Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka komentuar situatën brenda opozitës dhe takimet e ish-deputetit Ervin Salianji me demokratët, duke u shprehur se nuk ishte lëvizje e duhur për situatën që ndodhet PD sot.
“Po flas në përgjithësi, mendoj se nga koha dhe momenti, lëvizja nuk është e duhura”, tha ai, ndërsa shtoi se “kur te duartroket armiku, shih rrotull se nuk është mirë”.
Më tej deputeti demokrat theksoi se ka parë në takim shumë të rinj të angazhuar dhe njerëz të pakënaqur, por shtoi se ambiciet personale nuk duhet të dëmtojnë grupin e PD-së.
“Ndoqa takimin e Durrësit, isha kurioz të dija çfarë do ofrohen në atë takim. Pash disa nga bashkëpunëtorët të mi aty, që i vlerësoj shumë, pjesën më të madhe nuk e njihja, disa nga drejtuesit e partisë, ish-kryetarin e forumit Artoni, që foli aty. Pjesa tjetër, nuk e di çfarë ka ndodhur. Salianjin si koleg e vlerësoj, si të gjithë kolegët e tjerë.
Prita të dëgjoja nëse do kishte propozime. Jam me këtë idenë që nuk duhet të kemi përçarje. Të presim edhe një javë, se kam përshtypje se mund të ketë ndryshime, qoftë në intensitetin e kësaj. Pash që ka djem të rinj, njerëz që duan të ndryshojnë diçka që PD të vijë në pushtet, kishte edhe njerëz që janë të pakënaqur, kanë pretendimet e tyre, nuk ka asgjë të keqe të kesh ambicie në politikë, përkundrazi, po të mos kesh ambicie nuk ke vlerë, por deri sa ambiciet e tua nuk i prishin punë grupit ku ti militon, s’ka asgjë të keqe.
Nëse vë para interesin tënd, ambicien tende në një situatë që nuk është ajo e mira edhe në PD, për të përfituar personalisht nuk ka asnjë vlerë. Po flas në përgjithësi, mendoj se nga koha dhe momenti, lëvizja nuk është e duhura. Mjafton një kriter, kur te duartroket armiku, shih rrotull se nuk është mirë. Me sa di unë, Salianji nuk ka shprehur ndonjë dëshirë publikisht”, tha ai.










Discussion about this post