Në kushtet e një pandemie që po vijon, shqiptarët e gjejnë veten para dy zgjedhjeve për të festuar: shtyrja ose përshtatja me normalitetin e ri. Në fillim të vitit të tretë me pandeminë të pranishme, eventet familjare ose korporatave po zhvillohen, ndërsa kompanitë e sektorit të eventeve pohojnë që vështirësitë vijojnë.
Udhëtimi është zemra rrahëse e industrisë së eventeve dhe ndërveprimi njerëzor, shpirti i tij, kështu që kur koronavirusi e ndaloi botën në fillim të vitit 2020, perspektivat e industrisë dukeshin të pasigurta. Por gjithmonë elastike dhe inovative, industria po përshtatet.
Pjesë e këtij riformësimi është kalimi në takime virtuale, të cilat po ndihmojnë në tejkalimin e distancës midis vendeve dhe kontinenteve. Megjithatë, në vend që të ndalojnë një industri thellësisht të varur nga eventet sociale ballë për ballë, takimet virtuale po ndihmojnë në ruajtjen e marrëdhënieve të biznesit.
Sido që të jetë, është e qartë se sado e vështirë të bëhet situata, këta planifikues eventesh kanë vendosur jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të lulëzojnë. Por ata kanë ende pyetje që i shqetësojnë. Cilat do të jenë pasojat e gjithë kësaj? Duke pritur që viti 2022 të kthehet në normalitet, a do të rifillojnë eventet në mënyrën e tyre të zakonshme apo do të ketë një normalitet të ri?
Rikthimi në “normalitet” është biseda normale mes profesionistëve të eventeve. Megjithatë, e ardhmja nuk ka gjasa të duket si normalja jonë para pandemisë, pasi teknologjia e eventeve virtuale dhe ndryshimi i sjelljeve të pjesëmarrësve kanë transformuar plotësisht peizazhin e planifikimit të tyre, globalisht.
Ndërsa ne nuk kemi një sferë kristali që na tregon të ardhmen, ne identifikojmë më pas disa nga tendencat kryesore në zhvillim në “normalitetin e ri” të eventeve, duke na dhënë një vështrim në të ardhmen e planifikimit të tyre.
Një nevojë urgjente për shkëmbim njohurish
Pavarësisht anulimeve masive të eventeve për shkak të Covid-19, Rafaela Rica beson se oreksi për organizimin e ngjarjeve të biznesit gjatë pandemisë është në fakt shumë i madh dhe se “shkëmbimi i njohurive është vendimtar tani”. Drejtuesja e “Iceberg Communication” thotë se të gjitha industritë po përpiqen të përshtaten me normalitetin e ri dhe nevoja për bisedë është më e madhe se kurrë.
“Ne jemi qenie sociale dhe ngjarjet virtuale ose hibride nuk do të zëvendësojnë kurrë plotësisht takimet ballë për ballë” – thotë znj. Rica.
“Nevoja për të shtrënguar duart, për të përqafuar dhe në përgjithësi për të ndarë të njëjtën hapësirë është e paçmueshme. Megjithatë, kjo përvojë na ka treguar se virtuali mund t’u përgjigjet më mirë disa nevojave dhe veçanërisht nëse e kombinojmë me një takim ballë për ballë, gjë e cila na rezultoi si model i mirë për eventet korporative” – thotë Rafaela.
Nga ana tjetër, Armand Peza thotë se, industria duhet të bjerë dakord për të gjetur skenarë e për të qenë të njëjtë në një konkurrencë të ndershme.
“Ne kemi qenë gjithmonë një industri shumë e fortë, duke u bashkuar dhe duke punuar drejt zgjidhjeve për të gjithë” – thotë drejtuesi i “Geraldina Sposa”.
“Kjo krizë e bëri lidhjen tonë edhe më të fortë, me aktorët e tjerë të industrisë, furnitorët, dhe më shumë, duke bashkuar forcat për të kapërcyer sfidën. Besoj se ky do të mbetet një përfitim shtesë për të ardhmen, duke krijuar zinxhirë dhe procese efektive dhe efikase për të dhënë rezultatet më të mira”, – përfundon z. Peza
Eventet hibride po bëhen standarde
Ekspertë botërorë në fushën e organizimit të eventeve thonë se në periudhën e afërt dhe afatmesme, eventet hibride që ofrojnë pjesëmarrje personale dhe dixhitale do të jenë standarde, për të akomoduar ata që nuk mund të udhëtojnë dhe ata që thjesht nuk janë të kënaqur ta bëjnë këtë.
“Ne nuk shohim të kthehemi në një botë të takimeve vetëm personale” – thotë znj. Rica. Ajo shton se ngjarjet e suksesshme hibride zhvillohen paralelisht me momentet e përbashkëta për angazhim, por duhet të dizajnohen si dy përvoja të veçanta të përdoruesit.
