Qysh nga 12 shkurti, kryeministri Edi Rama, nën goditjet e SPAK, është detyruar të riformatojë AKSHI-n. Pas zbulimit të “organizatës kriminale” me në krye Linda Karçanajn, në krye të institucionit prezantohet Igli Tafa.
Beteja për ndarjen e parave të tenderave të AKSHI-t kishte shënuar fillimisht pengmarrjen e zëvendësdrejtorit të AKSHI-t dhe më pas të biznesmenit Gerond Meçe. Denoncimi i Meçes dhe kontrolli i zyrës së Ergys Agasit nxorri në dritë se si funksiononte kjo organizatë që kishte mbështetje edhe nga policia. Tenderat ndaheshin me drejtoreshën Karçanaj dhe kush nuk bindej përballej me shantazhe dhe dhunë. Hetimi i pengmarrjes zbuloi se edhe Komisioni i Prokurimit Publik kishte lidhje me veprimet organizatës.
Misioni i pashpallur i Tafës duket se është “pajtimi” i grupeve që përfunduan në SPAK. Pala e dëmtuar e Gerond Meçes do të joshet me tendera me qëllim që të distancohet nga SPAK. Në këtë operacion ndihmon edhe KPP, i cili varet direkt nga Kryeministri Rama.

Ndërkaq grupi që gjendet në arrati i Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit do të detyrohet të pranojë ekuilibrin e ri. Brenda kësaj kornize vijnë zhvillimet e reja.
Më 17 mars 2026, Gerond Meçes, iu hap drita jeshile të përfitojë një kontratën 3 miliardë lekë. Objekti është: “Ndërtimi i Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Institucioneve të vartësisë (IEVP) dhe infrastrukturës hostuese”.

KPP vendosi që AKSHI të vazhdojë me hapat e tjerë të procedurës, pasi u verifikua se oferta e kompanisë ABS të Gerond Meçes ishte rivlerësuar.
Shqyrtimi i ankesës kishte nisur në qershor të vitit të kaluar. Por në gusht do të ndodhnin disa probleme që sollën kthesë në raportet e Gerond Meçes me AKSHI-n dhe KPP-në.
Nga dosja e AKSHI-t në SPAK mësojmë se rrëmbimi i Gerond Meçes, kishte lidhje ndër të tjera edhe me tenderin e mësipërm. Dyshohet se personat të cilët organizuan rrëmbimin dhe kërcënimin ndaj tij, kishin një autoritet apo lidhje brenda KPP, që ka aftësinë dhe kompetencën për ta verifikuar.
Gjatë deponimit ai përmendi edhe emrin e një anëtari të KPP, që sipas tij është i lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri.
Me këtë të fundit, Gerond Meçe tregoi se kishte konflikte të vazhdueshme, në fushën e tij të operimit.
Ky anëtar i KPP, për të cilin Gerond Meçe dyshonte ishte Kreshnik Ternova.
“Unë dyshoj se personi brenda KPP, quhet K.T, me detyrë anëtar i këtij komisioni.
Dyshimi im ndaj tij lidhet me njohjen që ai ka me shtetasin Ermal Beqiri. Ajo që dua të theksoj është se ka shumë procedura që, edhe kur KPP më ka dhënë të drejtë, anëtari K. T. ka qenë kundër në minorancë. Siç është edhe një procedurë për mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar në mbledhjen ballafaquese midis KPP dhe kompanisë ankimuese, i është drejtuar Autoritetit Prokurues që ta klasifikojë si tender i klasifikuar, gjë e cila ishte drejtpërdrejtë me qëllim për të nxjerrë jashtë loje kompaninë tonë”, thuhet në dëshminë e Gerond Meçes.
Ai u mbajt peng për shumë orë dhe u kërcënua me pistoletë në ballë që të tërhiqej nga ankimimet dhe tenderat ku merrte pjesë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Biznesmeni Gerond Meçe, tha se të nesërmen e pengmarrjes ai kërkoi pranë Komisionit të Prokurimit Publik dhe vetë AKSHI-t, që kjo “tërheqje” të anulohej.
Kjo, me justifikimin se serverat e kompanisë së tij ishin hakeruar. Kërkesa nuk u pranua nga KPP.
“Të nesërmen e rrëmbimit, shoqëria ‘ABS’ ka bërë kërkesë për pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’ pranë KPP dhe AKSHI me argumentimin se serverat janë hakëruar një ditë më parë.
Por pavarësisht se kam kërkuar pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’, KPP në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim datë 13 gusht 2025, për mospranimin e pezullimit ‘të njoftimit të tërheqjes’. Pavarësisht se nuk ka pasur kohë që ta fuste në rend dite, pra ta përgatisë 24 orë përpara.
Më pas kompanisë i ka ardhur njoftimi, ku thuhet se firma elektronike është bërë më datë 15 gusht dhe jo më datë 13 gusht. Dhe, në bazë të ligjit, KPP vihet në lëvizje me kërkesë për tërheqje dhe jo me njoftim për tërheqje, si në rastin tone”.
Vetë biznesmeni tha më tej në dëshminë e tij çdo procedurë e tij e ankimuar në KPP, zgjat më shumë se dy muaj. Kjo sipas tij ndodh qëllimisht pasi asnjë procedurë nga aplikantët e tjerë nuk zgjat kaq shumë.
Për këtë arsye ai mendon se personi që fshihej pas rrëmbimit të tij ishte Ermal Beqiri.
Kjo pasi sipas tij, pas çdo procedure të tillë qëndron një nga kompanitë e tij ose kompani që janë të lidhura me të.
Pas këtij kalvari, më 12 janat 2026, Komisioni i Prokurimit Publik e ka kthyer pllakën. Një vendim pranonte pjesërisht ankesat e Gerond Meces për tenderin.

