Taulant Balla u betua sot si ministër i Brendshëm.
Ceremonia u zhvillua paraditen e kësaj të shtune në Presidencë, ku Balla tashmë merr zyrtarisht detyrën në një prej ministrive më të rëndësishme dhe njëherësh më problematike, në mandatin e tretë të socialistëve.
Në ceremoninë që u mbajt përpara presidentit Bajram Begaj, Balla u betua me dorën mbi Kushtetutë, ndërkohë që të pranishëm ishin disa prej eksponentëve të lartë socialist, si kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, dhe deputetë të tjerë si Ermonela Felaj apo Nasip Naço.
Kuvendi miratoi më 13 korrik, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim emërimin e Ballës, i cili do të zëvendësojë Bledi Çuçin pas shkarkimit të tij.
Ky i fundit u shkarkua nga kryeministri Edi Rama pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Thumanë, ku të afërmit e ish-deputetit Rrahman Rraja dhunuan brutalisht dy persona të cilët denoncuan dëmtimet në banesat e tyre nga një gurore në Borizanë.
Discussion about this post