“Ekzistojnë shumëllojshmëri formatesh dhe platformash të eventeve dixhitale nga transmetimet në internet deri tek efektet e 3D, kështu që vendosja se cila do të përmbushë qëllimet e organizatës dhe të pjesëmarrësve është kritike dhe duhet parë në vijim. Pandemia tregoi një epërsi të botës dixhitale dhe sektori duhet të përshtatet” – thotë ajo.
Shkurtim punonjësish
Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, pohon se sezonin e shkuar ka pasur në numër të konsiderueshëm kërkesa për evente familjare, por janë pretendime të ulëta, me buxhet të reduktuar.
“Mendoj që industria e eventeve shpërthimin do ta ketë pas vitit 2023. Krizat e mëdha duan kohë. Jemi sektor vanitoz, luksi gjithnjë lihet në fund në kohë krize. Mund të them se viti i shkuar ishte i mirë dhe gjithashtu ky vit ka nisur me prenotime të rëndësishme, gjithsesi jemi në përpjekje të vazhdueshme”,- thotë z. Peza, sipas të cilit, fitimi ka rënë dhe çmimet nuk mund të zbresin.
“Ne jemi Ballkan, ne vazhdojmë të festojmë, ne shpenzojmë edhe atë që nuk e kemi” – thotë ai.
Peza pohon se aktualisht, i gjithë tregu është i tkurrur. Ka rënë numri i eventeve si prezantime produktesh, promovime biznesesh apo protokolle shteti. Sipas tij, eventet kanë qenë më të rralla dhe me numër më të kufizuar. Ndërsa eventet familjare, vijojnë të zhvillohen, po ashtu me numër të kufizuar. Tregu ndërkombëtar nuk është gati, Shqipëria është një hap përpara, pasi nuk pati mbylljen e Europës – thotë z. Peza.
“Sektori ynë ka qenë ndër më të goditurit, pasi përveç kaosit të momentit të parë, që askush nuk e dinte se si do të duhet të ristrukturonte veten për të vepruar në një treg me pandemi, nga ana tjetër kemi qenë të varur nga urdhrat e qeverisë, të cilat nuk ishin favorizuese për ne. Nuk diskutohet që në ruajtje të shëndetit, masat e para ishin të drejta, por më tej, viti ishte aspak favorizues për zhvillimin e organizimin e eventeve.
Nuk ishin vetëm dasmat që u ndërprerë. Ishin evente promovimi, korporatash, etj. Të gjitha u zhvendosën në një normalitet të ri, atë online. Për hir të së vërtetës, janë bërë edhe festa familjare, por në shkelje dhe të fshehura. Kjo ka ndodhur sepse shqiptarët e kanë të shenjtë ditën e dasmës, nuk duan kurrsesi që ta shtyjnë, lidhet me besëtytni.
Çiftet më intelektuale gjetën një zgjidhje më operative, realizuan një set fotografik dhe një darkë të ngushtë familjare. Kjo të kushtëzon, sepse shpenzimet e tyre ishin më të tkurrura, nuk ishin të gatshëm të përballonin strukturat tona që, në rastin e Geraldinës ka 64 punonjës. Ne dëshironim që të riaktivizonim motorin tonë, por nuk e bëmë dot me sukses. U detyruam të shkurtonim vende pune, aktualisht kemi 22 punonjës” – thotë ai.
Peza thotë se patën si problematikë paradhëniet. “Nëse xhiroja jonë vjetore shkon në rreth 600 mln lekë të vjetra, 1/3 e vlerës ishte parapagim. Nëse do ndiqnim udhëzimet e qeverisë, 200 mijë euro do na duhet t’i kthenim, para të cilat nuk ishin, pasi përdoren për riinvestime, prodhime etj.
Gjetëm një kompromis me klientët tanë, që kjo shumë ju njihet deri në një moment që do të vendosin për një datë tjetër, ose mund ta marrin nëpërmjet shërbimeve të brendshme të kompanisë në formë tjetër nëse çifti nuk të dojë të bëjë më dasmë. Eventet që u anuluan ishin të pakta, të tjerat u shtynë për një moment të dytë” – thotë ai.
Të ardhurat e kompanisë “Iceberg Communication”, që merret me organizimin e konferencave, ceremonive për kompani, koncerte, festivale, gjatë 2020 janë reduktuar 70-80%, ndërsa 20 punonjësit po paguhen me pagë minimale.