Tenderi u vonua edhe dy muaj të tjera, pasi drejtoresha e AKSHI-it, u akuzau si pjesëtare e organizatës kriminale dhe korrupsion me tenderat. Tashmë që Rama vendosi një drejtor, puna me tenderat rifilloi aty ku e kishte lënë Karcanaj.
Gjithesi ka pasur edhe një presion nga pala në arrati. Prandaj zgjidhja ka qenë gjithëpërfshirëse!
Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2026, drejtori Tafa i AKSHI-t ka njoftuar Operatorin Ekonomik: COMMUNICATION PROGRESS se është fitues i tenderit për mirëmbjajtjen e rrjetit të Thesaritt të Shtetit. Edhe ky është tender që ka nisur qysh para një vit dhe ishte pjesë e synimit të “organizatës kriminale”

Më konkretisht kontrata ka si objekt: Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave: Kohëzgjatja e kontratës është 24 muaj mirëmbajtje nga dita e nënshkrimit. Fondi limit I caktuar është 169,4 milionë lekë të reja pa TVSH ose 1,73 milionë Euro pa TVSH.
Procedura është mbajtur fiktivisht. Sic shihet në dokument, tre operatorë kanë bërë ofertë me vlerë zero lekë.

Pronari i kompanisë fituese Gentian Likaj është i lidhur familjarisht me Ermal Beqirin. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se biznesmeni Ermal Beqiri fiton tendera edhe përmes kompanive të lidhura me familjarë të tij. Konkretisht, procedura për ‘implementimin e infrastrukturës së desktopëve virtual për Autoritetin e Aviacionit Civil’, u fitua nga subjekti “Communication Progress” për vlerën e rreth 1 milion eurove pa TVSH. Kompania në fjalë është në pronësi të bashkëjetuesit të motrës së Beqirit, shtetasit Gentian Likaj.
“Edhe në këtë procedurë vihet re futja e kriterit të pajisjes së punonjësve me “Certifikate Sigurie”, CSP, e cila është e pavend, pasi të dhënat e prodhuara dhe komunikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil nuk janë të klasifikuara”, theksohet në dosjen e SPAK.
Ndërsa tenderi i Thesarit hasi pengesa. Një nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kompania Data Log, depozitoi ankim në Komisioni i Prokurimit Publik. KPP pas shumë mujave shqyrtim vendosi rrëzimin e ankesës më 27 janar 2026, duke i hapur rrugë AKSHI-t për finalizimin e procedurës dhe shpalljen e fituesit.

Fitorja e Communication Progress vjen në një moment kur hetimet për skandalin e tenderëve të AKSHI janë ende aktive.
Sipas dosjes së SPAK, në krye të skemës së dyshuar për manipulimin e tenderëve dyshohet se qëndronin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi. Disa drejtues të institucionit janë vendosur nën masa sigurie nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo ka shtuar dyshimet se, edhe pse disa prej figurave kryesore janë larguar nga skena ose janë në kërkim, rrjeti i kompanive përfituese vazhdon i qetë arkëtimet e parave të buxhetit të shtetit.
Tenderi i Thesarit ishte bërë problematik dhe po bllokonte pagesat. Ja cfarë udhëzonte Agjencia e Prokurimit Publik disa javë më parë:
“Njoftohen të gjithë Autoritetet/ Entet Kontraktore buxhetore të cilët për zhvillimin e procedurave të prokurimit duhet të pajisen me numër transaksioni nga dega e thesarit, se: Referuar Urdhër Nr.18 Prot.,datë 04.02.2026 “Për vijimin e procesit të ekzekutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026, në kushtet e mosfunksionimit të Sistemit AFMIS”, të Ministrisë së Financave, autoritetet/entet kontraktore duhet të kërkojnë në adresën e email-it [email protected], heqjen e integrimit me AFMIS me qëllim vijueshmërinë e hapave të mëtejshem të procedures”.
Por bëni durim! Me radhjen e Tafës në krye të AKSHI-t nis era e re, kriza do të zgjidhet, palët do të pajtohen!
gijotina.com/








Discussion about this post