Paraditen e sotme ka patur protestë përpara Bashkisë Tiranë për disa orë, por Erion Veliaj në atë kohë ishte në avion duke fluturuar. Miting do të ketë sërish, por ndeshja e parë për hapjen e Euro 2024 ka rëndësi të madhe sepse aty do të jetë kryeministri, qeveria, deputetët dhe gjithë elita e pushtetit. Nuk mund të bënte përjashtim Veliaj, por shqetësimi ynë është diku tjetër. Kush i paguan biletat? Disa prej tyre kanë organizuar tenderin sot dhe brenda ditës kanë prerë biletat për të shkuar në Dortmund.
Epo, si fundjavë mirë e kanë menduar, por përse duhet të shkojnë me paratë e popullit? Me sa dihet zyrtarët mund të përdorin fondet vetëm nëse udhëtojnë për çështje pune.
Nisim nga Erion Veliaj, i cili ka vendosur që të shkojë që sot në Gjermani. Siç thamë në orën që zhvillohej protesta, Lali Eri ka qenë në aeroport dhe në orën 13 e 10 është nisur nga Tirana. Për të siguruar këtë biletë më datë 13 qershor 2024, Bashkia Tiranë njoftoi tenderin me objekt. “Blerje biletë udhëtimi Tiranë – Dortmund/Dusseldorf- Tiranë”.
Tenderi u hap në orën 12 e 50 dhe vetëm pas 3 orësh u mbyll me sukses.
Janë mbajtur të fshehta si vlera e fondit për këtë biletë, edhe fituesi. Por faktin që ka zhvilluar me urgjencë tenderin për blerjen e kësaj biletë mund të shpjegohet vetëm me ndonjë urdhër që mund t’u ketë dhënë Rama zyrtarëve që të jenë bashkë me të në stadium.
Ndërkaq, shohim se kryebashkiaku është nisur ditën e sotme dhe do të kthehet më datë 16 qershor 2024. Pra, Lali Erri do të qëndrojë në Gjermani, vetëm për ndeshjen e parë të kombëtares tonë me Italinë më datë 15 qershor.
Megjithatë, Lali Eri nuk do të mungojë në Tiranë, sepse lë pas ‘sozinë” që mbjell pemë edhe kur kryetari mungon.
Ndërsa, qytetarët e thjeshtë që nuk blejnë dot biletën me tendera, do ta shohin ndeshjen tek Sheshi Skënderbej, duke ngrënë qofte dhe pirë birra.
Ministria e Bujqësisë merr 4 bileta
Biletat e të gjithë zyrtarëve që po shkojnë në Gjermani për të ndjekur ndeshjet, po i paguajnë qytetarët me taksat e tyre. Na bie në sy se shume institucione më datë 13 qershor 2024, kanë organizuar udhëtime për në Gjermani, qoftë direkt në Dortmund apo në qytete tjera gjermane. Përmendim këtu se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka blerë 4 bileta për në Gjermani, ku ndalesa është për në Berlin. Epo nuk e kanë të vështirë që nga Berlini të shkojnë më pas në Dortmund.
Kështu me këtë linjë ajrore janë munduar të largojnë edhe pak vëmendjen se po paguajnë me paratë e qytetarëve.
Ministrja Denaj së bashku me 3 zyrtarë të tjerë do të udhëtojnë për në Gjermani më datë 17 qershor dhe do kthehen më datë 21 qershor, pasi më datë 20 qershor do të ndjekin ndeshjen e tjetër që është përcaktuar për Kombëtaren Shqiptare.
Bileta edhe për RTSH
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Radio Televizioni Shqiptar. Epo duke qenë se janë në fushën e medias edhe drejtori i RTSH, Alfred Peza dëshiron që të ndjek ngjarjen nga afër. Sidomos, sa më afër shefit. Në fund të fundit, populli paguan!
Kështu, më datë 12 qershor 2024, RTSH ka zhvilluar tenderin me objekt “Tiranë (Shqipëri) – Berlin (Gjermani) -Tiranë (Shqipëri)”. Ku sërish nuk bëhet transparent fondi publik, por janë blerë 2 bileta. Peza dhe personi që e shoqëron do të nisen më datë 18 qershor 2024 për në Gjermani. Nuk besojmë se është dikush tjetër aty në RTSH që guxon të shkojë para Pezës në Europian!
Sigurisht zyrtarët mund të justifikohen që nuk shkojnë në Gjermani për ndeshjet e futbollit, por duket një rastësi e rrallë që institucioneve tona iu zu axhenda me gjithë këto takime pune në Gjermani! Ndërkohë, në ditë në vijim, do të verifikojmë se kush ua ka paguar biletat deputetëve, që e shtynë seancën e parashikuar për sot dhe u nisën drejt Gjermanisë! Epo, kalofshi bukur, me paratë tona!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post