Arsyet e situatës së krijuar, sipas Rafaela Ricës janë pezullimi i punës për shkak të COVID-19, për eventet, ceremonitë dhe konferencat. Stafi i kompanisë asokohe u aktivizua në punë për rrjetet sociale, dizajne, ndërsa punonjësit e eventeve për muajin gusht janë lënë pushim dhe marrëdhëniet e punës nuk janë ndërprerë. Sipas znj. Rica, përballja ishte me COVID, me ndalimet qeveritare, me orën policore, me konkurrentët, ndaj dhe torta e eventeve u nda ndjeshëm dhe u reduktua për të gjithë.
Për të ardhmen, parashikimet janë optimiste për znj. Rica. “Ecuria për zhvillimin e kësaj industrie këtë vit pritet të jetë pozitive, gjë që është tepër optimiste për ne. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, në muajt e verës do të mund të shohim ndryshime të dukshme.
“Me largimin e dimrit, gjërat do të ndryshojnë, edhe pse ka versione të reja të COVID-19. Do të ketë një lloj ndryshimi dhe kthimi në normalitet. Do të doja të thosha që pavarësisht të gjithave, largim të COVID mund të ketë, por përsëri sjellja e njerëzve ka ndryshuar. Kam përshtypjen që, edhe pse do të ketë evente fizike, do të ndodhin më shumë të tilla online” – thotë Rafaela Rica, drejtuese e agjencisë “Iceberg Communication”.
Sipas saj, ky ndryshim që po vjen si frymë botërore, ndoshta është një proces që do të ndodhte në të ardhmen, me ndryshimin e teknologjisë. “Sot mund të bësh evente virtuale me një audiencë më të madhe. Ke mundësi online të bësh diçka më të madhe, pra këtë ndryshim duhet ta shohim si avantazh” – thotë znj. Rica.
Në 2022, pritet të bëhen më tepër evente korporatash, pra ato zyrtare, sipas saj.
“Do të këtë koncerte sigurisht, por po vjen një epokë që edhe festivalet do të jenë virtuale dhe do të transmetohen në vende të ndryshme. Sigurisht do të ekzistojnë edhe ato fizike, asgjë s’krahasohet me ‘live’. Por, duhet të biem dakord që shijet po ndryshojnë, të cilat po përshtaten me teknologjinë, edhe ekspozitat po bëhen virtualisht” – thotë znj. Rica.
Për Shqipërinë, sugjeron ajo, duhet të ketë një trajtim të barabartë të të gjithë subjekteve tregtare, sa i përket kthimit në normalitet. “Kemi parë hotelet hapur gjatë të gjithë sezonit veror, ndërsa eventet jo. Kazinotë po ashtu kanë qenë hapur. Presim që viti 2022 të japë një trajtim të barabartë për të gjithë sektorët e bizneseve” – thotë ajo.
“Shoh se dëshira është e madhe, ngaqë ka munguar mundësia. Njerëzit janë më të etur për të festuar. Bëhet diçka e vogël dhe vijnë shumë njerëz, ndaj dhe promocioni ka qenë i vogël. Këtë frymë presim edhe në vitin 2022”, nënvizon znj. Rica.
Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, një ndër kompanitë kryesore të organizimit të eventeve në Shqipëri, parashikon vështirësi në përmirësimin e situatës së sektorit në 2022, pasi humbjet e shkaktuara nga dy vitet e shkuara ishin të mëdha. Sipas tij dhe hulumtimeve në treg, edhe në atë europian, fundi i vitit 2022 dhe fillimi i 2023-shit pritet të kthejë normalitetin në këtë sektor, sidomos sa u përket eventeve.
Sa shpenzohet për një dasmë pandemike
Në pamje të parë, organizimi i dasmës duket një gjë aq e thjeshtë, por vetëm kur provon të organizosh një vetë, e kupton se sa e ndërlikuar dhe stresuese është. Këtu ndikojnë disa faktorë, ndër të cilët, padyshim, edhe pandemia ka efektin e saj.
Ndryshe nga periudha para marsit 2020, stresi përfshin edhe çështjen a do të pranojnë të ftuarit të vijnë, kufizimet në numrin e të ftuarve, çfarë kostoje do të ketë dasma pasi agjencitë martesore kanë nisur të shtrenjtojnë çmimet etj. Për kostot e mëposhtme, është bërë një vëzhgim në katër agjenci: Ami Event, Class by Alketa, Geraldina Sposa, Federika Arti Martesor.
Kostoja e parë lidhet me veshjet, përkatësisht fustanet e nusërisë dhe veshja e dhëndrit. Kjo e fundit përgjithësisht blihet, me kosto që varion nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë, total veshja: kostumi, këmishët, kravatë, këpucë etj. Ndërsa veshjet e nusërisë, në 90% të rasteve merren me qira, kostoja e së cilës varion nga 60 mijë deri në 150 mijë për një fustan. Kryesisht, sipas agjencive, ky fustan shoqërohet me një të dytë falas. Sipas menaxherëve të agjencive, ka dhe nuse që duan ta kenë fustanin e ceremonisë përgjithmonë të tyrin.
