Ndërsa qeveria shqiptare vazhdon të mbajë gjallë retorikën e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian, realiteti i shifrave dhe analizave ndërkombëtare tregon një panoramë krejtësisht tjetër, shumë më të zymtë. Deputetja Jorida Tabaku ka hedhur poshtë propagandën 13-vjeçare të qeverisë, duke e cilësuar situatën si një anije në mes të dallgëve që nuk po gjen breg.
Pavarësisht festimeve me shampanjë dhe ndarjes së medaljeve për sukseset imagjinare, të dhënat tregojnë se Shqipëria është ende shumë larg standardeve europiane. Tabaku solli në vëmendje një raport tronditës të Institutit të Vjenës, sipas të cilit, me ritmet aktuale, Shqipërisë do t’i duhen plot 100 vite për të arritur standardet e mjedisit të kërkuara nga BE.
Kjo shifër vjen në kontrast të thellë me pretendimet e qeverisë, e cila premton mbylljen e këtyre kapitujve brenda 15 viteve.
“Qeveria e Ramës është si ajo anija në mes të dallgëve që duket se nuk po del akoma, pavarësisht se kanë 12 vite që luftojnë. Shiko, kjo është një çështje që ndoshta për njerëzit, për qytetarët është pak e prekshme. Sepse u bë 13 vite me të njëjtat retorika, me të njëjtën propagandë, të njëjtat premtime… U dhanë pashaportat, u dhanë vulat…
Fatkeqësia më e madhe që po ndodh në këtë moment është që qeveria shqiptare po e kupton që nuk ka kohë. Që shumë gjëra duheshin bërë në këto 12 vite. Dhe unë nuk po merrem fare me kriteret politike, sepse ne e dimë si janë kriteret politike. Grup-kapitulli i parë: zgjedhjet, si është balanca e pushteteve, si është roli i parlamentit, gjykata kushtetuese, çështja e pronave. Janë të gjitha çështje politike këto që po flas unë. Ndërkohë që po merrem edhe me çështje teknike që ndoshta mund të prekin qytetarët. Dhe këtu përmend për shembull siguria ushqimore. Një çështje tjetër është infrastruktura, është ujësjellës-kanalizimet, është mjedisi…
Janë 15 fusha që qeveria shqiptare ka kërkuar një periudhë të ndërmjetme quajnë ato. Që do të thotë që edhe në momentin që t’i bëhesh vend anëtar, nuk i ke plotësuar kriteret. Sepse kërkon, jo vetëm investime financiare. Investime financiare janë sigurisht minimumi. Për shembull për infrastrukturën duhet buxheti i një viti, duhen mbi 8 deri në 10 miliardë euro, për të kryer të gjithë detyrimin minimal për infrastrukturën, për të lidhur rrjetin. E njëjta gjë është për ujësjellës-kanalizimet.
Për mjedisin, Instituti i Vjenës thotë që duhen 100 vite. Duhen 100 vite thotë Instituti i Vjenës. Qeveria shqiptare thotë që unë do ta plotësoj për 15 vjet. Për kriteret ekonomike qeveria shqiptare thotë që duhet një dekadë. Që do të thotë që një pension i një shqiptari këtu të barazohet me pensionin e një europiani, që ndihma sociale këtu të barazohet me atë të një europiani, qeveria shqiptare mendon që i duhen 10 vite. Po tani këto 12 vite çfarë bënë? Ne duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria është e fundit në rajon për këto tregues. Është e fundit pavarësisht se ne themi që është në grupin e parë Shqipëria dhe Mali i Zi, është sepse së pari procesi i integrimit një mbështetje të të gjitha forcave politike dhe ky është një aset për Shqipërinë. Edhe opozita e mbështet. Se ti ke parasysh që në vendet e tjera këtë proces nuk e mbështesin të gjitha partitë politike.
Në rastin e Shqipërisë, qytetarët e mbështesin mbi 90%. Ndërkohë që në Serbi ti e ke 28%. Pra ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë. Dhe në qoftë se qeveria shqiptare do ta kishte marrë seriozisht këtë proces, do kishte punuar çdo ditë që këto tregues ekonomikë që ne po bisedojmë sot dhe që flasim, që i kemi thënë sepse këto janë çështje të përditshmërisë së shqiptarëve, nuk po flasim për gjëra të cilat janë një luks, si mjedisi për shembull, se mjedisin unë e konsideroj luks. Po flasim për çështje kritere bazë, të cilat duhet të ishte punuar çdo ditë. Tani këto kujtohen dhe thonë për dy vite ne do t’i plotësojmë të gjitha. Për dy vite, në letër ligjet edhe mund t’i miratojnë. Por puna është që të zbatohen”, u shpreh Tabaku.










Discussion about this post