Shqipëri, për shkak të kushteve klimatike dhe nevojave të industrisë ushqimore e të blegtorisë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon përfundimin e saj se potenciali ekziston, por mungojnë politikat që e kthejnë atë në prodhim dhe të ardhura për fermerët.
“Për vite me radhë, fermerët kanë kërkuar një skemë funksionale të TVSH-së, por në këmbim kanë marrë vetëm alibi, justifikime dhe politika klienteliste nga qeveria”, u shpreh Tabaku.
Ajo kundërshtoi gjithashtu pretendimin se rritja e turizmit po ndihmon automatikisht të gjithë ekonominë. Nëse strukturat turistike furnizohen kryesisht me mallra të importuara, sipas saj, kërkesa e krijuar nga turizmi nuk shkon te fermeri shqiptar, por te prodhuesit e huaj dhe importuesit.
Tabaku tërhoqi vëmendjen edhe te deficiti tregtar. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, eksportet e mallrave arritën rreth 228 miliardë lekë, kundrejt 535 miliardë lekëve importe. Deficiti ishte afërsisht 307 miliardë lekë, ndërsa eksportet mbuluan vetëm rreth 43% të importeve.
Sipas saj, rritja mujore e eksporteve nuk mund të paraqitet si dëshmi e një ekonomie të konsoliduar prodhuese, ndërkohë që sektorë me potencial të madh, si bujqësia, vazhdojnë të humbasin terren.
“Shqipëria ka tokën. Ka fermerët. Ka edhe tregun që po krijon turizmi. Ajo që i mungon është një qeveri që t’i lidhë këto mundësi me njëra-tjetrën dhe t’i kthejë në prodhim, punësim dhe mirëqenie”, përfundoi Tabaku.










Discussion about this post