Së dyti, duhet të përzgjedhësh mjedisin ku do të zhvillohet ceremonia. Sipas burimeve në treg, çmimet e lokalit ndryshojnë në varësi të menusë që zgjedh por sigurisht edhe vetë restoranti ku do të zhvillohet dasma, ka ndryshime kostosh të dukshme. Menuja më e lirë fillon nga 7 mijë lekë çifti dhe aktorët e tregut pohojnë që ka pasur rritje çmimi pas pandemisë. Padyshim, përzgjedhja e ambientit kushtëzohet nga numri i të ftuarve.
Së treti, muzika. Më parë, dasmat bëheshin me orkestër, në përgjithësi dy vokalistë dhe instrumentistët, por me kalimin e kohës, çifteve iu ofruan mundësi zgjedhjeje më ekonomike duke e zëvendësuar orkestrën me DJ, ku dyshemeja e çmimeve fillon nga 35 mijë lekë. Megjithatë, ka edhe zgjedhje mikse, të cilat janë më të kushtueshme. Gjithashtu, një element që shton dukshëm koston e një dasme është emri i këngëtarit. Personazhe VIP kanë pagesa më të kripura, të cilat arrijnë 5 mijë euro për 3-4 orë.
Së katërti, kameramani dhe fotografi. Momentet më të rëndësishme në jetë sigurisht që duhen kapur nga objektivi i kamerave dhe i aparateve fotografikë. Kameramani dhe fotografi janë gjithashtu një kosto e rëndësishme, që kushtëzohet nga popullariteti i tyre. Çiftet e reja, sipas agjencive martesore e kanë pikë shumë të rëndësishme këtë dhe vitet e fundit zgjedhin fotografë të njohur. Kostot variojnë nga 400 euro për një natë fotografi, ashtu sikurse ekzistojnë e paketa që të ofrojnë të plotë ndjekjen fotografike dhe me video, nëpërmjet shërbimeve që nisin nga 1 mijë euro nata.
Së pesti dekori. Pjesa më e madhe e lokaleve kanë dekorin e tyre, por në përgjithësi çiftet kërkojnë diçka më të personalizuar. Dekori më minimalist kushton rreth 30 mijë lekë. Agjencitë e kontaktuara kanë treguar se pas pandemisë, çiftet po tregohen më të kursyer në detaje të tilla.
Së gjashti, estetika, e cila për 2-3 ditë arrin kosto nga 80 mijë lekë. Megjithatë, kryesisht pas 2020-s, dasmat priren të bëhen të përbashkëta dhe përqendrimi i shpenzimeve bëhet në një ditë të vetme.
Duke bërë një përllogaritje të kostove të sipërpërmendura për një dasmë prej 50 personash, sipas normës së lejuar nga Komiteti Teknik, kostoja do të arrinte rreth 530 mijë lekë. Por, sikurse pohojnë e agjencitë, në shumë dasma të zhvilluara në vitin 2021 nuk është respektuar numri i lejuar i të ftuarve, ndaj kostoja ka qenë më e lartë.
Bilancet, tregu botëror
Sipas “Allied Market Research”, madhësia e industrisë së eventeve ishte 1,135.4 miliardë dollarë në 2019 dhe pritet të arrijë 1,552.9 miliardë dollarë deri në vitin 2028, një normë rritjeje komplekse prej 11.2%. “Eventet i referohen mbledhjes publike në një kohë dhe vend të caktuar.
Qëllimi për organizimin e një eventi mund të jetë një rritje e përfitimit të biznesit, festimeve, argëtimit dhe shkaqeve të komunitetit ndër të tjera. Ngjarjet më të njohura përfshijnë konferencat dhe ekspozitat, ngjarjet dhe seminaret e korporatave, promovimin dhe mbledhjen e fondeve, shfaqje muzike dhe arti, sporte, festivale, shfaqjet tregtare dhe prezantime produktesh.
Palët kryesore të interesit në tregun e eventeve janë organizatat e korporatave, organizatat publike dhe OJQ-të”. Rritje më të madhe pritet të ketë kategoria e muzikës, sporteve dhe eventeve të korporatave dhe seminareve. Është e qartë se pandemia ka pasur ndikim të thellë negativ në industrinë e eventeve, komunitetet, qeveritë, organizatat kërkimore, pjesëmarrësit, punonjësit dhe të gjithë sektorët e mirëpritjes pasi eventet përdorin të gjitha shërbimet e hotelerisë, gastronomisë etj./MONITOR
Discussion about this post