Nga data 1 maj në vend janë mbyllur të gjitha sportelet fizike në vend, duke detyruar qytetarët që çdo shërbim dhe informacion ta kërkojnë online në portalin e-Albania. Por, të shumta kanë qenë ankesat nga qytetarët, pasi shpesh herë portali bllokohet dhe ata nuk mund të marrin shërbimin që iu nevojitet në moment. Ndërkohë, qeveria në vend që të marrë për bazë këto ankesa dhe të shohë se ku qëndron vërtet problemi shkon dhe shpenzon 600 milionë lekë për këtë portal, përveç shpenzimeve marramendëse që janë bërë deri më tani për të.
Kështu, me urdhër të shefit Rama, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Kaçanaj ka hapur një tender me objekt “mirëmbajtjen e 209 shërbimeve elektronike në portalin e-Albania”, për të cilin është përcaktuar fondi limit 61,380,000.00 lekë të reja, ose 600 milionë lekë të vjetra.
Ndërkaq, përveç faktit se po shkojnë dëm miliona lekë për shërbime që qytetarët nuk i marrin, absurde në këtë tender është se fitues është shpallur kompania në të cilën ka aksione dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në dokumentin e publikuar në Agjencinë e Prokurimeve publike, përcaktohet se fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Infosoft Systems” + “IkubINFO” + “Intech +”. Kompania “Intech” ka si administrator Sokol Sinanin, por themeluesi i saj ka qenë Ilir Beqaj, për mirëmbajtjen e softwareve të teknologjisë së informacionit. Tashmë ai ka një pjesë të aksioneve atje.
Kompania helmuese
Ndërsa Infosoft është e Grigor Jotit, i cili një vit më parë ka fituar një tjetër tender me 2.2 miliardë lekë, sërish nga Mirlinda e AKSHIT. Nuk dihet realisht se çfarë lidhje ka mes INFOSOFT dhe AKSHIT por deri tani duket se kjo marrëdhënie po ecën më së miri. Por, këto “miqtë” e AKSHIT përveç se janë tashmë mjaft të njohur për tenderat abuziv, janë përfshirë edhe në skandale të tjera më të mëdha. Kompania “Infosoft” e Grigor Jotit është denoncuar me 15 gusht të viti 2021 se sjell në vend produkte me përmbajtje të dëmshme. Konkretisht, bëhej fjalë për çokollatat dhe akulloret SNICKERS, TwIX, MARS, M&M dhe BOUNTY të cilat rezultuan se në disa lote të tyre përmbajnë elemente kancerogjene që dëmtojnë jetën dhe sigurinë e shqiptarëve. Këto produkte në Shqipëri, i importon firma “INTERBRANDS SH.P.K.” e cila rezulton të jetë në pronësi të grupit INFOSOFT, i drejtuar nga biznesmeni Grigor Joti.
Nga ana tjetër edhe AKU deklaroi se analizat kanë vërtetuar këtë problem dhe bllokoi më pas qarkullimin e këtyre produkteve në treg, por pa përcaktuar se në cilat lote. Si duket ky institucion nuk ka dashur të dëmtojë reputacionin e produkteve që në Shqipëri futen nga Grigor Joti.
Ky tender tregon më së miri se në duart e kujt është portali dhe pse çdo herë qytetarët mbeten pa marrë shërbimin që kanë nevojë. Kujtojmë se që me krijimin e e-Albania, qeveria ka kaluar shërbimet online, me justifikimin se kështu do t’u shkurtohet kohë dhe shpenzime qytetarëve që deri më sot sorollateshin nëpër sportele. Në fakt mbyllja e sporteleve dhe kalimi i shërbimeve te e-Albania nuk po jep asnjë rezultat të mirë për qytetarët. Parat rrjedhin lum, por shërbimet ngecin./ Esmeralda Hida/
Discussion about this post